Ministria e Punëve të Brendshme

Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në TV Klan News, për gati 40 minuta, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u përgjigj në lidhje me disa nga çështjet kryesore të aktualitetit politik në vend, mbi situatën e sigurisë, masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, projektin madhor “Smart City” dhe ngjarje të tjera me interes për publikun. Ai nënvizoi disa nga aspektet më të rëndësishme të angazhimit të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e protestës së përditshme, që zhvillohet në bulevard, duke bërë me dije edhe disa nga masat e marra për persona të caktuar që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.
Më poshtë, një përmbledhje e citimeve të plota të Ministrit Lamallari gjatë këtij komunikimi të drejtpërdrejtë:

Mbi menaxhimin e protestave
Në mbarëvajtjen e protestave, ka ligj, protokolle, standarde operative se si vepron Policia e Shtetit. Unë besoj fort se këto protesta, policia ka dëshmuar që ka ditur t’i menaxhojë më së miri ato, duke iu përmbajtur pikërisht standardeve të përcaktuara në ligj, si në ligjin për tubimet po ashtu dhe në protokollet e veta dhe procedurat standarde të veprimit. Padyshim që një protestë është tregues i një demokracie të shëndoshë. Megjithatë fakt është se ka pasur një dallim të madh mes asaj që nisi ditët e para si një manifestim paqësor, dhe më pas, disa elementë të caktuar, 15-20 persona, shumë aktivë, shumë agresivë që, herë me vezë dhe herë me gurë, kanë tentuar të provokojnë Policinë, në disa raste duke goditur efektivë, por edhe deputetë të zgjedhur, të cilët janë përfaqësues të qytetarëve shqiptarë. Çdokush që kryen veprime të dhunshme, të paligjshme, duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Të mos harrojmë, policia është një organ që nga ligji i atribuohet edhe ushtrimi i forcës. Për kaq ditë, Policia e Shtetit ka dëshmuar durim e maturi edhe kur ka parë që kolegë të tyre janë plagosur. Policia ka qenë në lartësinë e detyrës për të menaxhuar protestën pa pasur eskalime të panevojshme.

“Personat non grata”
Fakt është dhe kjo është e dëshmuar, një rast që ju përmendët më herët, ku unë në zbatim të së drejtës që me jep ligji për të shpallur person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Huduti, e cila në fakt sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e shërbimit informativ dhe të zbatimit të ligjit, provohej se kishte lidhje dhe veprimtari, të cilat përbëjnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë.
Nuk është vetëm ky rast, edhe pse nuk është bërë publike, edhe më pas në javët në vijim kam pasur raste të tjera, të cilët i kam shpallur persona të padëshiruar në zbatim të atributeve që më jep ligji. Jo detyrimisht persona publikë, por sigurisht me shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste, të cilët në tërësinë e tyre, pavarësisht rrymave të ndryshme, të mbështetjes, financimit dhe propagandimit, vlerësohen nga agjencitë respektive në Shqipëri se përbëjnë kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht detyrohem të ndërmarr një vendimmarrje të tillë.
Pavarësisht se këta nuk mund të quhen shkaku i protestës, vetë protesta është parë si një mundësi e artë për çdokënd për të përçuar axhendat e tyre, të cilat janë jo detyrimisht në interesin e Shqipërisë, përkundrazi, malinje për vendin tonë, për ekonominë shqiptare, përparimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe një pozicioni më të fortë gjeopolitik të vendit krahas partnerëve europianë dhe euroatlantikë.

Mbi ndikimin e faktorëve të huaj në protestat e organizuara
Protesta është tentuar të shfrytëzohet si një e çarë për të përçuar axhenda të caktuara, ku përfshihen dhe vende aspak mike. Vetë publiku ka parë që përfaqësues të lartë të Iranit kanë qenë tmerrësisht të zëshëm dhe aktivë në lidhje me protestat në Shqipëri. Madje duke i komunikuar ato në shqip, duke deformuar me AI pamjet. Merrnin pamje nga vende të tjera, duke i paraqitur si pamje nga Shqipëria, duke i paraqitur si protesta të dhunshme dhe konflikte civile me qëllim cenimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Sigurisht një vendi si Irani nuk i intereson një pozitë e fortë gjeopolitike e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë dhe rolin e Shqipërisë gjatë kohës që kemi qenë bashkëmbajtës të një sërë rezolutash në Këshillin e Sigurimit të OKB, si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit.

Prania e eurodeputetëve në protestë
Shqipëria është një vend i lirë dhe çdokush, në cilësinë dhe pozicionin që mban, apo për arsye private, mund të bëjë deklaratat sipas interesit e gjykimit të vet. Qeveria shqiptare ka përgjegjësinë për të drejtuar këtë vend, sipas votëbesimit të dhënë nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët shqiptarë nuk kanë besuar dhe ngarkuar me asnjë lloj përgjegjësie politike askënd, përveçse deputetët shqiptarë dhe qeverinë e PS, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama. Siglës së PS i janë dhënë 83 mandate nga qytetarët shqiptarë. Në refleksion të kësaj proteste, kryeministri Edi Rama ka shpalosur një dokument shumë të vlefshëm për mënyrën se si ky mandat i katërt duhet të na udhëheqë, çka tregon se kemi një kontekst të ri politik në vend. Arritjet e derisotme, statistikat, zhvillimet infrastrukturore etj., nuk janë më interesante për qytetarët shqiptarë. Ajo që është interesante është cilësia e shërbimeve. Qytetari në raport me shtetin sheh se si adresohen shqetësimet e tij. Ky është në thelb edhe “Besa”, mënyra se si ne do qeverisim gjatë mandatit të katërt në këtë rrugëtim tonin drejt BE-së.

“Smart City”
“Smart City” është një projekt që është zbatuar edhe në vende të tjera, i nënshtrohet kuadrit ligjor shqiptar, të paktën tre ligjeve që garantojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e rrjeteve informatike apo sigurinë e informacioneve kritike. Kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të këtij projekti që lidhet me sigurinë në shkolla. Në shtatorin e ardhshëm 20 shkolla në Tiranë do të kenë masa sigurie shtesë, që dmth., më shumë siguri për nxënësit dhe më shumë qetësi për prindërit. Po ndjekim dita-ditës zbatimin e projektit për dy komponentë të tjerë, që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe sigurinë publike.
Për fat të keq, sot për sot, aksidentet rrugore janë shkaktari nr.1 i fataliteteve në Shqipëri. Projekti “Smart City” me kamerat, radarët, sensorët dhe çdo element tjetër teknologjik që do të implementohet në gjithë territorin e vendit, patjetër do të kontribuojë ndjeshëm në uljen e aksidenteve dhe rrjedhimisht fataliteteve.

Masat për sezonin turistik
Investimet që ne kemi bërë për Policinë e Shtetit në kuptim të burimeve njerëzore të shtuara, posaçërisht për ata që janë të ngarkuar drejtpërdrejt me sigurinë në zonat turistike, në bregdet, si forcat e rendit, siguria detare, motorët e ujit dhe skafet e forcës detare që patrullojnë në vijën bregdetare, mundohen të jenë prezent duke parandaluar shumë raste, që janë bërë publike nga policia. Ajo që është e rëndësishme, kur ndodh një ngjarje, koha e reagimit të Policisë së Shtetit, ka qenë e menjëhershme, ose është bërë ndalimi dhe vënia para përgjegjësisë e autorëve të dyshuar.

Për parandalimin dhe kontrollin e zjarreve
Sot që flasim janë vënë nën kontroll disa vatra zjarri në fshatrat e Delvinës dhe Finiqit. Forcat në terren por edhe nga ajri, tre helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët janë vënë në dispozicion për shuarjen e tyre dhe është bërë e mundur vënia nën kontroll e zjarreve.
Sot ka pasur 32 vatra të tilla në të gjithë vendit. Është një punë voluminoze e bërë në koordinim të plotë nga të gjitha agjencitë në terren, i zjarrfikësve, FA-ve, forcat e Policisë së Shtetit, të cilat ndihmonin banorët për evakuimin e tyre. Është përmirësuar dhe flota e zjarrfikësve, mjeteve në dispozicion, edhe AKMC është shumë herë më tepër e pajisur me mjete, teknologji e burime njerëzore të trajnuara. Përballja me zjarret është një sfidë e vazhdueshme, ashtu si në mjaft vende të tjera të BE-së dhe më gjerë. Kur flitet për fatkeqësi natyrore apo emergjenca të tilla, forca e njeriut ka limitet e veta.