Ministria e Punëve të Brendshme

Miratohet Udhëzimi i përbashkët, i Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrit të Mjedisit, “Për disa ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 15.11.2023 ‘Për nivelin kufi të zhurmës për një mjedis të dhënë dhe për fushën e veprimtarive ekonomike-shoqërore'”.

Ndryshimet janë miratuar në zbatim të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, të ndryshuar, dhe synojnë garantimin e një ekuilibri ndërmjet zhvillimit të aktivitetit turistik dhe ekonomik, mbrojtjes së shëndetit publik, si dhe respektimit të qetësisë publike gjatë sezonit turistik.

Në udhëzim shtohet një pikë, e cila përcakton se, përjashtimisht gjatë sezonit turistik, subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike ose shoqërore dhe që gjenerojnë zhurmë, si lokale, bare, restorante, diskoteka, klube nate dhe veprimtari të tjera të ngjashme që përdorin muzikë të amplifikuar ose pajisje elektroakustike, duhet të respektojnë këto nivele kufi të zhurmës të matura në mjedise publike:

– nga ora 11:00 deri në 20:00, niveli i zhurmës nuk duhet të kalojë 65 dB(A), i matur në intervale prej 15 minutash;

– nga ora 20:00 deri në 24:00, niveli i zhurmës nuk duhet të kalojë 45 dB(A), i matur në intervale prej 15 minutash.

Udhëzimi parashikon gjithashtu që niveli specifik i zhurmës të përcaktohet duke marrë në konsideratë zhurmën reziduale të mjedisit dhe standardet në fuqi për matjen dhe vlerësimin e zhurmës mjedisore.

Akti synon të përmirësojë administrimin e zhurmës në mjedis, të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe të sigurojë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në përputhje me standardet ligjore dhe mjedisore.

Shkarko Udhëzimin