Ministria e Punëve të Brendshme

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2025

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2024

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2023

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2022

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2021

Përmbledhje ekzekutive

Me misionin për të garantuar një mjedis të sigurt për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë përmes forcimit të rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të shërbimeve cilësore dhe mbrojtjes së territorit me struktura profesionale e me integritet që veprojnë në përputhje të plotë me ligjin dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe në përputhje me programin politik të Qeverisë, Ministria e Brendshme do të thellojë masat për garantimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore në fushën e punëve të brendshme, për t’i shërbyer me përkushtim e profesionalizëm interesit publik dhe për të përmbushur angazhimet rajonale e ndërkombëtare të vendit.

Strukturat e Ministrisë së Brendshme, brenda fushave të tyre të përgjegjësisë, do të jenë me prioritet në gatishmëri të plotë për çdo situatë që lidhet me jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Duke qënë fusha e veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme e gjerë dhe diverse, synimi i Ministrisë së Brendshme këtë vit është një qasje gjithëpërfshirëse në punët e brendshme, me më shumë koordinim dhe angazhime të përbashkëta ndërmjet strukturave të varësisë.

Kryefjalë në punët e brendshme do të jetë inovacioni dhe teknologjia. Ministria e Brendshme synon krijimin e një kulture për inovacion brenda strukturave, mbështetur me mjete pune teknologjike, me qëllim ofrimin e shërbimeve gjithmonë e më “smart”, përfshirë këtu edhe sigurinë publike, duke mundësuar kështu një balancë më të mirë mes kësaj të fundit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Do të vijojë goditja dhe ndëshkimi i pakompromis i grupeve dhe organizatave kriminale dhe do të hetohet mbi çdo pasuri, të luajtshme dhe të paluajtshme, të krijuar nga të ardhurat e tyre. Për këtë, do të vazhdojë me prioritet konsolidimi i njësive të posaçme të ngritura kundër krimit të organizuar, do të rritet aksesi i Policisë së Shtetit në databazat e institucioneve shtetërore dhe do të shtrihet bashkëpunimi e veprimi ndërinstitucional. Lufta kundër krimit e udhëhequr nga inteligjenca dhe kryerja e hetimeve proaktive do të jenë qasja kryesore në këtë përpjekje. Destinacioni kryesor i pasurive të konfiskuara dhe të sekuestruara do të jetë kthimi tek komuniteti – kalimi i tyre i shpejtë për qëllime sociale e interesa publike, ndërkohë do të përmirësohet administrimi i tyre dhe mënyra e operimit deri në daljen e vendimeve përfundimtare për to.

Strukturat përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik do të intensifikojnë bashkëpunimin me komunitetin, në interes të vlerësimit më të mirë të rreziqeve dhe për ndërmarrjen e veprimeve proaktive. Axhenda e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike dhe komunikimi i përmirësuar me publikun do të jenë faktorë të rëndësishëm që do të drejtojnë veprimtarinë e PSH-së. Kontrolli i plotë i territorit, mbrojtja e mjedisit dhe pyjeve do të garantohet nëpërmjet veprimeve të përbashkëta të Policisë së Shtetit dhe të IKMT-së.

Për të realizuar lëvizjen e lirë ndërkufitare të qytetarëve dhe mallrave, fokusi do të jetë në rritjen e sigurisë kufitare duke standartizuar ndërtimin dhe operimin e Pikave të Kalimit Kufitar (PKK) bazuar në standartet e BE dhe duke rritur forcën zbuluese kundër krimit ndërkufitar. Këtij objektivi do t’i shërbejë riorganizimi i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, implementimi i projektit IPA për modernizimin e kontrollit të kufijëve tokësore e detare si dhe ndërtimi i pikave të përbashkëta kufitare me vendet fqinj. Për një menaxhim efikas të fenomenit të migracionit dhe azilit do të aplikohen procedura të përshpejtuara në kufi, synohet të ngrihen kapacitete pritëse në afërsi të tij dhe do të punohet për nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e origjinës.

Do të vijojnë reformat për forcimin e institucioneve, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e menaxhimit të tyre. Implementimi i strukturave të sapomiratuara për një numër institucionesh përfshirë aparatin e Ministrisë së Brendshme, riorganizimi strukturor i Policisë së Shtetit, transformimi i Akademisë së Sigurisë, Institutit të Policisë Shkencore dhe i AMP-së si dhe plotësimi i kuadrit ligjor, nënligjor e normativ do të jenë ndër masat kryesore që mbështesin proceset e mësipërme reformuese.

Përmirësimi i shërbimeve ndaj publikut do të mundësohet nga rritja e numrit të shërbimeve online dhe zgjerimi i spektrit të tyre, informatizimi i proceseve të prokurimit publik, konsolidimi i kapaciteteve të MZSH në stacionet e krijuara kohët e fundit, por edhe me gjerë. Niveli i synuar i këtyre shërbimeve do të mundësohet duke ndërtuar infrastrukturën e duhur digjitale, procedura funksionale veprimi dhe standartizim të organizimit e veprimit të institucioneve.

Ministria e Brendshme mbart një rol të dorës së parë sa i takon edhe procesit kombëtar të integrimit evropian.

Përmbushja e këtyre prioriteteve do të mundësohet nëpërmjet përkushtimit dhe profesionalizmit nga ana e punonjësve dhe drejtuesve të institucioneve, për të cilët sigurojmë një mjedis pune me stabilitet, dinjitet dhe mundësi rritje meritokratike në karrierë.