Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, në fokus të të cilit ishte koordinimi i prioriteteve dhe objektivave të punës në vijim, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë takimit, ministri theksoi rëndësinë e një administrate më pranë njerëzve, duke vënë në dukje se cilësia e komunikimit me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre duhet të mbeten në qendër të punës së çdo strukture.

“Njerëzit presin nga ne më shumë përkushtim, empati, korrektësi dhe respekt. Një administratë më pranë njerëzve është premisa që na çon drejt zgjidhjes së problemeve. Besimi ndërtohet çdo ditë, në çdo komunikim dhe në çdo shërbim që ne japim”, u shpreh Lamallari.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga të gjithë drejtuesit dhe stafet për të dëgjuar me më shumë vëmendje nevojat e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kërkesave të tyre.

“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të qenë në lartësinë e nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve, për të dëgjuar më shumë dhe për të adresuar çdo shqetësim”, theksoi ministri.

Takimi shërbeu gjithashtu për të diskutuar masat konkrete për rritjen e standardeve të shërbimit, forcimin e përgjegjshmërisë institucionale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënies së administratës me qytetarët.