Ministria e Punëve të Brendshme

Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili parashikon një fond prej rreth 40 miliardë lekësh, me një rritje prej 12 % krahasuar me vitin 2026. Ky është niveli më i lartë i mbështetjes buxhetore për Ministrinë ndër vite dhe synon forcimin e sigurisë publike, rritjen e profesionalizmit të strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjatë prezantimit, ministri Demo theksoi se siguria publike nuk është thjesht një zë në buxhetin e shtetit, por një përgjegjësi themelore e qeverisjes dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, funksionimin e shoqërisë dhe besimin e qytetarëve te institucionet. Projektbuxheti i vitit 2027 mbështetet në tri prioritete kryesore: investimin te burimet njerëzore dhe punonjësit që garantojnë sigurinë çdo ditë; modernizimin e Policisë së Shtetit përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës; si dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Prezantimi i Projektbuxhetit 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

I nderuar Kryetar i Komisionit, të nderuar deputetë, të nderuar kolegë,

sot paraqesim projektbuxhetin 2027 për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe do të doja ta nisja me një mesazh shumë të qartë: që siguria publike nuk është thjesht një zë në buxhetin e shtetit. Ajo është një përgjegjësi themelore e qeverisjes dhe një kusht i domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë, zhvillimin ekonomik dhe besimin që qytetarët kanë te institucionet. Një vend i sigurt është një vend ku qytetarët ndihen të mbrojtur, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe ku institucionet funksionojnë dhe ku punonjësit që garantojnë rendin kanë kushtet dhe mjetet e nevojshme për të përmbushur detyrën.

Një buxhet më i madh për përgjegjësi më të mëdha

Pikërisht mbi këto parime është ndërtuar dhe projektbuxheti i vitit 2027. 2027-ta, në fakt, ka një buxhet të rritur për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili parashikohet në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2026. Sipas materialit të projektbuxhetit, kjo përbën mbështetjen më të madhe buxhetore që ne kemi hasur gjatë viteve të fundit. Po ashtu, rëndësi ka jo vetëm se sa shpenzon Ministria e Punëve të Brendshme, por se ku fokusohen këto fonde. Dhe ky buxhet mbështet në 3 prioritete: Investimet dhe njerëzit që shërbejnë çdo ditë për sigurinë, modernizimin e Policisë përmes teknologjisë, pajisjeve dhe infrastrukturës, dhe forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor për shërbime më të mira ndaj qytetarëve. Më shumë financim duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë profesionalizëm dhe më shumë përgjegjshmëri.

Rritja e pagave të Policisë së Shtetit – investim te njerëzit

Rritja e pagave të Policisë së Shtetit, në fakt, është risia më pozitive në këtë projektbuxhet. Dua të ndalem veçanërisht tek niveli i rritjes së pagës: në total efekti financiar i rritjes së pagës është 3.3 miliardë lekë. Dhe 8174 punonjës të Policisë së Shtetit do të përfitojnë një rritje page prej 20.000 lekë të reja në muaj, që, duke marrë në konsideratë edhe efektin që ka në vjetërsinë, paga rritet me 27%. Dhe kjo është për 73% të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, për 2.000 punonjës të Policisë së Shtetit, paga do të rritet me 15.000 lekë të reja në muaj dhe, duke marrë në konsideratë edhe efektet e vjetërsisë, në total paga do të rritet rreth 20%. Këto nuk janë thjesht shifra, por pas çdo uniforme është një njeri, është një familje, është një përgjegjësi e madhe publike. Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me rrezikun, kriminalitetin, emergjencat dhe situata të vështira për të garantuar sigurinë e të gjithëve. Nëse kërkojmë një Polici më profesionale, më të motivuar dhe më të përgjegjshme, duhet të investojmë te dinjiteti dhe trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit.

Por duhet të jem po aq i qartë për një parim tjetër: që rritja e mbështetjes financiare duhet të shoqërohet me rritjen e standardeve profesionale, disiplinën, integritetin dhe respektimin e ligjit. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga Policia, jo vetëm siguri, por edhe sjellje korrekte, respektim të të drejtave të tyre dhe shërbim profesional. Mbështetja për uniformën dhe llogaridhënia për çdo veprim të saj duhet të ecin së bashku.

Nga një Polici që reagon, drejt një Policie që parandalon

Një sfidë tjetër e jona nuk është vetëm të kemi më shumë kapacitete policore, por t’i përdorim ato në mënyrë më inteligjente. Dhe për Policinë e Shtetit parashikohen në total 33.6 miliardë lekë, me një rritje 20% krahasuar me vitin 2026, duke përfshirë edhe politikën e pagave.

Më konkretisht, unë dua të ndalem po ashtu në, në disa elementë që janë të rëndësishëm për sa i përket investimeve të parashikuara në buxhet, ku përveç mbështetjes logjistike të Policisë së Shtetit, ku rreth 434 milionë lekë janë për pajisje speciale, 293 milionë lekë janë për pajisje të Policisë së Rendit, 175 milionë lekë janë për rinovimin e flotës së automjeteve dhe 60 milionë lekë janë për automjetet speciale. Ajo çfarë unë dua të ndalesha dhe te investimet infrastrukturore të cilat janë parashikuar, në vitin 2027 fillon investimi për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e cila do të ketë tashmë një seri të re. Është e financuar dhe buxhetuar edhe në buxhetin e afatmesëm dhe unë besoj që kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket edhe garantimit të kushteve që janë të domosdoshme në, në disa prej institucioneve që Policia e Shtetit ka në qytetin e Tiranës.

Smart City – teknologjia në shërbim të sigurisë

Smart City, që është, një nga shtyllat kryesore ku ne po fokusohemi, në fakt, është një nga projektet strategjike të parashikuara. Për vitin 2027 parashikohen rreth 2 miliardë lekë financim i huaj, si dhe rreth 1 miliardë lekë për TVSH-në në projekt, krahas fondeve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen dhe kostot lokale. Ky investim, në fakt, parashikon të forcojë kapacitetet teknologjike të Policisë së Shtetit, për sa i përket monitorimit, administrimit të sigurisë publike. Teknologjia gjithashtu do të na ndihmojë të rrisim aftësinë parandaluese të përmirësojmë reagimin operacional dhe të përdorim më mirë burimet njerëzore në terren.

Por, modernizimi teknologjik duhet të shoqërohet gjithmonë me garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë dhe kontrollin institucional. Teknologjia duhet të jetë një instrument në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe jo qëllim në vetvete. Siguria publike gjithashtu kërkon institucione më të forta dhe koordinim, dhe ky projekt buxhet garanton financimin e strukturave të reja të Ministrisë, duke filluar që për grantet, për Gardën e Republikës, ku parashikohen 2.8 miliardë lekë, me një rritje 3%, përfshirë financimin shtesë prej 100 milionë lekë për pajisje speciale dhe për Gardën e Republikës. Gjithashtu, mbështetja për Prefekturat, Gjendjen Civile kanë qenë fokus të këtij projekti buxheti.

Pushteti vendor – shërbime më pranë qytetarëve

Siç tashmë ne e dimë, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme është edhe pushteti vendor dhe patjetër që, duke marrë në konsideratë edhe atë çfarë ky parlament ka votuar pak javë më parë, që është Reforma Territoriale, besoj që 2027 është një vit sfidues për pushtetin vendor në tërësi. Dhe mbështetja për këtë sektor është e garantuar edhe këtë vit, ku ne në total kemi 114 miliardë lekë, me një rritje 2.4% krahasuar me vitin 2026. Transferta e buxhetit të shtetit për pushtetin vendor arrin në 49.4 miliardë lekë, me një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2026. Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme arrin në 29.3 miliardë lekë, me një rritje 5.2% krahasuar me vitin 2026, dhe po ashtu 19.9 miliardë lekë është transferta e pakushtëzuar sektoriale, me një rritje prej 2.4%.

Në të gjithë treguesit financiarë të pushtetit vendor, ne vazhdojmë të kemi një rritje progresive, por ajo çfarë është më e rëndësishme është mbështetja që vazhdon dhe është për disa nga reformat kryesore të cilat do t’i bashkohen reformës territoriale. Së pari është digjitalizimi, që është një projekt i financuar nga Banka Botërore, që tashmë fillon implementimin në disa prej bashkive të vendit, duke filluar nga bashkia Tiranë, e cila do të garantojë digjitalizimin e shërbimeve vendore krahas atyre shërbimeve qeveritare, po i quajmë në nivel të qeverisë qendrore, por dhe shërbimet në nivel vendor, falë këtij projekti të financuar nga Banka Botërore. Ne shumë shpejt do të kemi një risi shumë të madhe për sa i përket shërbimeve vendore dhe mënyrës se si qytetari ndërvepron me, me bashkitë në vend.

Po ashtu, AFMIS-i, që është një sistem i Ministrisë së Financave, por në fakt që ka një rol të rëndësishëm për sa i përket planifikimit, programimit për pushtetin vendor në tërësi, po ashtu i financuar nga Banka Botërore, është duke ecur me hapa të shpejtë. Ajo çfarë është e rëndësishme, sidomos për pjesën e pushtetit vendor nga pikëpamja politikëbërjes, është dashbordi i cili do të krijohet nëpërmjet këtij sistemi për të kuptuar në kohë reale se si është situata financiare në çdo bashki të vendit. Dhe për të parë më mirë, jo vetëm alokimin e burimeve të qeverisë qendrore, por në të njëjtën kohë për të bërë politika edhe për t’i ardhur në ndihmë vetë bashkive në nivel lokal. Po ashtu, TALGA tashmë e ngritur me kapacitete të plota do të jetë një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbështetur tranzicionin, po e quajmë, që do të vijë si rrjedhojë e reformës territoriale.

Kuptohet që këtu ne kemi mbështetjen e një sërë partnerëve të cilët tashmë janë të gatshëm të mbështesin të gjitha politikat që duhet të marrin jetë pas reformës territoriale. Ne e dimë të gjithë, e kemi kaluar këtë në 2015-ën, e dimë se sa sfiduese është faza e parë e tranzicionit dhe të gjitha instrumentat që ministria ka në dispozicion, duke filluar me atë që ka të bëjë me kapacitetet, që është Akademia e Pushtetit Vendor, e cila tashmë ka të gjithë burimet e nevojshme për të garantuar rritjen e kapaciteteve në nivel vendor dhe për të bërë të gjitha ato ndërhyrje që duhen, në bazë të nevojave specifike që do të kenë bashkitë, me një fokus të veçantë të bashkive që janë prekur nga reforma, nga reforma territoriale. Dhe siç e përmenda, këtu po ashtu ne kemi mbështetjen e partnerëve të ndryshëm, duke filluar me ata zvicerianë, suedezë, hollandezë, delegacioni po ashtu, të cilët do të mbështesin këtë tranzicion për sa i përket reformës territoriale.

Unë besoj që ajo çfarë ne do të presim nga reforma patjetër efektet do të jenë pozitive, por do të jenë të shtrira në kohë. Reforma hyn në fuqi pothuajse në mes të vitit buxhetor, pas zgjedhjeve lokale, vetvetiu viti 2027 do të jetë një vit tranzicioni për administratat, për buxhetet, sepse edhe buxhetet që ne tashmë do të alokojmë nëpërmjet buxhetit të shtetit, ato do të transferohen në një moment të caktuar te bashkitë e reja, dhe ne jemi të fokusuar që 2027 të jetë një vit që të eci me shpejtësi për sa i përket konsolidimit të bashkive të reja dhe të qenit gati për sa i përket planifikimeve që do të duhet të kenë për vitin 2028.

Siguria dhe besimi i qytetarëve – standardi me të cilin duhet të matemi

Të nderuar deputetë,  dua të theksoj se siguria publike në përmbyllje të fjalës sime nuk mund të matet vetëm me numrin e automjeteve, pajisjeve apo madhësinë e buxhetit. Ajo duhet të matet me rezultate konkrete, me aftësinë për të parandaluar kriminalitetin, me sigurinë në shkolla, me hapësira publike, në reagim në kohë ndaj shqetësimeve qytetare, me profesionalizmin e punonjësve të policisë dhe mbi të gjitha me besimin që qytetarët kanë tek institucionet e sigurisë. Një polici e fortë është një polici që zbaton ligjin, mbron qytetarin dhe respekton të drejtat e tij. Forca e institucioneve nuk qëndron vetëm te kapaciteti për të ndërhyrë, por edhe te aftësia për të vepruar me profesionalizëm vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet.

Në përfundim, projektbuxheti 2027 përcakton burime financiare për një sërë angazhimesh të rëndësishme për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai parashikon rritjen e pagave për punonjësit e policisë, modernizimin e kapaciteteve operacionale, investime në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe rritjen e mbështetjes financiare për pushtetin vendor.

Po dua ta mbyll me një parim të thjeshtë, qytetarët nuk presin prej nesh vetëm buxhete më të mëdha, ata presin institucione që funksionojnë më mirë. Presin siguri në rrugët dhe qytetet tona, mbrojtje për familjet dhe fëmijët, dhe respekt për të drejtat e tyre dhe shërbimet publike që u përgjigjen në kohë. Dhe ne si Ministri e Punëve të Brendshme jemi të fokusuar te këto parime dhe për të garantuar absolutisht institucionet që funksionojnë më mirë dhe patjetër shërbime më të mira kundrejt qytetarëve dhe të fitojmë dita ditës respektin dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë në vend. Faleminderit.

Disa ndërhyrje dhe përgjigje të ministrit për anëtarët e Komisionit:

Përgjigje për deputetin Kapri

Ministri Demo: Faleminderit, Kryetar i Komisionit! Në fakt, 2-3 sqarime do më duhet t’i bëj, sepse besoj që janë të rëndësishme. Së pari, e vetmja gjë që kishte të bënte me buxhetin ishte referimi që iu bë rritjes së pagave, me një kontekst po e quajmë negativ, duke e lidhur me protestat. Do më duhet ta sqaroj që, në fakt, që në ditën e parë që unë kam marrë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme, një nga gjërat e para që ne jemi marrë ka qenë pikërisht politika e rritjes së pagave. Në fakt, e kemi bërë publike atë që përpara protestave, thjesht për të sqaruar qasjen e qeverisë shqiptare për sa i përket pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Dhe unë jam i bindur që, dhe unë jam i bindur, që kjo politikë pagash është e domosdoshme për të garantuar, në të njëjtën kohë, trajtimin me dinjitet të punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe për të kërkuar më shumë profesionalizëm për sa i përket ushtrimit të detyrës.

Policia e Shtetit përdor të gjithë ato elementë që janë të miratuar, manuale dhe vendime që kanë të bëjnë me funksionimin e Policisë së Shtetit. Dhe unë jam i bindur që kjo është ajo çfarë ka ndodhur. Por unë do t’i kërkoja të nderuarit deputet që, kur flasim për dhunën, dhuna duhet dënuar nga cilido që ushtron atë. Kur ne flasim për ruajtjen dhe sigurinë publike të institucioneve, të bizneseve private, e të tjerë me radhë, unë besoj që kjo duhet të jetë një kërkesë që duhet ta ndajmë të gjithë së bashku.

Unë e kam përmendur disa herë, Policia e Shtetit është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar të drejtën kushtetuese të kujtdo që do të protestojë paqësisht. Por është e padrejtë që ne, në kuadër të kësaj të drejte, të mbrojmë edhe dhunën, që është, me doza të tejskajshme që mund të japin dëmtime të rënda, siç kanë dhënë tek punonjësit e Policisë së Shtetit.

Standardi jonë është shumë i thjeshtë. Ne sot kemi 9 punonjës policie të pezulluar për raste specifike dhe veprime individuale që punonjësit e Policisë kanë ndjekur. Janë rreth 50 raste të cilat janë nën hetim nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore. Dhe po në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit, AMP-ja, është duke bashkëpunuar me Prokurorinë për ato raste që janë të referuara në Prokurori. Standardi jonë është një dhe i vetëm. Ne jemi të hapur kundrejt çdo hetimi, dhe në të njëjtën kohë jemi po aq të vendosur që t’i shkojmë në fund të gjitha rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo institucioneve. Ky është standardi. Ky është një standard ligjor që, në fakt, në këtë sallë ne duhet ta mbështesim të gjithë. Ndaj, besoj fort që ajo çfarë ne parashikojmë në buxhetin e vitit 2027 është pikërisht kjo: mbështetja më e madhe për Policinë e Shtetit, qoftë me pagat, por edhe me të gjithë logjistikën e nevojshme për të ushtruar funksionet e saj dhe për të garantuar nivele më të larta të profesionalizmit në ushtrimin e funksioneve që ka Policia e Shtetit. Faleminderit!

Përgjigje për deputetin Rexha

Ministri Demo: Në fakt, për rritjen e pagave të gardës. Tashmë është duke u trajtuar politika e pagave për struktura të ndryshme, të cilat janë buxhetore, në tërësi, nëpër institucione të ndryshme. Dhe patjetër që ne gjatë vitit 2027 do të kemi një politikë të re pagash për sa i përket, duke filluar në rastin e Gardës së Republikës, që është pjesë e Ministrisë së Brendshme. Më duhet ta theksoj që, nga pikëpamja buxhetore, ajo çfarë ne arritëm me Policinë e Shtetit, unë besoj që në të njëjtën kohë është edhe një standard i ri, i cili do të jetë si referencë më pas edhe për strukturat e tjera. Aq më tepër për strukturat që kanë të bëjnë me hierarkinë e gradave e të tjerë me radhë. Por më duhet të përmend, në fakt, shumë shpejt ne do të trajtojmë punonjësit e Gardës së Republikës me, bonuse specifike, duke filluar, besoj që këtë javë, përsa i përket, trajtimit të tyre financiar brenda vitit 2026. Do të kemi disa risi, por që do të bëhen publike në momentin e përshtatshëm, për sa i përket pagave që do të marrin, suplementare, që do të marrin brenda vitit 2026.  Faleminderit!

Përgjigje për deputetin Pendavinji

Ministri Demo: Në lidhje me Gjendjen Civile, në fakt ne jemi duke e trajtuar, disa raste specifike. Kemi edhe në zonën e Durrësit, zonën e Sukthit apo Manzës, situata të ngjashme. Jemi duke bërë një vlerësim për të gjithë territorin dhe besoj që brenda kapaciteteve dhe burimeve që ne kemi në dispozicion, mund të bëjmë axhustimet e duhura. Po, jam në fakt në dijeni edhe kolegia juaj, që është ngjitur, ka të njëjtin shqetësim. Edhe jemi duke e trajtuar pak a shumë situatën, duke bërë një vlerësim në të gjitha rastet dhe pastaj të shohim si do të jetë vendimi përfundimtar. Po, jemi në dijeni të kësaj dhe jemi duke e trajtuar. Faleminderit!

Përgjigje për deputetin Hasalla

Ministri Demo: Së pari, ne e mirëpresim ngritjen e Komisionit për sa i përket vlerësimit të situatës nga pikëpamja jo thjesht e decentralizimit, por funksioneve specifike se si ato janë përthithur dhe trajtuar në territor. Unë besoj se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e Reformës. Reforma Territoriale nuk mund të jetë thjesht ajo çfarë ne tashmë kemi fakt, që është një hartë e re, por duhet shoqëruar më pas me një trajtim shumë të qartë për sa i përket funksioneve që bashkitë kanë. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që, në bazë të analizës së funksioneve, nëse funksionet e reja do t’i delegohen pushtetit vendor, patjetër që ato të jenë efektive, dhe aq më tepër të jenë në favor të shërbimeve që marrin qytetarët. Patjetër duhet një mbështetje financiare. Por kjo do të bëhet në bazë të analizës së Komisionit. Ne do të jemi në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Posaçëm për sa i përket, le të themi, rishikimit në tërësi të të gjitha funksioneve dhe ekosistemit që ka pushteti vendor. E patjetër që jemi këtu për të garantuar rritjen e cilësisë së shërbimeve në territor dhe kurrsesi këto nuk mund të arrihen në qoftë se funksionet nuk janë të qarta dhe të mbështetura financiarisht ashtu siç duhet.