Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – “Partneriteti ndërkombëtar nuk është më vetëm një zgjedhje, është një domosdoshmëri e panegociueshme”. Këtë deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter, që po zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të FBI-së, institucioneve shqiptare të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Duke e cilësuar zhvillimin e konferencës në Tiranë si një dëshmi të forcimit të bashkëpunimit me SHBA-të, Demo vlerësoi kontributin amerikan në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe ligjzbatimit në Shqipëri.

“Përzgjedhja e Shqipërisë për këtë takim kaq të rëndësishëm nuk është një rastësi. Është për ne një certifikim i progresit, që do të kishte qenë i pamundur pa SHBA-të në krahun tonë”, u shpreh ministri.

Ai solli në vëmendje rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se gjatë pesë viteve të fundit numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është pesëfishuar. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas tij, Policia e Shtetit zhvilloi mbi 100 operacione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë. Ministri nënvizoi se sfidat e sigurisë sot, nga krimi i organizuar dhe terrorizmi te krimi kibernetik dhe kërcënimet hibride, nuk njohin kufij dhe kërkojnë institucione profesionale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.

“Nuk ka vend për asnjë sekondë pushim. Aq më pak vetëkënaqësi. Duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë”, tha Demo, duke renditur ndër prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme forcimin e kapaciteteve për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, modernizimin dhe dixhitalizimin e Policisë së Shtetit, si dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e krimit kibernetik dhe rreziqeve hibride.

Në fjalën e tij, ministri vlerësoi gjithashtu modelin “train-the-trainer” të promovuar në kuadër të konferencës së FBINAA, si një mënyrë për të shumëfishuar dijen dhe eksperiencën e përfituar nga partneriteti me FBI-në brenda strukturave shqiptare të sigurisë. Duke iu referuar 10-vjetorit të Reformës në Drejtësi, Demo tha se dekada e fundit ka hedhur themelet e një arkitekture të re institucionale dhe të një bashkëpunimi më të fortë mes Shqipërisë, SHBA-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me një synim të qartë “që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që shteti të jetë më i fortë se krimi.”

Fjala e plotë përshëndetëse e Ministrit Ervin Demo, në konferencën e 42-të të FBINAA Europian Chapter që po mbahet në Tiranë:

I nderuar z. Gallagher, z. Horn, z. Spence,

Të nderuar përfaqësues të FBI-së dhe FBI National Academy Associates,

Të nderuar partnerë,

Të nderuar drejtues të institucioneve, Kryeprokurori, drejtuesi i SPAK, drejtor i BKH-së,

Mirësevini në Shqipëri, që vetë CNN e ka pagëzuar si më pro-amerikanin në Europë,

Pa dyshim, në një institucion si FBI, asgjë nuk i lihet në dorë rastësisë.  Dhe përzgjedhja e Shqipërisë për këtë takim kaq të rëndësishëm, nuk është një rastësi. Është për ne, një certifikim i mirë i një progresi të që do të kishte qenë i pamundur pa SHBA-të në krahun tonë. E gjithë infrastruktura e sundimit të ligjit dhe ligjzbatimit që kemi sot, BKH, SPAK, institucionet e reja, e mbi të gjitha rezultatet gjithmonë e më evidente në luftën kundër krimit të organizuar, kanë qartë mbi trupin e tyre siglën “Made in USA”.

Prandaj, faleminderit për kontributin tuaj të deritanishëm dhe faleminderit për besimin për të shndërruar Tiranën në kryeqytetin e debatit për sfidat e sigurisë në këto 4 ditë. Unë do doja t’ju falënderoja për prezencën tuaj dhe së bashku, japim një mesazh të qartë, të fuqishëm dhe të pa-ekuivok, për faktin se ku qëndron Shqipëria dhe se çfarë do të bëjmë duke ecur përpara me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në botën e sotme, krimi i organizuar, terrorizmi, krimi kibernetik dhe format e reja të kriminalitetit nuk njohin më kufij. Rrjetet kriminale, asetet kriminale, kërcënimet hibride, lëvizin më shpejt se kurrë. Asnjë shtet, asnjë institucion, sado i fuqishëm nuk mund të garantojë sigurinë i vetëm. Pikërisht për këtë arsye, partneriteti ndërkombëtar nuk është më vetëm një zgjedhje. Është një domosdoshmëri e panegociueshme!

Për Shqipërinë, rezultatet gjithmonë edhe më pozitive në luftën kundër krimit të organizuar janë produkt direkt i forcimit të këtij bashkëpunimi. Në 5 vitet e fundit, sa për të dhënë një shembull, numri i skuadrave të përbashkëta hetimore është 5-fishuar. Vetëm vitin e lënë pas, Policia e Shtetit zhvilloi mbi 100 operacione të përbashkëta me mbi 22 skuadra të përbashkëta hetimore nga vendet partnere, plus organizatat me juridiksion ndërkombëtar, si Europol dhe Interpol. Ka rekorde tmerrësisht pozitive për sa i përket aseteve kriminale të konfiskuara, niveleve të zbulueshmërisë.

Por, përtej shifrave, dua të ndalem te një element që e konsideroj thelbësor: partneritetet e qëndrueshme ndërkombëtare ndërtohen mbi institucione të besueshme.  Partnerët duhet të kenë besim tek njëri-tjetri. Institucionet duhet të kenë besim tek njëri-tjetri. Dhe qytetarët duhet të kenë besim tek institucionet e tyre. Për ne, ky besim ndërtohet çdo ditë përmes profesionalizmit, integritetit, respektimit të ligjit dhe rezultateve konkrete.

Rezultatet e arritura janë të rëndësishme. Por, në luftën kundër krimit, nuk ka vend për asnjë sekondë pushim. Aq më pak vetëkënaqësi!  Prandaj, ne pa dyshim që duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë. Duke ecur përpara, roli i institucioneve që përfaqësohen sot në këtë sallë është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sepse siç thuhet në SHBA, fuqia jonë kolektive është e barabartë me fuqinë e hallkës më të dobët të zinxhirit ku të gjithë ne bëjmë pjesë. Asnjëri nuk mund të mbetet pas!

Policia e Shtetit, Prokuroria, SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, institucionet e drejtësisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë pjesë të një arkitekture bashkëpunimi, ku secili ka përgjegjësinë e vet, por ku rezultati varet nga aftësia jonë për të punuar së bashku. Sa më të forta dhe profesionale të jenë institucionet tona, aq më i madh është besimi i partnerëve. Dhe sa më i madh të jetë besimi, aq më efektiv bëhet bashkëpunimi. Prandaj, në këtë takim, uroj të vendosim një gur të mëtejshëm themeli, për një Shqipëri edhe më të sigurtë, edhe më të ndërlidhur me vendet partnere.

Një vend që jo vetëm përfiton, por edhe kontribuon gjithmonë e më aktivisht, në sigurinë tonë kolektive. Dhe këtu eksperienca e FBI-së dhe e “FBI National Academy” ka një vlerë të pazëvendësueshme. Modeli “train-the-trainer”, i parashikuar edhe në kuadër të kësaj konference, na jep mundësinë që njohuria e marrë këtu të mos mbetet vetëm tek ata që janë sot në këtë sallë, por të transmetohet më tej brenda strukturave tona dhe të shumëfishojë ndikimin e saj.

Kjo është shumë e rëndësishme.

Dhe si Ministër i Punëve të Brendshme, dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë të investojmë në profesionalizimin dhe modernizimin e Policisë së Shtetit, në forcimin e kapaciteteve të saj dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët tanë.

E në këtë drejtim, më lejoni t’ju siguroj se rritja e kapaciteteve tona në fushën e identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve kriminale është prioritet; Modernizimi, automatizimi dhe dixhitalizimi i mëtejshëm i punës së Policisë së Shtetit, është prioritet; Forcimi i kapaciteteve ndaj rreziqeve hibride, krimit kibernetik. Një forcë rendi e bazuar mbi dijen, janë të gjitha në krye të axhendës sonë.

Të nderuar miq,

pa dashur të marr më shumë kohë nga debati juaj, më lejoni ta përfundoj me një datë që besoj se ka një domethënie të veçantë. Ky vit shënon 10 vjet nga miratimi i reformës më transformuese në historinë moderne të Shqipërisë, Reformës në Drejtësi. Dhjetë vjet më parë hodhëm themelet e një arkitekture të re institucionesh dhe një bashkëpunimi të ri Shqipëri – FBI – partnerë ndërkombëtarë, të ndërtuar mbi një ambicie të qartë, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që shteti të jetë më i fortë se krimi. Shumë është bërë në këto dhjetë vjet. Por jubile të tilla nuk vlejnë vetëm për të parë rrugën që kemi përshkuar, ato vlejnë mbi të gjitha, për të parë rrugën që kemi ende përpara. Dhe sidomos duke nxjerrë mësimet e duhura se si në mund të vazhdojmë të përmirësohemi në këtë drejtim.

Do doja t’ju uroja punime të mbara dhe një qëndrim sa më të këndshëm në Shqipëri. Faleminderit!

Gjatë paradites së sotme, në Tiranë u zhvillua ceremonia e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBINAA European Chapter), me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve të FBI-së dhe punonjësve të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga vendet e Evropës dhe më gjerë. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, Presidenti i FBINAA-së, Jim Gallagher, drejtues dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese vendase dhe partnere, ambasadorja në detyrë, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, dhe përfaqësues të FBI-së. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij, vuri theksin te partneriteti i ngushtë i Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Është kënaqësi e veçantë dhe përgjegjësi për mua të marr pjesë në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, me temën kaq aktuale, ndërtimi i partneriteteve ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, për një mjedis më të sigurt. Në emër të Policisë së Shtetit, ju uroj mirëseardhjen në Shqipërinë e dëshirës, vullnetit dhe vendosmërisë për të qenë pjesë aktive e përpjekjes së përbashkët kundër fenomeneve kriminale që nuk njohin kufij.

Fakti që Shqipëria është mikpritëse e kësaj konference të rëndësishme ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, tregon nivelin e bashkëpunimit dhe besimit që Policia Shqiptare ka ndërtuar me agjencitë ligjzbatuese partnere në Evropë, SHBA dhe më gjerë, veçanërisht përballë sfidave dhe kërcënimeve që nuk njohin kufij shtetërorë. Për të arritur këto standarde, Policia e Shtetit ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Por ajo ka gjetur forcë dhe ka ditur të ringrihet. Së pari, është ringritur mbi gjakun dhe sakrificën sublime të 232 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Kujtimi i tyre është betimi ynë i përditshëm për të mos u tërhequr kurrë përballë krimit.

Sot, Policia e Shtetit është një polici ndryshe. Është një polici moderne, profesionale dhe me teknologji të avancuar. Kemi investuar në modernizimin e strukturave, në digjitalizimin e shërbimeve, në teknologji, në analizën e të dhënave, në hetimin kibernetik, në strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit. Rezultatet e operacioneve tona të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me partnerët e tjerë euroatlantikë, janë prova të transformimit dhe të profesionalizmit të Policisë Shqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës,

Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale. Kjo është arsyeja pse partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar. Informacioni që shkëmbehet në kohë, ekspertiza që ndahet dhe besimi që ndërtohet mes agjencive mund të bëjnë diferencën në parandalimin e një krimi, në identifikimin e një rrjeti kriminal apo në çmontimin e një strukture që vepron përtej kufijve.

Akademia Kombëtare e FBI-së ka krijuar ndër vite një komunitet profesionistësh që tejkalon kufijtë dhe që e sheh sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e temës së kësaj konference: krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti ynë duhet t’i kapërcejë ata. Nuk mund ta përballojmë këtë kërcënim të vetëm. Duhet të ndajmë informacionin, ekspertizën dhe përgjegjësinë, për të ndërtuar një përgjigje të përbashkët dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt.

Pavarësisht se mund të kemi sisteme, përvoja dhe mënyra organizimi të ndryshme, përballë krimit të organizuar kemi një sfidë dhe përgjegjësi të përbashkët, sepse krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ata. Ndërveprimi dhe krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit në çdo nivel që kërkohet është mesazhi më i rëndësishëm që do të dalë nga kjo konferencë.

Ju siguroj se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht dhe me profesionalizëm me të gjithë partnerët ligjzbatues kombëtarë e ndërkombëtarë dhe të kontribuojë në çdo përpjekje të përbashkët që i shërben sigurisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit. Ky është angazhimi ynë: më shumë besim, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë koordinim dhe veprim më i shpejtë përballë krimit. Ju falënderoj për rikonfirmimin e besimit ndaj Policisë shqiptare, duke e sjellë këtë konferencë në Tiranë.

Jam i bindur se diskutimet dhe përvojat e ndara gjatë kësaj konference, por edhe njohjet personale ndërmjet jush, do të shërbejnë për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të na bërë më solidë, më të shpejtë dhe më të vendosur në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin. Faleminderit!