Ministria e Punëve të Brendshme

Elbasan – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, vlerësoi Këshillin Vendor të Sigurisë Publike (KVSP) të Bashkisë Elbasan si një nga modelet më të suksesshme të bashkëpunimit ndërinstitucional në vend, gjatë mbledhjes së zhvilluar me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve lokale.

Në qendër të diskutimeve ishin dhuna online, mashtrimet në hapësirën kibernetike, dezinformimi, si edhe rreziqet dhe pasojat që këto fenomene sjellin për shoqërinë, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Në fjalën e saj, zv.ministrja Ruseti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në parandalimin e fenomeneve që cenojnë sigurinë publike.

“Jemi në një nga Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike më të suksesshëm ndër 61 bashkitë e vendit. Ky rezultat është bërë i mundur falë bashkëpunimit të secilit prej jush dhe përgjegjësisë që çdo institucion ka marrë në funksion të komunitetit. Pikërisht puna e përbashkët ka bërë të mundur parandalimin e një sërë fenomenesh që mund të kishin ndikim në jetën e qytetarëve”, u shpreh Ruseti.

Ajo theksoi gjithashtu se përvoja e Elbasanit do të shërbejë si referencë në hartimin e Strategjisë së re të Sigurisë Publike.

“Për Ministrinë e Punëve të Brendshme, në këtë fazë të hartimit të Strategjisë së re të Sigurisë Publike, që do të sjellë modele të reja në mënyrën e qasjes ndaj sigurisë, Bashkia Elbasan dhe veçanërisht KVSP-ja e saj mbeten një nga praktikat më të mira. Ne jemi të gatshëm ta reflektojmë këtë model edhe në bashki të tjera të vendit”, tha ajo.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, prezantoi punën e institucioneve vendore në ndërgjegjësimin e komunitetit, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe rreziqet që burojnë nga hapësira kibernetike.

“Sot trajtojmë një sfidë që prek drejtpërdrejt sigurinë, demokracinë dhe besimin e qytetarëve: dezinformimin në rrjetet sociale dhe ndikimin e tij në komunitet. Dezinformimi luftohet duke ndërtuar besimin, duke forcuar bashkëpunimin dhe duke investuar te qytetarët, veçanërisht te të rinjtë”, theksoi Llatja.

Ai shtoi se përgjegjësia e institucioneve është të ndërtojnë një komunitet më të informuar, më kritik ndaj informacionit të rremë, më të përfshirë në jetën publike dhe më rezistent ndaj manipulimit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, theksoi se siguria publike tashmë shtrihet edhe në hapësirën dixhitale.

“Siguria publike nuk kufizohet vetëm në hapësirat fizike. Një pjesë e rëndësishme e saj zhvillohet në hapësirën dixhitale, ku dezinformimi dhe mashtrimet online përbëjnë sfida reale, veçanërisht për të rinjtë. Për Policinë e Shtetit, këto fenomene janë çështje të mirëfillta të sigurisë publike”, u shpreh Hoxha.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Vesa Llanaj Liço, evidentoi ndikimin që dhuna online ka në jetën shkollore, duke theksuar se shumë konflikte mes nxënësve kanë zanafillën në komunikimin përmes pajisjeve elektronike dhe rrjeteve sociale.

“Mund të vërejmë se pothuajse çdo konflikt që ndodh brenda shkollës e ka zanafillën jashtë saj, kryesisht në përdorimin e pajisjeve elektronike dhe teknologjike nga të rinjtë”, u shpreh ajo.