Ministria e Punëve të Brendshme

Kukës – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim në Bashkinë Kukës, ku së bashku me Kryetarin Albert Halilaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe drejtues të zyrave vendore, diskutoi mbi ecurinë e procesit të adresarit në këtë bashki.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e përditësimit dhe saktësimit të adresave, si një proces që shkon përtej administrimit të të dhënave në regjistra. Një adresë e saktë lidhet drejtpërdrejt me identitetin e qytetarit, lehtësimin e marrjes së shërbimeve dhe aksesin më të shpejtë e më efikas në institucionet publike.

Ministri Lamallari nënvizoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore, me qëllim përfundimin me sukses të procesit dhe garantimin e një adresari sa më të plotë, të saktë dhe funksional për qytetarët e Bashkisë Kukës.