Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Në kuadër të bashkëpunimit me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit (TCT) dhe Observatorin e Sigurisë Rrugore për Vendet e Ballkanit Perëndimor (WBRSO) u zhvillua aktiviteti për lançimin e fushatës rajonale të ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore “Një Moment për Jetën” (“A Moment for Life”). Fushata synon të promovojë një kulturë më të mirë të sigurisë rrugore, me fokus përdorimin e rripave të sigurimit, sistemeve të mbrojtjes për fëmijët në automjete dhe helmetave për drejtuesit e mjeteve me dy rrota.

Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të fushatës “A Moment for Life”, që synon ndërgjegjësimin dhe rritjen e sigurisë rrugore, përmes përgjegjësisë së institucioneve dhe qytetarëve. Në fjalën e saj, zv.ministrja Ruseti theksoi se siguria rrugore është një prioritet i rëndësishëm në vizionin “Shqipëria 2030”, duke nënvizuar se zhvillimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me masa konkrete për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Ajo vuri në dukje progresin e bërë ndër vite në uljen e viktimave nga aksidentet rrugore, duke sjellë në vëmendje se, nga viti 2010 deri në vitin 2025, numri i viktimave është pothuajse përgjysmuar, ndërsa të dhënat e INSTAT-it për vitin 2025 tregojnë një ulje prej 17.5% të numrit të aksidenteve krahasuar me një vit më parë.

“Një jetë e humbur në rrugë duhet të përjetohet si një tragjedi, e cila do të mund të ishte parandaluar. Ndaj edhe kjo çështje për ne ka një prioritet absolut”, u shpreh Ruseti.

Në këtë drejtim, ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030, përmes bashkërendimit të institucioneve, investimeve që reduktojnë rrezikun dhe zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë përdoruesit e rrugës. Një vëmendje e veçantë, sipas zv.ministres, duhet t’u kushtohet përdoruesve më të pambrojtur, veçanërisht fëmijëve, të moshuarve dhe këmbësorëve, përmes përmirësimit të infrastrukturës pranë shkollave, ndriçimit, sinjalistikës dhe respektimit të kufizimeve të shpejtësisë.

Ruseti nënvizoi gjithashtu se Ministria e Punëve të Brendshme synon të forcojë rolin e Policisë së Shtetit në parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë, duke theksuar se askush nuk duhet të përfitojë trajtim të privilegjuar përballë ligjit, pavarësisht emrit, detyrës apo njohjeve. Në funksion të këtij objektivi, ajo prezantoi edhe kontributin e projektit “Smart City”, i cili parashikon vendosjen e mbi 5 mijë kamerave, përfshirë rreth 3 mijë kamera të tipit rrugor, si dhe radarë e sensorë, me synim identifikimin më të shpejtë të rreziqeve, përmirësimin e reagimit policor dhe rritjen e transparencës. Në përfundim, zv.ministrja Ruseti vlerësoi rëndësinë e fushatës “A Moment for Life” në ndërgjegjësimin e qytetarëve për përgjegjësinë individuale në trafik, duke veçuar përdorimin e rripit të sigurimit, ulëseve të posaçme për fëmijët dhe kaskave mbrojtëse.

“Fëmijët mësojnë edhe nga sjellja jonë. Kur na shohin të respektojmë rregullat, të ndalojmë për këmbësorët dhe të kujdesemi për të tjerët, u japim një shembull që do ta marrin me vete. Përgjegjësia ndaj brezit të ardhshëm fillon këtu”, theksoi ajo.

Fushata “A Moment for Life” synon të forcojë kulturën e sigurisë rrugore dhe të përcjellë mesazhin se mbrojtja e jetës në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët, që kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe qytetar.

Fjala e plotë: Shqipëria që duam të ndërtojmë është një vend ku njerëzit kanë besim të punojnë, të investojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre. Ky besim mbështetet së pari në pritshmëritë themelore, se jeta e tyre duhet të jetë e sigurt dhe detyra për ta siguruar këtë është vetëm e jona.

Për këtë arsye, siguria rrugore në vend ka një rëndësi të veçantë në vizionin e Shqipërisë 2030. Rrugët lidhin qytetet, hapin mundësi ekonomike dhe i afrojnë njerëzit më shumë me njëri-tjetrin. Siguria e atyre që përdorin këto duhet të jetë pjesë e një vendimi, i një projektimi, të një rruge dhe mënyrës se si zbatohet ligji.

Zhvillimi duhet t’i japë njerëzve më shumë mundësi, por edhe më shumë siguri në përditshmërinë e tyre. Shqipëria ka bërë një përparim të rëndësishëm në këtë drejtim. Që nga viti 2010 deri në vitin 2025, numri i viktimave nga aksidentet rrugore pothuajse është i përgjysmuar. Ky është një progres i rëndësishëm në një periudhë kur numri i makinave është dyfishuar.

Edhe në të dhënat e INSTAT-it për vitin 2025 tregojmë një ulje prej 17.5% të numrit të aksidenteve krahasuar me vitin 2024. Por ambicia jonë është ta kthejmë përparimin afatgjatë në një ulje të qëndrueshme të humbjeve të jetëve, të të lënduarve vit pas viti. Sepse një jetë e humbur në rrugë duhet të përjetohet si një tragjedi, e cila do të mund të ishte parandaluar, ndaj edhe kjo çështje për ne ka një prioritet absolut.

Kemi nevojë për vendime që ndryshojnë sjelljen në rrugë, për investime që ulin rrezikun dhe sigurisht, për institucionet që punojnë së bashku edhe më fort për realizimin e tyre. Strategjia Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026-2030 na jep një kuadër shumë të mirë për këtë punë. Detyra jonë është ta lidhim zbatimin e saj me buxhetet, me përgjegjësitë e institucioneve dhe me rezultatet për qytetarët që mund t’i shohin dhe t’i prekin.

Një shtet që kujdeset për njerëzit e përqendron vëmendjen veçanërisht tek ata që janë më të pambrojtur. Fëmija që kalon rrugën për të shkuar në shkollë, i moshuarit që lëviz në lagje apo këmbësori që pret të kalojë në vijat e bardha, aty ku ata kanë nevojë më shumë për mbrojtje. Kjo kërkon që qytetet e rrugës t’i mendojnë duke u nisur nga njerëzit që i përdorin ata. Një kalim i rrugës pranë shkollës, ndriçimi, sinjalistikat dhe shpejtësia e përshtatshme, janë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e një komuniteti dhe mbi të gjitha në sigurinë e tyre.

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme, kjo do të thotë një polici që i njeh problemet e zonës ku shërben, dëgjon qytetarët dhe ndërhyn në kohë. Kur banorët na tregojnë një rrezik, ne jemi aty për të zbatuar detyrën tonë dhe për t’u gjetur atyre mes zgjidhjeve. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si zbatohet ligji. Një drejtues që del në rrugë nën ndikimin e alkoolit apo që rrezikon të tjerët me shpejtësinë e tij, duhet ta dijë se do të përballet me pasojat që parashikon ligji.

Emri, detyrat apo njohjet nuk mund t’i japin askujt një trajtim më të privilegjuar. Forca e shtetit duhet të ndihet në mbrojtjen që jep qytetarit dhe në drejtësinë me të cilën e zbaton ligjin. Ky standard vlen edhe për vetë policinë. Punonjësit që mbahen në informim ka detyrim që të veprojnë me profesionalizëm, ta trajtojnë qytetarin me respekt dhe t’i japin llogari për veprimet e tij. Kështu krijohet besimi që na duhet për të pasur një bashkëpunim të qëndrueshëm mes njerëzve dhe institucioneve.

Në këtë drejtim po investojmë edhe përmes projektit “”Smart City”, që më shumë se 5,000 kamera, ku 3,000 janë kamera tip rrugore për punonjësit e policisë, radarë dhe sensorë. Me këto mjete synojmë të identifikojmë më shpejt rrezikun, të përmirësojmë reagimin dhe ta bëjmë punën e policisë më transparente. Teknologjia duhet të na ndihmojë të ndërtojmë një shërbim publik më të aftë dhe më të besueshëm. Për këtë duhet të vlerësohet edhe ky investim.

Fushata “A Moment for Life” na sjell te pjesa që secili prej nesh të ka në këtë përpjekje. Vendosja e rripit, sigurimi i fëmijës me ulëse të përshtatshme dhe përdorimi i kaskës janë zgjedhje të përditshme. Përmes tyre tregojmë sa kujdesemi për veten dhe sa kujdesemi për njerëzit të cilët na besojnë ne. Fëmijët mësojnë edhe nga sjellja jonë, kur na shohin dhe respektojnë rregullat, ndalojmë në një për një këmbësor dhe të kujdesemi për të tjerët, u japim një shembull që do ta marrin me vete. Përgjegjësia ndaj brezit të ardhshëm fillon këtu.

Falenderoj veçanërisht komunitetin e transportit dhe Bashkimit Europian për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Për ne, rrugët drejt Europës lidhen me cilësinë e jetës që duam t’ua ofrojmë qytetarëve, me institucionet ku ne mbështetemi dhe me ligjin që zbatohet drejt për të gjithë.

Këtë Shqipëri duam ta shohim në fund të kësaj dekade, një vend ku familjet e ndërtojnë të ardhmen me besim dhe ku çdo qytetar e ndien se jeta e tij ka vlerë mbështetjeje. Për ta bërë këtë vizion realitet, duhet të japim rezultate çdo ditë. Faleminderit!