Ministria e Punëve të Brendshme

Akademia e Sigurisë – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në fjalën drejtuar studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, vuri theksin te përgjegjësia që mbart brezi i ri i Policisë së Shtetit dhe nevoja për një polici moderne, profesionale dhe me integritet. Demo theksoi se uniforma e shtetit është përgjegjësi dhe jo privilegj, ndërsa autoriteti i dhënë nga ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. “Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet”, tha ai.

Ministri nënvizoi se qytetari duhet të jetë në qendër të punës së Policisë së Shtetit dhe se ligji vlen njëlloj për të gjithë, pa dallim statusi, lidhjeje, bindjeje apo pozite, duke kërkuar zero kompromis me korrupsionin. Sipas Demo, sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një polici të mbështetur te dija, teknologjia, përgatitja profesionale dhe parandalimi, pasi krimi po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar.

Një tjetër element i rëndësishëm i standardit të ri lidhet me trajtimin dhe vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ministri Demo bëri të ditur se rritja e pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit është në rrugë të mbarë, duke paralajmëruar një rritje të konsiderueshme. “Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë përsa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, evidentoi Demo.

Sipas ministrit, ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një standardi të ri për trupën e Policisë, duke kombinuar përgjegjësinë profesionale me vlerësimin dhe mbështetjen që punonjësit meritojnë.

“Një standard i ri unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.

Demo e lidhi këtë proces edhe me objektivin e integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria synon të përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda vitit 2027, çka kërkon ngritjen e standardeve edhe në Policinë e Shtetit. Në përfundim, ministri vlerësoi rolin e Akademisë së Sigurisë dhe stafit akademik, duke kërkuar një “kërcim cilësie” për ta sjellë formimin e policëve në përputhje me sfidat e kohës.

“Kombinimi i faktorit të ardhmes që jeni ju me eksperiencën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici Shteti, e cila do të plotësojë të gjitha standardet që ne do të donim për të ardhmen e vendit. Sot do të doja t’ju uroja shumë suksese në këtë rrugëtim. Do të doja të përgëzoja edhe stafin akademik, sepse kjo është një ditë feste gjithmonë kur institucionet e arsimit të lartë kanë ditën e parë të universitetit. E mbaj mend shumë mirë sepse e kam përjetuar, pasi kam qenë 15 vjet pjesë e stafit akademik të Universitetit të Tiranës. Besoj që po ashtu kjo ditë, është një ditë e cila vlen për të projektuar atë çfarë ne duam të bëjmë, qoftë dhe me Akademinë e Policisë së Shtetit, për ta ngritur atë në nivele të tjera për ta transformuar jo thjesht nga pikëpamja e infrastrukturës, por mbi të gjitha për ta sjellë Akademinë e Policisë së Shtetit në atë çfarë koha kërkon dhe atë çfarë ne kemi punuar dhe e gjithë stafi akademik dhe gjithë drejtuesit të gjithë zinxhir drejtuesve të Policisë së Shtetit ka punuar deri tani”, u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.

Fjala e plotë e ministrit Demo:

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Të nderuar partnerë, anëtarë të stafit akademik, të dashur studentë,

Shumë gjëra u përmendën, por besoj se kjo është një ditë shumë e rëndësishme, jo thjesht për secilin prej jush, por mbi të gjitha sepse këtu, përpara nesh, sot është e ardhmja e Policisë së Shtetit. Sido që ne ta analizojmë dhe ta projektojmë Policinë e Shtetit, duke përfshirë qoftë edhe teknologjinë, është e pamundur të arrijmë atje ku duhet pa pasur faktorin më të rëndësishëm, që jeni ju. Dhe unë besoj se kjo në vetvete mbart një përgjegjësi shumë të madhe, duke filluar nga Akademia, nga stafi akademik, por patjetër edhe ju mbartni një përgjegjësi po aq të madhe. Ju jeni përzgjedhur mes një numri shumë të lartë aplikantësh dhe jeni përzgjedhur në mënyrë shumë selektive. Kjo në vetvete tregon jo vetëm se ne kemi garanci më të larta sa i përket cilësisë së studentëve që janë rekrutuar, por mbi të gjitha kemi edhe pritshmëri shumë më të larta.

Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Dhe autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. Respekti për uniformën e Policisë fitohet çdo ditë. Ai nuk jepet automatikisht nga qytetarët, por duhet fituar përmes sjelljes dhe veprimit tonë të përditshëm. Kjo është një detyrë që duhet ta përmbushim të gjithë së bashku, sidomos trupa e Policisë. Qytetari është në qendër, sepse ne jemi të gjithë këtu për t’i shërbyer interesave kombëtare dhe, patjetër, interesave të qytetarëve të vendit. Ligji vlen njëlloj për të gjithë, pa dallim statusi, lidhjeje, bindjeje apo pozite. Integriteti dhe toleranca zero ndaj korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative duhet të jenë parime të panegociueshme, sidomos në një shoqëri që ka kaluar sfidat e tranzicionit.

Policia moderne kërkon dije më shumë se kurrë, sepse koha në të cilën jetojmë dhe vetë mënyra se si shfaqet krimi janë bërë shumë më të sofistikuara. Teknologjia është pjesë e pandashme e kësaj sfide. Prandaj kjo kërkon detyrimisht burime njerëzore në radhët e Policisë që u përgjigjen këtyre sfidave të kohës. Parandalimi është më i rëndësishëm sesa reagimi. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e jashtëzakonshme e trupës së Policisë së Shtetit. Disiplina, përgatitja fizike dhe psikologjike, siç u përmend nga rektori dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, janë pjesë e ADN-së suaj dhe ju duhet t’i mbartni ato çdo ditë që jeni në auditore, çdo ditë që ndërveproni me stafin akademik. Mbështetja e shtetit për Policinë duhet të jetë gjithmonë e pranishme.

Dhe unë jam i bindur se, duke marrë në konsideratë aspiratat që ka vendi ynë, sidomos kur flasim për procesin e integrimit evropian, ne jemi duke ecur me hapa shumë të shpejtë dhe, brenda vitit 2027, synojmë të përmbyllim të gjithë kapitujt e negociatave. Kjo kërkon detyrimisht ngritjen e standardeve në të gjitha institucionet publike, përfshirë Policinë e Shtetit. Patjetër që ju jeni pjesë e këtij rrugëtimi dhe një pjesë shumë e rëndësishme e tij. Besoj se shumë shpejt, duke filluar me politikën e pagave, dhe po e them edhe këtu sot zyrtarisht, ne jemi në rrugë të mbarë sa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Dhe do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj, ditën që ju do të dilni në detyrë, do të trajtoheni më mirë se paraardhësit tuaj.

Një standard i ri, besoj unë, fillon nga brezi i ri. Dhe jam i bindur se ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj që ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur përvojën e ndërtuar ndër vite në Policinë e Shtetit, duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara dhe duke vlerësuar gjithçka që është arritur me shumë mund, edhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata që kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit.

Por kombinimi i potencialit të së ardhmes, që jeni ju, me përvojën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici të Shtetit që do të përmbushë standardet më të larta që ne dëshirojmë për të ardhmen e vendit.

Prandaj, sot do të doja t’ju uroja shumë suksese në këtë rrugëtim. Do të doja gjithashtu të përgëzoja stafin akademik, sepse kjo është gjithmonë një ditë feste kur institucionet e arsimit të lartë nisin vitin e ri akademik. E mbaj mend shumë mirë këtë emocion, sepse për 15 vjet kam qenë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Tiranës.

Besoj se kjo ditë është gjithashtu një mundësi për të projektuar atë që ne duam të realizojmë me Akademinë e Policisë, për ta ngritur atë në nivele të reja, për ta transformuar jo vetëm nga pikëpamja e infrastrukturës, por mbi të gjitha për ta sjellë në nivelin që kërkon koha. Kjo është një punë për të cilën kanë kontribuar stafi akademik, drejtuesit e Akademisë dhe i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit. Por sot ne duhet të bëjmë një hap të madh cilësor, për të ndërtuar një akademi edhe më moderne dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për vendin tonë.

Faleminderit! Suksese të gjithëve dhe ju uroj një vit të mbarë akademik!