Ministria e Punëve të Brendshme

Durrës – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Bashkinë Durrës, ku u diskutuan prioritetet në fushën e sigurisë në komunitet, sigurisë në shkolla, si dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë takimit u prezantuan edhe gjetjet e Programit për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA), të cilat ofrojnë një bazë të rëndësishme për identifikimin e sfidave dhe planifikimin e ndërhyrjeve konkrete në nivel vendor, me synim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e bashkëpunimit me komunitetin.

Në mbledhje u rikonfirmua angazhimi nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe gjithë anëtarët e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike për të forcuar koordinimin ndërinstitucional dhe për të adresuar në mënyrë të përbashkët çështjet që lidhen me sigurinë publike.

Pjesëmarrësit theksuan se një mjedis më i sigurt për qytetarët mund të ndërtohet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, përgjegjësisë së përbashkët dhe përfshirjes aktive të komunitetit.