Ministria e Punëve të Brendshme

Qeveria ka miratuar programin e kredive me 0% interes për vitin 2026, duke vijuar mbështetjen konkrete për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe kategoritë e tjera prioritare të administratës publike.

Programi parashikon vënien në dispozicion të 300 kuotave për strehim, nga të cilat do të përfitojnë punonjës të Policisë së Shtetit, mjekë, infermierë, mësues dhe ushtarakë, me synimin për të lehtësuar aksesin e tyre në një banesë.

Kjo nismë, e kthyer tashmë në një program të përvitshëm, është një tjetër dëshmi e angazhimit të qeverisë për të mbështetur profesionistët që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, duke krijuar më shumë siguri dhe mundësi për ta dhe familjet e tyre.

Programi i kredive me interes 0% përbën një vlerësim konkret për kontributin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ushtrojnë detyrën në mbrojtje të rendit, sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit, si edhe një politikë që synon forcimin e mirëqenies dhe motivimit të tyre përmes lehtësimit të kushteve të strehimit.