Ministria e Punëve të Brendshme

REAGIMET – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit, duke shprehur solidaritetin me gjashtë efektivët e Policisë së Shtetit të plagosur në krye të detyrës. Duke theksuar se protesta paqësore është një e drejtë themelore që garantohet nga shteti, ministri Demo nënvizoi se sulmet ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohen, ndërsa çdo veprim i Policisë dhe çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo jo-proporcional të forcës duhet të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, mbi bazën e provave dhe në përputhje me ligjin. Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve, duke garantuar njëkohësisht sigurinë publike, të drejtën për protestë paqësore dhe ushtrimin e sigurt të detyrës nga gazetarët.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo:

Të dashur qytetarë,

Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve. Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.

Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre. Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo jo-proporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij. U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri. Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme. Faleminderit.

Reagim i ministrit Demo:

Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar. U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet. U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin. Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve.