Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvend – Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për krijimin dhe funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar “One Stop” u miratua në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, duke i hapur rrugë ratifikimit të saj në Kuvend. Marrëveshja, e nënshkruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, synon të reduktojë procedurat dhe kohën e pritjes në kufi, duke krijuar më shumë lehtësi për qytetarët, operatorët ekonomikë dhe autoritetet përgjegjëse.

Në prezantimin e marrëveshjes në Komision, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, e cilësoi atë një hap të rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. Sipas tij, marrëveshja krijon një kuadër të qëndrueshëm për funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, 24 orë në 7 ditë të javës, duke mundësuar koordinimin e kontrolleve kufitare dhe doganore dhe lehtësimin e hyrje-daljeve.

Pikat e Qafë Thanës, Bllatës, Spasës, Goricës–Stenjë dhe Tushemisht–Shën Naum do të mundësojnë qarkullimin ndërkombëtar të shtetasve dhe mallrave, ndërsa pika e Trebishtit do të shërbejë për mjetet e transportit, pa përfshirë mallrat për qëllime tregtare.

Një komponent i rëndësishëm i marrëveshjes është edhe bashkëpunimi në sistemet e informacionit, me synim kryerjen e verifikimeve kufitare në mënyrë më të shpejtë dhe efikase. Ky proces do të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimet e konfidencialitetit institucional.

“Marrëveshja i shërben forcimit të besimit reciprok, rritjes së ndërveprimit institucional dhe thellimit të fqinjësisë së mirë që kemi me shtetin maqedonas”, u shpreh Zëvendësministri Qefalia.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e autoriteteve vendore të Qarkut të Korçës, të cilat kanë kërkuar konkretizimin e kësaj nisme, duke e konsideruar atë me ndikim të drejtpërdrejtë në lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Marrëveshja është miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 445, datë 19.06.2026, ndërsa pas miratimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ajo vijon procedurën për ratifikim në Kuvend.

Më pak procedura, më pak pritje dhe më shumë lehtësi për qytetarët – një tjetër hap drejt një menaxhimi më modern dhe efikas të kufirit dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zv.ministri, Xhemal Qefalia: Faleminderit kryetar, edhe unë dua t’ju uroj suksese të gjithë deputetëve, në fillimin e sezonit të ri dhe mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit parlamentar. Në fakt, në ditën e parë të çeljes së sezonit të ri, ne vijmë këtu për të sjellë një marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, e cila ka të bëjë me lehtësimin që do iu bëhet qytetarëve, për sa i përket hyrjes dhe daljes.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje synon të konsolidojë më tej kuadrin e bashkëpunimit dypalësh nëpërmjet dy vendeve fqinj, duke e shndërruar koordinimin ndërinstitucional në një mekanizëm të përhershëm, efikas, të matshëm në dobi të qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse. Përmes saj krijohen kushte të favorshme për funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, për zhvillimin e veprimtarisë, duke e koordinuar në të gjitha fushat edhe me sistemin doganor dhe verifikimin kufitar. Në këtë kuptim marrëveshja i shërben forcimit të besimit reciprok, rritjes së ndërveprimit institucional, thellimit të marrëveshjes dhe fqinjësisë së mirë që kemi me shtetin maqedonas.

Çfarë parashikon marrëveshja? – Marrëveshja parashikon funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, të pandërprerë, 24 orë në 7 ditë të javës, duke krijuar një kuadër të qëndrueshëm, për të gjithë qytetarët, operatorët ekonomikë dhe për të gjithë autoritetet përgjegjëse. Në pikat e Qafë Thanës, Bllatës, Spasës, Goricës – Stenjë, Tushemisht – Shën Naum, do të shërbejë për një qarkullim ndërkombëtar për të gjithë shtetasit dhe mallrat në qarkullim. Ndërsa, në pikën e Trebishtit do të shërbejë vetëm për mjetet e transportit, pa përfshirë mallrat për qëllime tregtare. Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, palët do t’i intensifikojnë qëllimet që lidhen me sistemet e informacionit, me qëllim mundësimin e verifikimeve të shpejta në kohë rekord. Ky dimension teknik i marrëveshjes është një qasje moderne, duke koordinuar drejt menaxhimin e kufirit, duke respektuar standardet e mbrojtjes së të dhënave personale, si edhe parimet e konfidencialitetit institucional.

Dua të theksoj se kjo ka qenë edhe një indicie nga kryetari i Bashkisë së Pogradecit, zoti Xhangolli, që dua ta falënderoj, si dhe Prefektja e Korçës, të cilët kanë insistuar që kjo marrëveshje të kalojë në Kuvend. Këtë qeveria e ka kaluar me vendimin numër 445, të datës 19.06.2026, ministri Lamallari e ka nënshkruar me ministrin homolog këtë marrëveshje, që u shërben qytetarëve jo vetëm të zonave të qarkut të Korçës, por edhe qytetarëve që do të kenë akses në hyrje-daljet me shtetin maqedonas.