Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit (ICMPD), në kuadër të prezantimit të projektit rajonal FairPath, i cili synon forcimin e qeverisjes së migracionit të punës në Ballkanin Perëndimor. Gjatë takimit u diskutua mbi objektivat dhe komponentët kryesorë të projektit, mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hapat e parë për zbatimin e tij në Shqipëri. Në fokus ishte nevoja për një qasje të koordinuar, të bazuar në evidenca dhe në respektimin e të drejtave të njeriut, me qëllim përmirësimin e politikave të migracionit të punës dhe garantimin e mbrojtjes së punëtorëve migrantë.

Projekti FairPath zbatohet nga ICMPD, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë të Holandës, për periudhën 15 shtator 2026 – 14 dhjetor 2027, e përfshin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Nisma synon të krijojë një bazë më të fortë njohurish dhe evidencash mbi funksionimin e kuadrit ligjor të migracionit të punës në praktikë, duke evidentuar problematikat dhe nevojat për përmirësim.

Një komponent i rëndësishëm i FairPath është forcimi i koordinimit kombëtar, përmes krijimit ose fuqizimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Në këtë kuadër, parashikohet mbështetja për hartimin e Udhërrëfyesve Kombëtarë për Migracionin e Punës, të cilët do të mbështeten në prioritetet e secilit vend dhe në nevojën për politika të integruara e vendimmarrje të bazuar në evidenca. Projekti synon gjithashtu të përmirësojë mbrojtjen dhe mirëqenien e punëtorëve migrantë, duke lehtësuar aksesin e tyre në informacion, shërbime mbështetëse dhe mekanizma referimi për asistencë ligjore, sociale dhe psikosociale. Përmes bashkëpunimit me organizata të specializuara të shoqërisë civile, do të mbështeten edhe mekanizmat për raportimin e sigurt të shkeljeve të të drejtave të punës dhe rasteve të mundshme të shfrytëzimit.