Ministria e Punëve të Brendshme

Rinas – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku konstatuan se fluksi turistik po menaxhohet me efikasitet falë masave organizative dhe teknike të ndërmarra nga të dy institucionet. Gjatë inspektimit, Hita bëri të ditur se në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit përpunohen çdo ditë nga 50 mijë deri në 56 mijë pasagjerë. Ai theksoi se, përballë fluksit të shtuar, sistemi i kontrollit automatik e-Gate ka dhënë rezultate shumë pozitive.

“Kemi ulur moshën e përdorimit të e-Gate-ve nga 16 në 12 vjeç dhe kjo ka bërë të mundur uljen e kohës së pritjes, si dhe rritjen e numrit të personave që kalojnë nëpërmjet këtij sistemi”, u shpreh Hita.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Policinë Kufitare dhe Doganën e Rinasit ka ndikuar gjithashtu në forcimin e masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, veçanërisht të trafikut të lëndëve narkotike.

“Është e rëndësishme që, përveç trafikimit të lëndëve narkotike, të godasim edhe kontrabandën dhe emigracionin e paligjshëm. Ne kryejmë kontrolle të dedikuara në fluturimet që vlerësohen me risk, çka na mundëson të parandalojmë dhe të godasim çdo aktivitet kriminal në pikën e kalimit kufitar të Rinasit”, deklaroi Hita.

Ai siguroi gjithashtu se Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe për të ofruar asistencë për të gjithë qytetarët që vizitojnë Shqipërinë, si për bashkatdhetarët që kthehen pranë familjeve të tyre gjatë sezonit veror, ashtu edhe për turistët e huaj.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit dhe angazhimin e përbashkët për menaxhimin e fluksit në aeroport.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është angazhuar për të garantuar lëvizje sa më të shpejtë të qytetarëve përmes kësaj pike kufitare, por njëkohësisht edhe për të kontrolluar me rigorozitet çdo mall që hyn në Republikën e Shqipërisë, qoftë nëpërmjet pasagjerëve, qoftë nëpërmjet sektorit të kargos”, tha Beja.