Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Programi i qeverisë shqiptare për mbështetjen me kredi me 0% interes bankar po u jep mundësi punonjësve që shërbejnë për sigurinë e vendit dhe qytetarëve të realizojnë një nga nevojat më të rëndësishme për familjet e reja: blerjen e shtëpisë së parë.

Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, sjell shembullin e Xhestinës, punonjëse e Policisë së Shtetit, e cila tashmë ka siguruar shtëpinë e parë për familjen e saj, falë programit të qeverisë shqiptare për kreditë me 0% interes.

“Nëse i shërbeni sigurisë së vendit dhe qytetarëve, mundi dhe sakrifica juaj dhe e familjes tuaj, shpërblehet!”, shprehet ministri Lamallari, duke nënvizuar mbështetjen konkrete për ata që çdo ditë janë në shërbim të sigurisë publike.

Programi është i aksesueshëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët plotësojnë kriteret përfituese.

Ministri Lamallari u ka bërë thirrje punonjësve që plotësojnë kriteret të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar. Aplikimet janë të hapura deri më 25 shtator.

Kjo nismë është një mbështetje konkrete për punonjësit e strukturave të sigurisë, duke synuar përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe të familjeve të tyre, në vlerësim të kontributit, përkushtimit dhe sakrificës së tyre në shërbim të qytetarëve dhe vendit.