Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvendi i Shqipërisë – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, Sekretarja e Përgjithshme, Kledia Ngjela dhe Drejtori i Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, Aldi Dekavelli, raportuan në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi aktet nënligjore të miratuara nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë periudhës 2021–2025.

Gjatë fjalës së tij, Qefalia bëri të ditur se në këtë periudhë janë miratuar gjithsej 19 ligje, që mbulojnë fusha të rëndësishme të veprimtarisë së Ministrisë, përfshirë Policinë e Shtetit, kontrollin e kufirit shtetëror, përpunimin e informacionit, rikuperimin e aseteve, armët, Gardën, të huajt, azilin, shtetësinë, sistemin e adresave, letërnjoftimet dhe prefekturën e qarkut. “Janë gjithsej 19 ligje, të cilat janë miratuar gjatë kësaj periudhe”, tha zëvendësministri.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe Programit të Qeverisë 2025–2029, Qefalia veçoi tre nisma ligjore prioritare. “Projektligji që ka të bëjë me tregtimin dhe përdorimin e lëndëve eksplozive, është përafrim me standardet e Bashkimit Evropian; së dyti, kemi projektligjin për disa shtesa për armët, është edhe ky përafrim me standardet e Bashkimit Evropian; e treta, në 2027 është parashikuar projektligji për ndalimin e përhapjes së përmbajtjes terroriste online”, u shpreh ai.

Sa i përket akteve ende në proces, zëvendësministri sqaroi se vonesat lidhen kryesisht me nevojën për rakordim ndërinstitucional, reflektimin e ndryshimeve ligjore dhe marrjen e dakordësive nga institucionet kompetente. “Ministria e Punëve të Brendshme mbetet përgjegjëse për ndjekjen e akteve të procesit, për koordinimin e institucioneve bashkëpunuese, për përshpejtimin e procedurave të nevojshme me qëllim përmbylljen e detyrimeve brenda afateve të caktuara”, tha Qefalia.

Sipas planit kalendarik të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme, pjesa më e madhe e akteve të mbetura pritet të përmbyllet brenda vitit 2026, ndërsa procesi do të shtrihet deri në tremujorin e parë të vitit 2027. “Theksoj këtu që pjesa më e madhe në këtë plan kalendarik që kemi bërë si Ministri e Punëve të Brendshme, pjesa më e madhe mbyllen brenda vitit 2026, duke u shtrirë dhe në tremujorin e parë të vitit 2027. MPB ka evidentuar detyrimet ligjore që burojnë, statusin aktual të çdo akti, si dhe procesin e bashkërendimit ndërinstitucional”, tha ai.