Ministria e Punëve të Brendshme

THIRRJE PËR ANËTARËSIM NË PLATFORMËN E PARTNERITETIT PËR INTEGRIMIN EVROPIAN PËR KAPITULLIN 24 “DREJTËSIA LIRIA DHE SIGURIA” NËN DREJTIMIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, medias, pushtetit vendor, komunitetit të biznesit, shoqatave të punëmarrësve, botës akademike, qendrave kërkimore dhe grupeve të tjera të interesit, të bëhen pjesë në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian për kapitullin 24 “Drejtësia Liria dhe Siguria”. Kjo tryezë është një hapësirë e hapur për dialog dhe bashkëpunim, ku zërat e aktorëve të ndryshëm kontribuojnë me ide, rekomandime dhe propozime konkrete.

Çfarë është Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE)?

Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian është ura që lidh procesin teknik të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian me shoqërinë e gjerë shqiptare. E konceptuar si një mekanizëm gjithëpërfshirës ku bashkohen ide, qëndrime dhe ekspertiza të shumëllojshme, PPIE u jep zë aktorëve nga shoqëria civile, akademia, bota e biznesit dhe media, duke i përfshirë drejtpërdrejt në diskutime dhe vendimmarrje për çdo kapitull të negociatave, me synimin për të udhëhequr një proces sa më të hapur, të informuar dhe përfaqësues. Tryezat e Partneritetit për kapitullin 24, udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme, teksa koordinimi teknik garantohet nga Drejtoria e Integrimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Projekteve në rolin e Sekretariatit Teknik. Me synimin për të bashkë ndërtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, kjo tryezë ka një rol këshillues dhe shërben si një hapësirë konsultimi mes aktorëve shtetërorë dhe shoqërisë së gjerë.  Ajo synon të mbledhë, në mënyrë të strukturuar, kontributin dhe mendimin e aktorëve kyç të shoqërisë shqiptare për fushat që lidhet me këtë kapitull të acquis në zbatim të vizionit të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Kush mund të aplikojë?

  • Media
  • Pushteti vendor
  • Komuniteti i biznesit
  • Shoqatat e punëmarrësve
  • Bota akademike dhe qendrat kërkimore
  • Grupe të tjera interesi

Si të aplikoni?

Të gjithë të interesuarit ftohen të dërgojnë në adresën e postës elektronike ……………………

  1. i) formularin e plotësuar të aplikimit: Formular, ku të përcaktohet qartë përvoja në fushat relevante për kapitullin specifik 24, si dhe interesi për të qenë pjesë e tryezës;
  2. ii) një Curriculum Vitae të veprimtarisë së individit/entitetit.

Aplikimi është i hapur për të gjithë organizatat e shoqërisë civile, pushtetit vendor, komunitetit të biznesit, shoqatat e punëmarrësve, përfaqësues të rretheve akademike, mediave dhe grupeve të interesit referuar përcaktimeve të kreut III, pika 4 të Urdhrit Nr. 113 datë 30/08/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian”.

Mirëpresim aplikimin tuaj!

FORMAT SHPREHJEJE INTERESI