Ministria e Punëve të Brendshme

MARRËVESHJA – Pasuritë e konfiskuara në shërbim të së mirës publike, përmes një partneriteti që synon të kthejë asetet në mbështetje konkrete për qytetarët në nevojë. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe Caritas Shqiptar kanë konkretizuar bashkëpunimin mes tyre përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje për mbështetje me materiale, me synimin që pasuritë e konfiskuara të vihen në funksion të komuniteteve dhe shtresave vulnerabël.

Marrëveshja përfaqëson një hap drejt përdorimit me qëllim social të pasurive të konfiskuara, duke krijuar mundësi që ato të shndërrohen në mbështetje konkrete për individët dhe familjet në nevojë, si dhe për komunitetet që kanë nevojë për më shumë përkujdesje. Gjatë takimit, kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja dhe Maria Neyman, Sekretare e Përgjithshme e Caritas Europe, vlerësuan rëndësinë e këtij partneriteti dhe ndikimin pozitiv që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave me mision social mund të sjellë për shoqërinë.

Përmes kësaj nisme, AAPSK synon të forcojë dimensionin social të administrimit të pasurive të konfiskuara, duke nxitur bashkëpunimin me organizatat që punojnë drejtpërdrejt me grupet në nevojë dhe duke promovuar përdorimin e këtyre pasurive në funksion të interesit publik. Nga konfiskimi tek e mira publike: pasuritë marrin një qëllim të ri, duke u kthyer në mundësi për më shumë mbështetje, solidaritet dhe përkujdesje për komunitetin.

#OneStepCloser