Ministria e Punëve të Brendshme

Lundroni në këtë Seksion

Znj. Silva Caka ka lindur më 25 dhjetor 1987. Aktualisht mban detyrën e Zëvendësministres së Punëve të Brendshme, që nga data 25 shtator 2025.

Ajo është juriste me përvojë të gjerë në fushën e së drejtës, legjislacionit dhe proceseve parlamentare, me një angazhim të konsoliduar në hartimin e politikave dhe reformave  ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, znj. Caka ka ushtruar funksionin e deputetes në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, ku ka qenë anëtare e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, si dhe pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Ajo ka kontribuar gjithashtu në Nënkomisione dhe struktura të rëndësishme parlamentare, si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe në organizata ndërkombëtare politike.

Ajo ka qenë e angazhuar si eksperte ligjore pranë Kuvendit të Shqipërisë në disa procese të rëndësishme, përfshirë reformën zgjedhore, ndryshimet kushtetuese dhe komisionet hetimore parlamentare për krimet zgjedhore. Gjithashtu, ka kontribuar si eksperte në projekte ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunime me organizata si ‘Westminster Foundation for Democracy’, në hartimin e kodeve të etikës për partitë politike.

Më herët, znj. Caka ka ushtruar detyrën e asistentes ekzekutive në sektorin privat dhe ka qenë asistente-lektore në “Albanian University”. Gjithashtu, ka punuar si specialiste ligjore në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës që prej vitit 2023, duke kontribuar në vendimmarrjen në nivel vendor.

Znj. Caka ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe është e pajisur me licencë për ushtrimin e profesionit të Avokatit, nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Gjatë karrierës së saj, ka ndjekur një sërë trajnimesh dhe programesh ndërkombëtare në fushën e lidershipit, demokracisë, barazisë gjinore dhe luftës kundër korrupsionit, të organizuara nga institucione prestigjioze si ‘International Anti-Corruption Academy’ (IACA), U.S. Department of State, United Nations dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Znj. Caka zotëron aftësi shumë të mira në analizën ligjore, hartimin e politikave dhe përfaqësimin institucional.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane dhe spanjolle, krahas gjuhës amtare shqipe.