Ministria e Punëve të Brendshme

REAGIMI – Projekti kombëtar “Smart City” do të sjellë një nivel të ri monitorimi dhe kontrolli në akset kombëtare dhe rrugët kryesore të vendit, duke forcuar ndjeshëm sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se askush nuk mund të konsiderohet i privilegjuar për të bllokuar trafikun, për të vonuar qytetarët apo për të shkelur rregullat që garantojnë sigurinë e përbashkët. Në këtë kuadër, dronët e Policisë së Shtetit po monitorojnë në kohë reale shkeljet në rrugë, ndërsa së shpejti atyre do t’u bashkohen edhe kamerat inteligjente të projektit “Smart City”.

Ky investim synon ndërtimin e një sistemi modern dhe inteligjent mbikëqyrjeje, që mundëson evidentimin e shkeljeve, rritjen e efektivitetit të kontrolleve dhe garantimin e një qarkullimi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

“Smart City” nuk është vetëm teknologji. Është një hap i rëndësishëm drejt një kulture të re të respektimit të ligjit, ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë dhe ku siguria e qytetarëve mbetet prioritet”, shkruan ministri Lamallari në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me pamje të kontrolleve policore për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.

INTERVISTA – “20 shkolla në Tiranë janë përzgjedhur për t’u integruar në sistemin smart të monitorimit. Janë 20 shkolla me nga 30 kamera secila, të vendosura për qëllimin e monitorimit të aktiviteteve që ndodhin në ambientet e përbashkëta të shkollave, siç janë korridoret, hapësirat e përbashkëta apo perimetri i sigurisë”, tha Anisa Ruseti, zv.ministre e Punëve të Brendshme.

Alarmi i kuq jepet menjëherë sapo identifikohet një konflikt i mundshëm, duke treguar në kohë reale me pamje të fiksuara edhe armët e ftohta apo sendet e kundërligjshme që mund të përdoren nga autorët.

“Në momentin kur mund të ketë një konflikt të mundshëm mes nxënësve, apo kur do të ketë një mjet prerës, një thikë apo diçka tjetër, sistemi automatikisht do ta alertojë me ngjyrë të kuqe sallën e kontrollit. Ata do të bëjnë njoftimin si fillim të oficerit të sigurisë në shkollë, të drejtorit të shkollës. Më pas do të duhet të njoftohet patrulla që mund të jetë më afër shkollës. Tashmë do të kemi sigurinë maksimale për ta parandaluar ngjarjen që në momentin e parë që ajo shfaqet.”

Jo vetëm në shkolla, por ky projekt pritet të shtrihet në pjesën më të madhe të vendit, duke monitoruar çdo aks rrugor, shesh apo vend publik.

“Projekti është i shtrirë në 12 drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit, në 24 bashki, ku do të instalohen më shumë se 5 mijë kamera, të cilat nënkuptojnë jo vetëm radarë inteligjentë për sigurinë rrugore, por edhe kamera të inkorporuara në trupin e Policisë së Shtetit, apo sensorë për ndotjen akustike. Kështu që është një projekt në tërësi, i cili do të sjellë padiskutim më shumë siguri publike për të gjithë qytetarët.”

“Smart City” pritet t’i vijë në ndihmë policisë në ngjarjet e rënda të vrasjeve, duke treguar momentet e krimit apo rrugët që është ndjekur nga autorët, por jo vetëm kaq. Ai do të ndihmojë edhe për sigurinë rrugore, pasi çdo targë problematike do të raportohet. Në të njëjtën kohë, sistemi sinjalizon shkeljet e Kodit Rrugor, si përdorimi i celularit, parakalimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit apo tejkalimi i shpejtësisë.