Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me drejtuesit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës për mbrojtjen e territorit dhe mjedisit.

Gjatë takimit u diskutua për masat për parandalimin e ndërtimeve pa leje, ndalimin e abuzimeve me hapësirat publike, si dhe intensifikimin e luftës kundër krimeve mjedisore.

Ministri Lamallari theksoi rëndësinë e një pranie më të fortë dhe të vazhdueshme të strukturave në terren, veçanërisht në zonat ku problematikat kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe bashkëpunim të koordinuar institucional.

“Çdo punonjës i IKMT-së në terren duhet të ketë më shumë komunikim, më shumë përgjegjshmëri dhe prani të pandërprerë aty ku qytetarët kanë nevojë për shtetin”, u shpreh ministri Lamallari.

Në fokus të bashkëpunimit do të jetë forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe reagimit në territor, me qëllim parandalimin e paligjshmërisë, mbrojtjen e hapësirave publike dhe garantimin e respektimit të rregullave për mbrojtjen e mjedisit.

Mbrojtja e territorit dhe mjedisit kërkon angazhim të përbashkët institucional, kontroll të vazhdueshëm në terren dhe përgjegjshmëri në çdo nivel të zbatimit të ligjit.