Ministria e Punëve të Brendshme

Intervista – Një e shtënë arme në distancë, kapet në kohë reale. Nxjerrja e një arme zjarri apo një thike në ambiente publike, detektohet menjëherë. Sjelljet agresive dhe të dhunshme në ambiente shkollore dhe plot të tjera. Këtë synon projekti “Smart City”, i cili më në fund po merr jetë. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari në një intervistë ekskluzive për Report Tv tregon se çfarë pret qeveria nga shërbimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

“Janë në gjendje të kapin dhe zhurmat nga të shtëna të armëve, duke bërë të mundur lokalizimin e shpejtë dhe ndërhyrjen e patrullave të policisë për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin në kohë të shpejtë pa lejuar largimin e personave të cilët përdorin armë në mjediset publike”, shpjegon Lamallari.

Bashkë me policinë, u identifikuan disa prej pikave më kyçe në vend që konsiderohen me interes për survejim, në 12 qarqe. Që në hyrje të pikave kufitare, një person i kërkuar, foto e të cilit tashmë është në sistem, nuk do ta ketë të lehtë.

“Në 873 lokacione operative të identifikuara nga strukturat e sigurisë në vend. Të ndara këto në 12 drejtori vendore të policisë në 24 qytete kryesore në 28 pika të kalimit kufitar vendosen struktura, infrastrukturë teknologjike e avancuar që përfshin kamera inteligjente, sensor zhurmash dhe radar të cilët bëjnë regjistrimin e ngjarjeve, automjeteve dhe targave”, thekson ministri.

Si fillim janë 20 shkolla të përzgjedhura në Tiranë, jo rastësisht, për shkak të së shkuarës problematike ku “Smart City” inaugurohet. Vëzhgimi i sjelljeve të rrezikshme bëhet vetëm në ambientet e përbashkëta të nxënësve dhe jo klasa.

“Softueri i cili analizon të dhënat nga kamerat, të cilat janë të vendosura për të mbuluar oborret e shkollave, perimetrin e jashtëm, ambientet e brendshme në kuptimin e korridoreve, por jo në klasën, jo në klasa, synohet që të evidentohet çdo ngjarje potencialisht e rrezikshme apo sjellje e cila sistemi i vetë është modeluar në mënyrë të tillë për të njohur sjelljet agresive, ato sjellje që po bëjnë shkelje të normave ë të sigurisë në shkollë”, vijon Lamallari.

Por a duhet të frikësohet një qytetar i thjeshtë se po vëzhgohet nga kamerat inteligjente?

“Smart City është një garanci e shtuar për çdokënd që respekton ligjin dhe kërkon të ecë, të shkojë, të ndjek rregullisht i qetë mjediset publike. Unë jam një qytetar që respektoj ligjin nuk kam arsye pse të frikësohem”, tha ministri.

Sistemi transferon te policia vetëm situatën problematike, e cila analizohet nëse është ose jo e paligjshme. Përndryshe, çdo filmim tjetër fshihet automatikisht pas 30 ditësh.

“Detyrimi ligjor për fshirjen e këtyre të dhënave fillon menjëherë pas ditës së 30 në rastin e shkollave apo të sigurisë publike. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është që këto të dhëna ruhen, trajtohen dhe administrohen vetëm brenda infrastrukturës ekzistuese në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në mënyrë absolute asnjë e dhënë nuk hakohen, nuk transferohet dhe nuk përpunohet jashtë”, thekson ministri.

Personat që janë të autorizuar të merren me sistemin “Smart City”, në çdo hyrje dhe lëvizje që bëjnë, lënë gjurmë. Kjo do të thotë se gjithçka është e regjistruar dhe ata janë përgjegjës. Në total do të instalohen më shumë se 5 mijë kamera, të cilat nënkuptojnë jo vetëm radarë inteligjentë për sigurinë rrugore, por edhe kamera të inkorporuara në trupin e Policisë së Shtetit, apo sensorë për ndotjen akustike.

Sipas qeverisë, plani për instalimin dhe zgjerimin e sistemit Smart City do të vijojë gjatë 12 muajve të ardhshëm ku e gjithë Shqipëria do të jetë “live”. (Shqiptarja.com)

Intervista – Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari flet në Report TV për projektin Smart City, një investim madhor për sigurinë publike në Shqipëri e që nis këtë shtator me 20 shkollat e para në Tiranë:

Sokol Dema: Z. Ministër, faleminderit që pranuat ftesën të flasim për një prej projekteve më të rëndësishme të viteve të fundit, i cili më në fund po mer dhe “dritën jeshile”, pra për ta ndjerë dhe më nga afër të gjitha efektet që pritet të japë. Po flas për projektin Smart City, i cili është një investim i madh i qeverisë shqiptare por që ka synime të qarta, tani nga ajo çfarë unë dua ta filloj është si do të operojë ky si program si projekt i madh? Dhe cilat janë synimet kryesore që duhet të arrihen?

Ministri Lamallari: Sistemi Smart City është investimi më i madh i qeverisë shqiptare për rritjen e parametrave të sigurisë publike në vend, përfshirë këtu edhe menaxhimin e trafikut, por edhe komponentin shumë të rëndësishëm të sigurisë në shkolla. Ku fillojmë me 20 shkolla në Tiranë dhe më pas, për shkak se rëndësia e vetë projektit dhe ajo çfarë ne presim në kuptim të sigurisë së qytetarëve dhe të sigurisë publike në tërësi është prioritet i qeverisë shqiptare. Jam realisht shumë i lumtur që ne e nisëm fillimisht me komponentin e sigurisë në shkolla, për të garantuar pikërisht fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor, ku nxënësit të jenë të sigurt dhe prindërit, nga ana tjetër, të jenë të qetë se fëmijët po ndjekin të qetë dhe të sigurt aktivitetin mësimor. Më pas, ne vijojmë paralelisht edhe me komponentin e sigurisë publike dhe sigurisë rrugore, që do të thotë në 873 lokacione operative të identifikuara nga strukturat e sigurisë në vend. Të ndara këto në 12 drejtori vendore të policisë, në 24 qytete kryesore, në 28 PKK, vendoset infrastrukturë teknologjike e avancuar që përfshin kamera inteligjente, sensorë zhurmash dhe radarë, të cilët bëjnë regjistrimin e ngjarjeve, automjeteve dhe targave, kjo si kontribut real në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Vijojmë me zbatimin e projektit brenda një viti dhe, në përfundim të vitit, diku në shtator të vitit të ardhshëm, ne do të kemi të gjithë sistemin Smart City Life, që do të thotë monitorim i çdo hapësire publike, çdo hyrje-daljeje në qytetet kryesore, kryqëzimet me fluks të lartë mjetesh dhe pasagjerësh, PKK-të që përmenda, të cilat janë gjithashtu të rëndësishme në kuptim të garantimit të sigurisë kufitare dhe moslejimit të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të personave me rrezikshmëri të lartë, përfshirë edhe ata që janë në listat e sanksionuara për terrorizëm apo financim të terrorizmit, të personave të cilët i shmangen drejtësisë, të cilët sigurisht në mënyrë automatike lidhen me sistemin me databazën qendrore të Policisë së Shtetit, për të alertuar dhe për të pasur ndërhyrjet përkatëse. Ajo çfarë ndryshon me këtë investim madhor është pikërisht kalimi nga një qasje tradicionale, reaguese përgjithësisht ndaj sigurisë dhe ngjarjeve që ndodhin në vend, në një kapërcim epokal të mendësisë dhe qasjes praktike, ku parandalimi dhe proaktiviteti janë në fokus të sistemit.

Sokol Dema: T’i marrim një nga një. Nëse do të hapet me shkollat, pra bëhet fjalë për 20 shkolla këtu në kryeqytet, e para, nëse ky sistem do të rezultojë i suksesshëm dhe do të ketë një efekt të mirë parandalues, a do të synohet të zgjerohet edhe në shkolla të tjera në gjithë vendin në vijim dhe si do të funksionojë? Pra, këto kamera do të jenë brenda hapësirave publike që janë brenda ambienteve të shkollave, të cilat konsiderohen publike, përfshirë këtu oborrin, korridoret, apo do të jenë edhe në klasa?

Ministri Lamallari: Së pari, dua të sqaroj që 20 shkollat e përzgjedhura janë pjesë e një analize të bërë paraprakisht bashkë me autoritetet arsimore dhe Policinë e Shtetit, ku kemi marrë në konsideratë disa variabla, do të thotë dendësinë e popullsisë në atë zonë, numrin e nxënësve që frekuentojnë shkollat, por edhe informacionet në historikun e të dhënave të Policisë së Shtetit për incidente apo vëmendje të shtuar të policisë dhe patrullave policore në këto shkolla. Kështu që, në këtë mënyrë është bërë përzgjedhja e këtyre shkollave. Ngrihemi mbi infrastrukturën ekzistuese teknologjike në shkolla, por edhe përmirësimin e tyre aty ku është nevoja. Por duhet theksuar në vetvete që nuk janë kamerat ato që bëjnë përfitimin e produktit fundor, që është një reagim i shpejtë parandalues ndaj ngjarjeve që mund të ndodhin në shkolla. Është vënë në sistem një softuer, i cili analizon të dhënat nga kamerat, të cilat janë të vendosura për të mbuluar oborret e shkollave, perimetrin e jashtëm, ambientet e brendshme në kuptimin e korridoreve, por jo në klasa. Vetëm në ambientet e përbashkëta, ku synohet të evidentohet çdo ngjarje potencialisht e rrezikshme apo sjellje, të cilat sistemi është modeluar në mënyrë të tillë për t’i njohur, si sjelljet agresive apo ato sjellje që përbëjnë shkelje të normave të sigurisë në shkolla.

Sokol Dema: Pra, pirja e duhanit që ju përmendët, shumë mirë, ndoshta përdorimi i një fjalori… A ka audio, domethënë, a mund të detektohet?

Ministri Lamallari: Shiko, sistemi është i planifikuar dhe modeluar në mënyrë të tillë që njeh rreth 20 shkelje të ndryshme, që nga konsumi i lëndëve të ndaluara, pra duhani apo lëndëve në dukje alkoolike, tek përdorimi dhe ekspozimi i mjeteve të ndaluara, përfshirë edhe armët e ftohta, tek sjelljet agresive që mund të shfaqin nxënësit ndaj njëri-tjetrit. Pra, të gjitha këto janë të modeluara dhe në ekspozimin dhe demonstrimin që ne bëmë në qendrën e komandës së kontrollit, aty u prezantua shumë mirë se si do të funksionojë sistemi, ku nga njëra anë kamerat mbledhin të dhënat video, të cilat përpunohen dhe ruhen vetëm në infrastrukturën lokale të këtyre shkollave. Që do të thotë, ashtu siç kërkohet aktualisht, afati i ruajtjes së këtyre të dhënave është 30 ditë, jo më shumë. Dhe ajo çfarë shkon dhe ekspozohet te Policia e Shtetit është vetëm alerti. Pra, ajo çfarë analizohet nga këto video që regjistrohen nga kamerat dhe sipas modelit të Inteligjencës Artificiale mund të konsiderohen si një shkelje e parametrave të sigurisë apo potencialisht një rrezik në shkolla.

Sokol Dema: Fillon me shkollat, por ju e përmendët që do të vijojë më pas edhe me sigurinë rrugore dhe me sigurinë e rendit, për të parandaluar edhe ngjarjet kriminale. Si do të funksionojë në rrugë? Do të kemi një kamerë inteligjente, e cila do të jetë, si të thuash, e pafalshme sa i përket çdo lloj sjelljeje të rrezikshme, qoftë shpejtësisë e më gjerë, apo do të ketë ndonjë tolerancë, e cila do t’u japë mundësi qytetarëve që të ndërgjegjësohen me kalimin e javëve dhe muajve, kur sistemi të jetë funksional?

Ministri Lamallari: Do të vendosen këto kamera inteligjente, të cilat sigurisht nuk falin në kuptimin e shkeljeve që ato evidentojnë, qofshin këto kalimi i semaforit me të kuqe, shpejtësia përtej normave të përcaktuara në Kodin Rrugor apo përdorimi i paautorizuar, kur nuk është rasti, i korsive të emergjencës. Gjithashtu, ky është një problem i evidentuar në rritje, duke sjellë jo vetëm bllokim të trafikut për drejtuesit që respektojnë përgjithësisht rregullat e qarkullimit rrugor, por mbi të gjitha duke shkaktuar probleme për mjetet të cilat janë, pikërisht sipas ligjit, të autorizuara të përdorin vetëm ato korsitë e emergjencës. Kështu që, patjetër, kamerat, duke qenë të modeluara sipas softuerit që unë përmenda për çdo shkelje që parashikon Kodi Rrugor, do të evidentojnë këto shkelje, përfshirë ngjarjen që ndodh, automjetin, targën e cila lexohet në mënyrë automatike dhe i përcillet DVP-së përkatëse, njëkohësisht edhe serverëve qendrorë të Policisë së Shtetit, në mënyrë për të pasur edhe sanksionet përkatëse.

Sokol Dema: Raporti me krimin. Ne jemi mësuar edhe në shumë ngjarje më përpara, kryesisht në ngjarje atentatesh, që ka persona që largohen, djegin një makinë dhe për shumë kohë zhduken, ndërsa policisë i duhen muaj të tërë për t’i zbardhur, por ka edhe ngjarje të pazbardhura. Sa do të ndihmojë ky sistem në zbardhjen e ngjarjeve kriminale? Pra, si do të funksionojë sa i përket mënyrës së të vepruarit për gjetjen dhe kapjen e imazheve të personave që mund të jenë në kërkim, që sapo kanë kryer ngjarje, apo për ta ndihmuar policinë që numri i ngjarjeve të shkojë drejt zbardhjeve më të shumta, por sigurisht edhe për të parandaluar?

Ministri Lamallari: Risia me prezantimin e këtij sistemi është pikërisht të qenit proaktiv, pra të reagojmë para se ngjarja të ndodhë, duke marrë këtu në konsideratë edhe nevojën për rritjen e kapacitetit të Policisë së Shtetit në lokalizimin, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të personave në kërkim. Sigurisht, kjo në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, por edhe me të dhënat që administrohen nga Policia e Shtetit, pikërisht bazuar në ligjin e tyre organik dhe në Kodin e Procedurës Penale. Në mënyrë që ne të garantojmë, sigurisht, një nivel të shtuar sigurie për vënien para drejtësisë të këtyre personave në kërkim, sidomos kur bëhet fjalë për krime të rënda, si vrasje, plagosje të rënda dhe kategori të tjera të krimit të organizuar apo krimeve të rënda. Kjo është sigurisht një lajm i mirë, për vetë faktin që fillon që nga momenti i hyrjes në kufi deri në qarkullimin në territor. Nga ana tjetër, kemi edhe vendosjen e këtyre kamerave pranë institucioneve të sigurisë të ndryshme, për të monitoruar çdo shkelje të mundshme, jo vetëm të ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë publike, por edhe me menaxhimin e trafikut rrugor që e përmenda më herët, por patjetër për të garantuar edhe një nivel të shtuar sigurie, i cili nuk është më reagues. Pra, pasi ndodh ngjarja dhe me orë të tëra, ku oficerëve të policisë u duhet të hetojnë dhe të administrojnë në mënyrë manuale të gjitha ato video, ndërkohë që sot sistemi lejon që këto të analizohen në fraksione sekondash përmes softuerit, bazuar në inteligjencën artificiale, i cili shkëput vetëm atë pjesë që përbën interes për Policinë e Shtetit.

Sokol Dema: Kalojmë pak te pjesa e privatësisë, të cilën ju e prekët edhe pak më parë. Sistemi nuk synon, sipas jush, që të ketë survejim të atyre personave që lëvizin rregullisht në hapësira publike, por vetëm të atyre që kanë kryer diçka të paligjshme, apo në një farë forme janë në vëmendje të Policisë për shkak të veprimtarisë së tyre. Na saktësoni pak, që edhe audienca të jetë e qetë sa i përket këtij raporti. Pra, çdo kush që ecën në rrugë, a duhet t’i frikësohet Smart City-t apo duhet t’i frikësohet vetëm ai që ka kryer diçka të paligjshme?

Ministri Lamallari: Smart City është një garanci për çdo kënd që respekton ligjin dhe kërkon të ecë rregullisht e i qetë në mjediset publike, në vendin e punës, në aktivitetin mësimor, në rastin e nxënësve, në shkolla, dhe në çdo veprimtari normale që ndodh, duke ditur se, pa dyshim, unë jam një qytetar që respekton ligjin dhe nuk kam arsye pse të frikësohem. Përkundrazi, ata që përbëjnë kërcënim për mua dhe për ligjin në tërësi duhet të jenë subjekte të cilat parandalohen dhe trajtohen në kohë reale nga Policia e Shtetit dhe autoritetet përgjegjëse. Nga ana tjetër, do të doja të theksoja se, me gjithë dyshimet dhe spekulimet, që deri diku edhe i kuptoj, pasi kur prezantohet diçka e re, që është e panjohur, është së pari detyrë e autoriteteve shtetërore të japin më shumë informacion. Kjo intervistë i shërben pikërisht këtij qëllimi, në mënyrë që të mos u lihet shteg spekulimeve, qofshin këto të bazuara në mungesën e informacionit apo, në raste të caktuara, edhe në qëllime dashakeqe. Megjithatë, vlen të sqarohet se të dhënat e administruara nga kamerat në infrastrukturën shkollore janë kryesisht ato video që ruhen dhe administrohen në infrastrukturën lokale të shkollave. Pra, në 20 shkolla ku janë vendosur kamerat, ashtu siç ka funksionuar deri më sot, ato ruhen për një afat maksimal prej 30 ditësh. I vetmi informacion që ekspozohet ndaj Policisë së Shtetit është ai sinkron, ai moment ose imazh prej pak sekondash, i cili shkëput vetëm momentin e rrezikut, ku evidentohet qartë burimi i rrezikut dhe nevoja për ndërhyrje e aktivizimin e mekanizmit të sigurisë në shkollë, ku oficeri i sigurisë ka një rol të caktuar, por edhe ndërhyrja e shpejtë e patrullës më të afërt të Policisë së Shtetit. Për sa u përket të dhënave që përftohen nga videot dhe metadatat e kamerave inteligjente, nga radarët dhe sensorët e zhurmës, të cilët janë në gjendje të kapin edhe zhurmat nga të shtënat me armë, duke bërë të mundur lokalizimin e shpejtë dhe ndërhyrjen e patrullave, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin në kohë të shpejtë të personave që përdorin armë në mjediset publike. Ky informacion ruhet dhe administrohet në DVP-të e Policisë, ku është vendosur kjo infrastrukturë teknologjike, dhe i përcillet sërish, në funksion të alertit, ai moment sinkron që përbën interes për qendrën e komandës dhe kontrollit dhe për Policinë e Shtetit, e cila duhet ta ketë atë të dokumentuar, krahas DVP-së. Dhe ky është momenti që duhet të shërbejë për procedurat e mëpasshme ligjore që kanë të bëjnë me hetimet penale etj. Edhe në këtë rast, afati për ruajtjen e këtyre të dhënave është 30 ditë. I vetmi ndryshim që ndodh është për alertin e sistemit, pra për ato momente sinkrone që shkëputen dhe që përbëjnë interes të menjëhershëm për Policinë, për reagim të shpejtë parandalues, si për sigurinë në shkolla, ashtu edhe për sigurinë rrugore apo sigurinë publike, të cilat, siç e thashë edhe më herët, i përcillen qendrës së kontrollit për t’u analizuar më tej dhe për t’u dhënë komanda të posaçme si DVP-së, ashtu edhe shkollës përkatëse, në mënyrë që të kemi një reagim të shpejtë dhe parandalues. Afati për ruajtjen e këtyre të dhënave, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e këtij momenti, është 1 vit, sipas kuadrit ligjor në fuqi. Detyrimi për fshirjen e këtyre të dhënave fillon menjëherë pas ditës së 30-të, në rastin e shkollave apo të sigurisë publike, kur aplikohet afati 30-ditor, dhe pas 1 viti bëhet fshirja ose mbishkrimi i tyre, ku vetë sistemi ruan automatikisht të dhëna të tjera pas kalimit të afateve përkatëse. Një element tjetër është se këto të dhëna ruhen, administrohen dhe trajtohen vetëm në infrastrukturën ekzistuese në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në mënyrë absolute, asnjë e dhënë nuk postohet, nuk transferohet apo përpunohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, një shtresë tjetër garancie për sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave ka të bëjë pikërisht me personat e autorizuar për akses në këto të dhëna. Çdo akses regjistrohet automatikisht, është i gjurmueshëm dhe dokumentohet. Pra, në çdo rast kur ka dyshime se mund të jetë abuzuar me këtë informacion, vetë sistemi të lejon të kthehesh mbrapa dhe të shohësh se kush ka pasur akses, nëse ka qenë i autorizuar ose jo, dhe nëse e ka përdorur sipas qëllimit për të cilin është autorizuar. Është enkriptimi fund më fund ai që garanton transmetimin e të dhënave nga lokaliteti, qoftë kjo shkollë apo DVP, në qendrën e komandës dhe kontrollit, në mënyrë të enkriptuar. Që do të thotë se ai alert, ai moment sinkron video që përbën interes për autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese, përcillet në qendrën e komandës dhe kontrollit të Smart City-t në mënyrë të enkriptuar fund më fund. Kjo do të thotë se ai as nuk mund të manipulohet, as nuk mund të atakohet apo të ndërhyhet në mënyrë të paligjshme. Faleminderit.