Ministria e Punëve të Brendshme

Vendimi – Këshilli i Ministrave ka miratuar, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, si dhe Planin e Veprimit 2026–2028, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave shtetërore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Ky dokument strategjik përcakton vizionin dhe prioritetet kryesore të vendit për parandalimin dhe goditjen efektive të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në përputhje me standardet europiane dhe angazhimet e Republikës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Strategjia synon:

– rritjen e efektivitetit të strukturave të zbatimit të ligjit;

– përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional;

– forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar;

– zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike të institucioneve përgjegjëse;

garantimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe të matshme në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.

Zbatimi i saj do të realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, sipas detyrimeve të përcaktuara në strategji dhe në planin e veprimit.