Ministria e Punëve të Brendshme

Shkodër – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo vizitoi shkollën “Kolë Idromeno” në Shkodër, e cila pas rikonstruksionit të plotë ofron kushte moderne për rreth 400 nxënës dhe mësues. Demo theksoi se investimet në infrastrukturën arsimore ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e sigurisë në shkolla, duke krijuar ambiente më të sigurta dhe duke ndihmuar Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë në të gjithë perimetrin e shkollës.

“Investimet në infrastrukturë, sidomos në shkolla, rrisin sigurinë dhe bëjnë edhe punën e Policisë së Shtetit më të lehtë për të garantuar gjithë perimetrin e sigurisë”, u shpreh Demo.

Ministri u ndal edhe te rëndësia e bashkëpunimit mes shkollës, familjes, institucioneve dhe Policisë së Shtetit, duke e konsideruar sigurinë e fëmijëve një përgjegjësi të përbashkët. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, vlerësoi gjithashtu se organizimi dhe infrastruktura e një shkolle ndikojnë në rritjen e sigurisë së nxënësve, duke nënvizuar bashkëpunimin me qeverinë dhe Policinë e Shtetit. Shkolla më të mira, ambiente më të sigurta dhe më shumë kujdes për fëmijët.

“Siguria e rrethimit e organizimit të një shkolle të strukturuar, e rrit sigurinë e nxënësve”, theksoi Beci.