Ministria e Punëve të Brendshme

REAGIMI – Policia e Shtetit vijon kontrollet dhe ndërhyrjet në terren për evidentimin dhe ndalimin e personave që shkaktojnë zjarre, duke vënë në rrezik jetën e banorëve, forcave operacionale, pronën private dhe pasurinë publike. Një tjetër rast i zjarrvënies së qëllimshme është goditur në Mirditë, ku Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë një 62-vjeçar, i cili dyshohet se kishte ndezur 6 vatra zjarri. Ai kishte edhe precedentë të mëparshëm për zjarrvënie.

Duke reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari thekson se çdo person që vë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve duhet të përballet me forcën e plotë të ligjit.

“Ne po ndjekim çdo zjarrvënës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje që ligji të zbatohet me forcën e plotë ndaj tyre. Drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund!”, shprehet ministri Lamallari.

Ministri u bën thirrje organeve të drejtësisë që rastet e zjarrvënieve të trajtohen me seriozitetin maksimal, ndërsa qytetarëve u kërkon të mos tolerojnë as zjarrvëniet e qëllimshme dhe as ato të shkaktuara nga pakujdesia.

“Mos lejoni ndezjen e zjarreve qoftë dhe nga pakujdesia dhe mos toleroni ata që e bëjnë këtë!”, apelon ministri.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet në çdo rast të evidentuar, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Çdo qytetar që konstaton një rast zjarrvënieje apo një situatë që rrezikon jetën dhe pronën, duhet të telefonojë në 112 dhe ta denoncojë menjëherë në Polici.