Ministria e Punëve të Brendshme

Në kuadër të ditëve të Fushatës Ndërgjegjësuese në Komunitet, u zhvilluan aktivitete informuese dhe sensibilizuese me qytetarët, me qëllim promovimin e mesazheve të projektit “Arti për ndryshim social” dhe forcimin e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e parandalimit të kriminalitetit.

Përmes shpërndarjes së materialeve informuese dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, aktiviteti krijoi mundësi për shkëmbim informacioni dhe diskutim mbi sfidat që lidhen me sigurinë në komunitet, rëndësinë e parandalimit të fenomeneve kriminale, si dhe nevojën për mbështetjen dhe përfshirjen e personave dhe grupeve vulnerabël.

Fushata synon jo vetëm informimin e publikut, por edhe promovimin e vlerave të solidaritetit, përgjegjësisë qytetare, mosdiskriminimit dhe përfshirjes sociale, si elemente thelbësore për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Mesazhi i saj qendror është se siguria nuk ndërtohet vetëm përmes masave parandaluese, por edhe përmes krijimit të mundësive të barabarta, forcimit të kohezionit social dhe përfshirjes së çdo individi në jetën e komunitetit.

Ky aktivitet kontribuoi në zgjerimin e shtrirjes së fushatës dhe në fuqizimin e mesazhit se parandalimi i kriminalitetit është një përgjegjësi e përbashkët, që kërkon angazhimin e institucioneve, organizatave dhe vetë qytetarëve për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më mbështetëse dhe më të sigurt për të gjithë.

Projekti “Arti për ndryshim social” zbatohet nga Qendra Youthful, me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

#OneStepCloser