Ministria e Punëve të Brendshme

Reagimi – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka ritheksuar se garantimi i sigurisë së pushuesve përgjatë gjithë vijës bregdetare mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Lamallari bëri të ditur se strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara nga Velipoja deri në Ksamil për të garantuar rendin dhe sigurinë në zonat bregdetare, duke paralajmëruar se çdo shkelje e rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit. Ministri nënvizoi se Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare do të reagojnë menjëherë ndaj çdo shkeljeje të konstatuar në terren apo çdo denoncimi të bërë nga qytetarët.

“Siguria e pushuesve nga Velipoja në Ksamil është prioritet i punës së Policisë së Shtetit përgjatë sezonit turistik. Kushdo që zgjedh të sfidojë ligjin dhe të rrezikojë jetën e pushuesve duke shkelur perimetrin e lejuar për mjetet lundruese, do të përballet pa kompromis me pasojat. Reagimi i Njësisë Policore Detare dhe Policisë Kufitare do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkeljeje apo denoncimi të qytetarëve”, shprehet ministri Lamallari.