Ministria e Punëve të Brendshme

“Shërbimi ndaj vendit është një nga përgjegjësitë dhe nderet më të mëdha”, shprehet Besfort Lamallari, teksa përmbyll detyrën e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Duke vlerësuar eksperiencën e tij në këtë institucion, Lamallari thekson se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë një pjesë e rëndësishme e formimit të tij profesional, politik dhe njerëzor. “Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe, në veçanti, i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri, është më shumë se një privilegj. Është ‘libri i jetës’ që të udhëzon më tej në çdo stacion vijues”, shprehet ai.

Lamallari falënderon Kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mundësinë për të shërbyer në këto përgjegjësi, duke theksuar se do të vijojë angazhimin e tij si pjesë e ekipit të Kryeministrit. Ai vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me ekipin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mbështetjen e familjes gjatë këtij rrugëtimi.

Në përmbyllje, Lamallari i uron suksese ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, duke shprehur bindjen se ai do të çojë përpara me sukses prioritetet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kryeministri Rama njoftoi disa ndryshime në kabinetin qeveritar, të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave

Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, do të largohet nga drejtimi i Ministrisë përkatëse, për t’ju bashkuar ekipit të Kryeministrit në Kryeministri. Ndërsa Pushteti vendor do t’i bashkëngjitet si strukturë, Ministrisë së Punëve të Brendshme nën drejtimin e zotit Ervin Demo.

Në takimin e zhvilluar në zyrën e tij, Kryeministri Rama falënderoi Besfort Lamallarin dhe Ervin Demon për punën në drejtimin e ministrive respektive dhe ju uroi suksese në angazhimin e tyre të ri.

Kryeministri Edi Rama: Siç e diskutuam në mbledhjen e qeverisë, sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe me ekipin këtu në Kryeministri, ndërkohë që Ervini, ministri deritanishëm i Pushtetit Vendor do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por që pasi ka marrë një formë goxha më të plotë duke qenë veç, do të bëhet tani pjesë e strukturës së drejtimeve të punës së ministrisë. Kështu që faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit paraprakisht edhe për shërbimin e mëtejshëm. Faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit dhe për shërbimin e mëtejshëm.

Statusi i plotë i ministrit Lamallari:

Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen.

Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues.

Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes anagazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij.

Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time.

Urime dhe mbarësi kolegut Ervin Demo! Jam i bindur që do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.