Ministria e Punëve të Brendshme

Një polici më pranë qytetarëve, që dëgjon shqetësimet e tyre dhe reagon me profesionalizëm, është një nga objektivat kryesorë të bashkëpunimit me Suedinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit për policimin në komunitet dhe rritjen e besimit mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit.

Mbështetja suedeze në këtë drejtim synon të forcojë një qasje policore më të afërt me komunitetin, përmes dëgjimit dhe adresimit të shqetësimeve të qytetarëve, reagimit ndaj dhunës në familje, bashkëpunimit me shkollat dhe përfshirjes më të madhe të bashkive në identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave të sigurisë.

Ministri Demo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë, duke theksuar rëndësinë e partneritetit për ndërtimin e një shërbimi policor më të përgjegjshëm, profesional dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.

Bashkëpunimi me partnerët suedezë në fushën e policimit në komunitet është pjesë e përpjekjeve për një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë publike, ku Policia, pushteti vendor, shkollat dhe komuniteti bashkëpunojnë për parandalimin dhe adresimin e problemeve të sigurisë.