Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë –  Fushata “Paqe dhe Harmoni”, e zhvilluar në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”, u përmbyll sot në Tiranë, duke sjellë në fokus rolin e komunikimit strategjik, komuniteteve fetare dhe aktorëve të shoqërisë në forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Aktiviteti përmbyllës, i organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Bashkimit Evropian, komuniteteve fetare dhe organizatës Hedayah, u fokusua në rezultatet e fushatës, të mbështetur nga programi i Bashkimit Evropian “Forcimi i Qëndrueshmërisë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm” (STRIVE II), si dhe në mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të saj.

Në qendër të diskutimeve ishte puna e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të komunikimit me komunitetet, me synim parandalimin e narrativave të urrejtjes, radikalizimit dhe dhunës.

Drejtoresha e QKEDH-së, Lejdi Dervishi, theksoi se parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon një qasje të përbashkët, ku krahas institucioneve të sigurisë, rol të rëndësishëm kanë komunitetet, shkollat, shoqëria civile dhe komunitetet fetare. “Shqipëria ka një pasuri të çmuar, traditën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Por kjo pasuri duhet të ruhet dhe të përcillet te brezi i ri”, u shpreh Dervishi. Duke iu referuar fushatës “Paqe dhe Harmoni”, ajo nënvizoi se komunikimi mund të jetë një instrument i rëndësishëm për përcjelljen e mesazheve të paqes, respektit, tolerancës dhe bashkëjetesës, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë kontributin e liderëve fetarë dhe aktorëve të komunitetit.

Sipas Dervishit, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk është vetëm çështje sigurie, por lidhet drejtpërdrejt me kohezionin social, edukimin, besimin dhe aftësinë e komuniteteve për t’i rezistuar urrejtjes, përjashtimit dhe dhunës. “Suksesi i një fushate të tillë nuk matet vetëm me shikime apo shpërndarje, por edhe me reflektimin që krijon një mesazh, një bisedë që nis apo një qëndrim që ndryshon”, u shpreh Dervishi. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për vijimësinë e komunikimit, veçanërisht me të rinjtë dhe në mjediset shkollore.

“Duhet të mbajmë qëndrueshmërinë dhe komunikimin në shkolla, shoqërinë civile, komunitetet fetare dhe institucionet. Mënyra sesi të komunikojmë me të rinjtë përmes komuniteteve fetare do të ishte gjëja më e mirë”, deklaroi Dervishi.  Në këtë drejtim, QKEDH vijon punën për identifikimin dhe adresimin e faktorëve që mund të ndikojnë në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave që favorizojnë radikalizimin, duke e konsideruar fushatën “Paqe dhe Harmoni” si një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një komunikimi më të qëndrueshëm me komunitetet.

560 mijë qytetarë të angazhuar përmes fushatës

Fushata “Paqe dhe Harmoni” u zhvillua për gjashtë javë dhe u mbështet në katër faza: planifikim, prodhim, promovim dhe vlerësim. Në kuadër të saj u realizuan katër produkte kryesore audiovizive, me fokus te bullizmi online dhe offline, bashkëjetesa ndërfetare, roli i udhëheqësve fetarë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe narrativat e bazuara në besim, përmes një formati podcast.

Mesazhet e fushatës u shpërndanë përmes rrjeteve sociale, televizioneve, mediave online, reklamimit në ambiente publike dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese në shkolla. Sipas të dhënave të prezantuara gjatë aktivitetit, fushata arriti të angazhojë rreth 560 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë. Aktivitetet ndërgjegjësuese u zhvilluan në 16 shkolla, ku u shpërndanë rreth 3 mijë fletëpalosje dhe 100 postera, duke përfshirë më shumë se 5 200 nxënës. Mesazhet u transmetuan gjithashtu përmes televizioneve dhe reklamimit në ambiente publike, ndërsa gjashtë media online gjeneruan një audiencë shtesë prej rreth 20 mijë lexuesish.

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi punën e realizuar dhe theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit mes aktorëve. “Armiku i parë i njerëzimit është injoranca, i dyti varfëria dhe i treti egoizmi”, u shpreh Brahimaj.

Mesazhe për paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare përcollën edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Drejtori i Radios “Ngjallja” dhe përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, At Grigor Pelushi, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Mons. Gjergj Meta, si dhe Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Erjon Sylari.

Këshilltari Rajonal i Bashkimit Evropian për Luftën Kundër Terrorizmit dhe Parandalimin dhe Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm, Eddy Greif, vlerësoi rëndësinë e reagimit të shpejtë ndaj përmbajtjeve që nxisin radikalizimin, veçanërisht në rrjetet sociale.

Aktiviteti u përmbyll me një seancë diskutimi mbi ndikimin e fushatës dhe mësimet e nxjerra, me theks te nevoja për qëndrueshmëri dhe angazhim afatgjatë në komunikimin me të rinjtë dhe komunitetet, si pjesë e përpjekjeve për një shoqëri më të qëndrueshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm.