Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar në edukimin dhe punën me të rinjtë janë certifikuar për çështjet e sigurisë në shkolla, në përfundim të një cikli trajnimesh të zhvilluara nga Programi SCPA, në bashkëpunim me Sektorin e Policimit në Komunitet, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe platforma “Help4You”, tashmë e disponueshme në gjuhën shqipe. E krijuar nga Europol dhe e sjellë për nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë falë bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Projektit Suedez për Policimin në Komunitet, platforma synon të ofrojë informacion, këshillim dhe mbështetje për rastet e dhunës dhe shqetësimet që të rinjtë hasin në hapësirën digjitale.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave morën pjesë zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të cilët vlerësuan rolin e punonjësve të Policisë në zbatimin e Paketës Kombëtare të Sigurisë në Shkolla dhe në forcimin e bashkëpunimit me nxënësit, prindërit dhe komunitetin.

Zëvendësministrja Ruseti vlerësoi angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në sigurinë në shkolla, duke theksuar se investimi në mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve mbetet një prioritet i përbashkët institucional. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së numrit të grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit, si një faktor që ka ndikuar pozitivisht në krijimin e besimit dhe raportimin e hershëm të problematikave nga nxënësit.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se punonjësit e Policisë që veprojnë në shkolla janë një urë lidhëse mes institucionit dhe brezit të ri, duke kontribuar në ndërtimin e besimit, promovimin e respektit për ligjin dhe parandalimin e fenomeneve të dhunës dhe sjelljeve antisociale.

“Mos e shihni veten thjesht si punonjës policie që zhvillojnë një orë edukimi në shkollë. Shiheni veten si një pikë referimi për nxënësit, si persona te të cilët ata mund të drejtohen pa frikë, për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje”, u shpreh Drejtori Hita.

Drejtori i Programit SCPA, Ansi Shundi, theksoi se trajnimet synojnë të forcojnë njohuritë e punonjësve të Policisë mbi Paketën Kombëtare të Sigurisë në Shkolla, të qartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira, si dhe të përmirësojnë mekanizmat e referimit dhe raportimit të rasteve ndërmjet Policisë, shkollës, prindërve dhe strukturave të mbrojtjes së fëmijëve.

Trajnimi është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në shkolla dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve.