Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa amendime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të këtij institucioni kyç për sigurinë publike dhe sundimin e ligjit. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u shpreh se ndryshimet e miratuara synojnë ta bëjnë Policinë e Shtetit më efikase, më funksionale dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, pa prekur parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar institucioni.

Reforma e fundit parashikon:

– një kapacitet drejtues më të fortë, me zinxhir komandimi më të qartë dhe vendimmarrje më të shpejtë;

– një sistem karriere të bazuar në meritë dhe eksperiencë, duke rikthyer lidhjen mes gradës dhe funksionit drejtues;

– eliminimin e vakancave të zgjatura në pozicionet drejtuese përmes proceseve më funksionale dhe më pak burokratike;

– një administrim më modern të burimeve njerëzore, me rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional;

– ruajtjen e kujtesës institucionale, duke e trajtuar përvojën profesionale si një vlerë të rëndësishme për shtetin dhe jo si privilegj.

“Në kushtet e sfidave gjithnjë e më komplekse që lidhen me sigurinë, krimin e organizuar dhe krimin transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më pranë qytetarëve. Këto ndryshime janë një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve dhe në rritjen e efektivitetit të institucioneve të rendit”, theksoi ministri Lamallari.