Ministria e Punëve të Brendshme

Lundroni në këtë Seksion

Z. Xhemal Qefalia ka lindur më 27 shkurt 1963. Që nga nëntori 2025, z. Qefalia është Zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Ai ka një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në administratën publike, në sistemin e drejtësisë dhe në jetën parlamentare në Shqipëri, me përvojë të gjerë në fushën e sigurisë, drejtësisë penale dhe menaxhimit institucional.
Gjatë periudhës 2009–2025 ka ushtruar detyrën e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ka marrë pjesë në hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve, si dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe veprimtarisë së institucioneve shtetërore. Gjithashtu, ka përfaqësuar Kuvendin në aktivitete dhe forume ndërkombëtare, përfshirë seminare të NATO-s dhe të Forumit Parlamentar për Sigurinë dhe Inteligjencën.
Më herët, z. Qefalia ka mbajtur funksione drejtuese në sistemin penitenciar shqiptar. Ai ka ushtruar detyrën e Drejtuesit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në periudhën 1996–2005 dhe 2005–2007, ku ka qenë përgjegjës për menaxhimin strategjik dhe administrativ të institucionit, garantimin e sigurisë dhe zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut. Në vitin 2005 ka shërbyer si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, duke kontribuar në koordinimin dhe mbikëqyrjen e sistemit penitenciar në nivel kombëtar.
Në vijim të karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, gjatë viteve 2007–2009 ka punuar si këshilltar ligjor në Prokurorinë e Tiranës, ku ka ofruar asistencë juridike në çështje penale dhe procedurale, si dhe ka kontribuar në përgatitjen dhe analizën e akteve ligjore.
Z. Qefalia ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake, Akademinë e Policisë dhe Fakultetin Juridik, si dhe është pajisur me titullin e avokatit në vitin 2004.
Ai zotëron aftësi të avancuara në lidership, menaxhim strategjik, hartim dhe analizë të akteve ligjore, si dhe në koordinim ndërinstitucional. Ka njohuri të standardeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe aftësi të mira në komunikimin publik dhe përfaqësimin institucional. Flet gjuhën angleze në nivel mesatar, krahas gjuhës amtare shqipe.