Ministria e Punëve të Brendshme

Pogradec – Në prag të nisjes së vitit të ri arsimor, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Pogradec, ku në fokus ishte garantimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit, brenda dhe përreth shkollave. Gjatë takimit, në prani të Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorit Michel Tarran, Kryetarit të Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, deputetit të Qarkut Korçë, Bledi Çomo, Prefektes së Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj, Kryetarit të Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, si dhe përfaqësuesve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve arsimore, zëvendësministrja vuri theksin te përgjegjësia e përbashkët e institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve.

“Siguria në shkolla nuk nis vetëm me reagimin ndaj një problematike, por mbi të gjitha me parandalimin”, tha Ruseti. Ajo theksoi se, në prag të rikthimit të nxënësve në klasa, çdo institucion duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta dhe të garantojë zbatimin konkret të masave të sigurisë në çdo shkollë.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm ishte nevoja për reagim të shpejtë dhe të koordinuar. Policia, pushteti vendor, strukturat arsimore dhe institucionet e tjera përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të identifikuar në kohë rreziqet dhe për të parandaluar çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

“Fëmijët duhet të ndihen të sigurt në shkollë dhe komuniteti duhet të jetë pjesë e kësaj përgjegjësie”, nënvizoi zv.ministrja. Në këtë drejtim, Ruseti nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me prindërit, mësuesit dhe komunitetin, si një komponent i domosdoshëm për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Mbledhja e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Pogradec shërbeu gjithashtu për të konkretizuar masat që do të ndërmerren përpara dhe gjatë vitit të ri arsimor, me synim garantimin e një pranie më të koordinuar institucionale dhe një mjedisi sa më të sigurt për nxënësit.