Ministria e Punëve të Brendshme

REAGIMI – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, bëri të qartë se ndotja akustike nuk do të tolerohet gjatë sezonit turistik, duke theksuar se qetësia e qytetarëve dhe turistëve është një e drejtë që duhet respektuar. Në një reagim në rrjetet sociale, shoqëruar me pamje të kontrolleve policore, Lamallari u shpreh se “zhurma nuk është argëtim dhe kurrsesi nuk mund të jetë shqetësim për askënd që zgjedh të pushojë në vendin e tij apo për turistët që zgjedhin bukuritë e bregdetit shqiptar, jo decibelët shurdhues.”

Ministri bëri të ditur se Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet në të gjithë territorin për të evidentuar dhe ndëshkuar çdo rast të ndotjes akustike, në zbatim të ligjit.

“Kë gënjen mendja se mund të bëjë ç’të dojë me muzikën në kupë të qiellit duke shqetësuar komunitetin dhe turistët, ka qytetarët kundër dhe ‘vizitorët’ me uniformë te dera e lokalit,” u shpreh Lamallari.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke telefonuar në numrin 129 për të raportuar çdo rast të shqetësimit nga zhurmat, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të sigurt për të gjithë.