Ministria e Punëve të Brendshme

VIDEO – U prezantuan sot masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, me fokus forcimin e prezencës policore në zonat turistike, monitorimin me teknologji dhe rritjen e kapaciteteve të Njësisë Policore Detare.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Durrës, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari theksoi se zhvillimi i turizmit sjell jo vetëm mundësi ekonomike, por edhe përgjegjësi të reja për garantimin e sigurisë së vizitorëve dhe qytetarëve.

“Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik. Ai zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në Pikën Kufitare dhe e mbron me profesionalizëm”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se siguria është një element kyç i imazhit të vendit.

Ministri vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit gjatë sezonit veror, duke e cilësuar këtë periudhë si një nga sfidat më të mëdha vjetore për shërbimet publike.

“Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën për Policinë e Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike”, tha ai.

Duke u ndalur te siguria në hapësirën detare, Lamallari theksoi rolin e Njësisë Policore Detare, e cila është kthyer në një strukturë të rëndësishme për parandalimin e incidenteve në plazhe dhe garantimin e respektimit të rregullave të lundrimit.

“Kjo strukturë moderne, e ngritur për herë të parë në vitin 2023, sot është kthyer në një nga garancitë më të forta të sigurisë në hapësirën detare të vendit, nga Velipoja deri në Ksamil, nga brigjet e Adriatikut deri në ujërat e Jonit”, deklaroi ministri.

Sipas tij, gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det, ndërsa janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese dhe janë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.

Për sezonin veror 2026, Policia e Shtetit do të rrisë praninë operative në vijën bregdetare, përmes mjeteve të specializuara, teknologjisë dhe monitorimit të vazhdueshëm.

“35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve”, tha Lamallari.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhjen direkte me sistemin TIMS për të lehtësuar procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë Shqipërinë.

“Policia Kufitare është shpesh fytyra e parë e shtetit shqiptar për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo qytetar shqiptar dhe të huaj”, u shpreh ministri.

Në përfundim, Lamallari falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për angazhimin e tyre dhe nënvizoi objektivin për një sezon turistik me standarde sa më të larta sigurie.

“Le të punojmë së bashku që sezoni turistik 2026 të jetë sezoni më i sigurt që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, që çdo vizitor të largohet me kujtime të bukura dhe Shqipëria të vazhdojë të jetë një histori suksesi që frymëzon dhe tërheq botën”, përfundoi Lamallari.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari: 

Ka vite që Shqipëria po jeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi në turizëm. Ky është një fakt që na gëzon të gjithëve sepse turizmi është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë sonë. Por, ky sukses sjell gjithashtu edhe përgjegjësi më shumë. Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik. Ai zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në Pikën Kufitare dhe e mbron me profesionalizëm. Përvec të ardhurave për ekonominë, turistët sjellin edhe besim në terma të imazhit të vendit tonë, duke u bërë kështu ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në vendet ku jetojnë. Ne këtë duhet t’ua kthejmë me shërbime më të mira dhe më shumë siguri.

Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë e përkushtim dhe me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. E kam fjalën këtu pikërisht për ju, për punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këto muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike të vendit. Sezoni veror nuk është thjesht periudhë pushimi. Është sprova më e madhe e shërbimeve tona. Ju punonjësit e Policisë së Shtetit e dini më mirë se kushdo tjetër këtë angazhim. Ne kemi detyrimin të dëshmojmë se jemi gati me të gjithë kapacitet tona.

Sikundër e dëgjuam nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ne kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar një sezon të sigurt, të qetë dhe të suksesshëm. Unë dua të ndalem veçanërisht në Njësinë Policore Detare, e cila ka një rol parësor për të garantuar sidomos plazhet e vendit në mënyrë që të mos kemi incidente si në të kaluarën me mjetet lundruese. Kjo strukturë moderne, e ngritur për herë të parë në vitin 2023, sot është kthyer në një nga garancitë më të forta të sigurisë në hapësirën detare të vendit tonë. Nga Velipoja deri në Ksamil. Nga brigjet e Adriatikut deri në ujërat e Jonit.

Punonjësit e kësaj njësie janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve dhe pushuesve. Ata monitorojnë hapësirat ujore. Parandalojnë shkeljet. Kontrollojnë respektimin e rregullave të lundrimit. Ndërhyjnë në situata emergjente. Dhe mbi të gjitha, shpëtojnë jetë, jetë njerëzore dhe kjo është dëshmuar edhe falë bashkëpunimit me partnerët tanë, si Guardia di Finanza dhe agjencitë e tjera brenda vendit, ku Policia e Shtetit ka mbajtur peshën kryesore.

Vetëm gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë plot 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det. Janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese dhe është ndëshkuar çdo shkelje që rrezikonte sigurinë e pushuesve. Deti është hapësirë lirie dhe argëtimi, por njëkohësisht edhe hapësirë ku ligji duhet të respektohet pa asnjë kompromis. Edhe gjatë këtij viti, gjatë këtij sezoni turistik, Njësia Policore Detare do të jetë aktivisht e pranishme përgjatë vijës tonë bregdetare. 35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve. Po ashtu, përmes teknologjisë së re dhe lidhjes direkte me sistemin TIMS, Policia Kufitare do të lehtësojë procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë vendin tonë, duke ofruar kështu një shërbim më të shpejtë dhe më efikas. Policia Kufitare është kështu fytyra e parë e shtetit shqiptar, për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Është kontakti i parë që krijon përshtypjen e parë për Shqipërinë. Prandaj, krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është edhe të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo shqiptar e të huaj që vinë, duke reflektuar vlerat e një vendi që aspiron dhe Meriton të jetë së shpejti pjesë e familjes europiane.

Ky është modeli i Shqipërisë që po ndërtojmë. Një Shqipëri moderne dhe mikpritëse. Një Shqipëri që plotëson standardet europiane, duke ruajtur vlerat më të mira të saj. Një Shqipëri ku siguria ecën krah për krah me zhvillimin ekonomik dhe turistik.

Dëshiroj të falënderoj çdo punonjës të Policisë së Shtetit, të gjithëve ju, secilin prej jush, Policisë Kufitare, Njësisë Policore Detare për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën tuaj.
Çdo ditë që ju punoni, çdo orë që ju i shërbeni qytetarëve, është shërbimi më i madh që i bëni vendit, imazhit të tij dhe ekonomisë shqiptare. Prandaj, puna juaj nuk matet vetëm me statistika. Puna juaj matet me jetë të shpëtuara, me rendin e garantuar dhe mbi të gjitha me besimin dhe perceptimin e një Policie që është në krah të qytetarëve, kurdoherë që ata kanë nevojë.

Le të punojmë së bashku që sezoni turistik 2026 të jetë sezoni më i sigurt dhe Shqipëria të zhvillojë Akoma më tej numrin e turistëve, të cilët vizitojnë vendin tonë, qoftë peizazhet e mrekullueshme malore, apo qoftë ato detare, kulinarinë e mrekullueshme dhe ta bëjmë në këtë mënyrë një histori suksesi që frymëzon dhe tërheq botën. Shumë faleminderit!

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita:

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Lamallari,

I nderuar Komandant i Forcës Detare, Kundëradmiral z. Mullaj,

Të nderuar kolegë të Guardia di Finanza,

Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,

Shqipëria po përjeton vitet e saj më të mira në turizëm. Miliona vizitorë zgjedhin vendin tonë jo vetëm për bukuritë natyrore, historinë dhe kulturën, por edhe sepse e perceptojnë atë si një vend mikpritës dhe të sigurt. Kjo është një arritje kombëtare, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për të gjitha institucionet e sigurisë dhe veçanërisht për Policinë e Shtetit.

Shifrat e larta të turizmit në Shqipëri, tashmë të konsoliduara prej vitesh, e bëjnë këtë takim të domosdoshëm dhe na vendosin përballë një realiteti të ri, ku duhet të shohim jo vetëm arritjet tona, por edhe përgjegjësitë dhe sfidat që na presin.

Viti 2025 tregoi një rritje të jashtëzakonshme të fluksit të turistëve, pushuesve dhe vizitorëve, ndërsa viti 2026 po dëshmon se Shqipëria është tashmë një destinacion i konsoliduar turistik rajonal dhe europian gjatë gjithë vitit. Zgjedhja që miliona vizitorë bëjnë për Shqipërinë përkthehet drejtpërdrejt në përgjegjësi të lartë për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt.

Për Policinë e Shtetit, menaxhimi i sezonit turistik mbetet prioritet absolut dhe shoqërohet me një angazhim të shtuar operacional në të gjithë territorin. Për ne, ky fluks nuk është thjesht një ngarkesë pune. Ai është testi më i rëndësishëm i profesionalizmit tonë, i aftësisë për të garantuar sigurinë publike, për të ofruar shërbim me dinjitet dhe etikë dhe për të përmbushur me efikasitet detyrat tona funksionale. Në këtë realitet të ri të zhvillimit të turizmit, etika në komunikim merr rëndësi të veçantë. Policia Kufitare dhe më pas Policia Rrugore janë kontaktet e para që një vizitor krijon me vendin tonë.

Uniforma jonë duhet të përfaqësojë autoritetin e ligjit, por njëkohësisht edhe mikpritjen, integritetin dhe mirësjelljen, si vlera të spikatura të shoqërisë shqiptare. Komunikimi profesional dhe etik është çelësi për të ndërtuar besimin e vizitorëve që në minutat e para të qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Për të favorizuar këtë proces, Policia e Shtetit ka riorganizuar shërbimet dhe ka lehtësuar procedurat në bashkëpunim me fqinjët, për të reduktuar kohën e pritjes dhe burokracitë e tepërta. Ky imazh pozitiv i ndërtuar në kufi duhet të pasqyrohet me të njëjtën vëmendje dhe në brendësi të territorit, veçanërisht në qendrat turistike ku përqendrimi i pushuesve është më i lartë. Në këto qendra, ne po aplikojmë me sukses, për të disatin vit tashmë, praninë e efektivëve me biçikleta, në zonat pedonale dhe përgjatë vijës bregdetare. Ky model rrit jo vetëm perceptimin mbi sigurinë, por dhe efikasitetin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Vëmendje e jashtëzakonshme po i kushtohet garantimit të sigurisë detare, dhe ujore në tërësi, nëpërmjet Njësisë Policore Detare, e cila prej 3 sezonesh tashmë, është njësi e konsoliduar e Policisë së Shtetit, në favor të zbatimit të ligjshmërisë në hapësirën ujore dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve në këtë hapësirë. Njësia Policore Detare është në gatishmëri të plotë 24/7, dhe në këtë kuadër dua të falënderoj përzemërsisht kolegët e Guardia di Finanza, për mbështetjen që kanë ofruar gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht për mbështetjen që kanë ofruar këtë vit për të siguruar gatishmërinë teknike të mjeteve të lundrimit që do të jenë në funksion të menaxhimit të sezonit turistik. Patrullimet dhe monitorimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare, në bashkëpunim dhe me rojën bregdetare që përvit është në mbështetjen tonë dhe të sigurisë detare. Gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer në funksion të rritjes së sigurisë, si dhe të parandalimit dhe goditjes së trafiqeve të paligjshme që tentojnë të zhvillohen në hapësirën ujore. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon Njësia Policore Detare do mbështetet në mënyrë të integruar dhe nga ajri, me monitorim përmes dronëve, për të garantuar një kontroll më gjithëpërfshirës të territorit.

Theksoj me vendosmëri se nuk do të tolerohet asnjë lloj shkeljeje me mjete lundruese që rrezikon jetën e pushuesve. Kontrollet ndaj mjeteve lundruese, nga motorët e ujit, te skafet dhe anijet turistike, do të jenë të rrepta e të pandërprera, duke verifikuar me rigorozitet dokumentacionin, si dhe respektimin e korridoreve të sigurisë dhe vendbazimeve të miratuara.

Ndërkohë duke filluar nga ky sezon, po aplikojmë një risi të rëndësishme teknologjike, shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve të huaja lundruese direkt në hapësirën detare, nëpërmjet tabletave të lidhura me sistemin TIMS, duke lehtësuar procedurat pa pasur nevojë që të bregëzohen apo paraqiten për regjistrim në pikat e kalimit kufitar.

Paralelisht me sigurinë në ujë, kontrolli ynë do të shtrihet me vendosmëri të plotë dhe mbi operatorët ekonomikë që zhvillojnë aktivitetin e tyre në bregdet dhe në zona turistike, në zbatim të detyrimeve në kuadër të Task Forcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik. Gjithashtu, parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore dhe parandalimi i ndotjes akustike në tejkalim të orarit dhe kufirit të përcaktuar me ligj janë të tjera sfida për shërbimet policore në terren.

Argëtimi i disave nuk mund dhe nuk duhet të prishë kurrsesi qetësinë e familjeve dhe qetësinë publike në tërësi, ndaj kontrollet ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitete që gjenerojnë muzikë, në zona urbane, turistike dhe bregdetare, do të jetë rutinë dhe i pandërprerë. Ashtu siç e theksova që Shqipëria tashmë është pothuaj tërë vitin në sezon turistik, por gjatë verës shumëfishohet, një rol të rëndësishëm në sigurinë e jetës së vizitorëve dhe turistëve zënë Forca Kombëtare e Sigurisë, Policia Alpine, Delta Forcë dhe Forcat Speciale “RENEA”, të cilat përgjatë vitit 2025 dhe këtij 6-mujori, kanë kryer dhjetëra operacione kërkim-shpëtimi, mbeten në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, operacion kërkim-shpëtimi apo ndërhyrje të specializuar, duke garantuar siguri shtesë për turistët dhe qytetarët në të gjithë territorin e vendit.

Siguria në tërësi do ishte e cunguar pa sigurinë rrugore. Rrugët e Shqipërisë sonë duhet të jenë sa më të sigurta dhe kjo arrihet me mënyrën e re të monitorimit të qarkullimit rrugor që tashmë po aplikojmë. Zero ndalime pa shkak dhe arsye, shtim në maksimum të teknologjisë me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të evidentohen dhe ndëshkohen shkelësit e kodit rrugor.

Të nderuar kolegë,

treguesit e vitit të kaluar shprehin se kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara, për sa i përket përmbushjes së detyrave funksionale, element i cili ka bërë që pritshmëritë e qytetarëve, pushuesve dhe të vizitorëve, ndaj nesh, të jenë më të larta. Siguria është komponent shumë i gjerë dhe kontribues janë të gjithë aktorët dhe faktorët që i ngarkon ligji, ndaj bashkëpunimi dhe koordinimi me pushtetin vendor, ministritë përkatëse dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, është i domosdoshëm, që secili të bëjë atë çka i takon në funksion të sigurisë dhe imazhit.

Në këtë aspekt kërkoj nga ju të dashur kolegë, vigjilencë të shtuar në çdo pikë kalimi e në çdo stacion plazhi, si dhe qytetari, etikë, durim dhe humanizëm, në çdo fjalë përshëndetëse dhe fjali sqaruese që komunikoni me qytetarët, vizitorët e turistët nga mbarë bota.

Me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim, jam besimplotë se këtë vit do të tregojmë shembullin e një policie moderne, europiane, të shpejtë në reagim dhe në shërbim të plotë të qytetarëve. Në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë sot dua t’ju drejtohem disa fokusgrupeve që gjatë kësaj periudhe intensive kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Së pari, një ftesë të drejtpërdrejtë për qytetarët, aleatin tonë kryesor, besimin dhe bashkëpunimin me të cilët e kemi çelësin e realizimit të misionit tonë. Të nderuar qytetarë, vizitorë dhe pushues, gjatë sezonit turistik, çdo indicie prej jush, ka rëndësi jetike.

Mos ngurroni të bashkëpunoni me Policinë, për të raportuar menjëherë çdo paligjshmëri që hasni dhe çdo nevojë për ndihmë. Të gjendur në çdo cep të Shqipërisë, asnjë telefonatë e juaja nuk do gjejë veshë të shurdhër dhe për këtë do të angazhohem personalisht dhe me të gjitha kapacitetet e Policisë së Shtetit. Ndërkaq, ndaj kujtdo që lundron me mjet lundruese, kam thirrje për më shumë kujdes përgjegjësinë maksimale, pasi e kundërta mund të kushtojë përveç ndëshkimit administrativ, edhe cenimin e jetës dhe shëndetit. Ndaj operatorëve dhe kujtdo që kryen veprimtari ekonomike gjatë sezonit, apeloj për lexim dhe zbatim të përpiktë të çdo porosie ligjore, pasi verifikimet dhe kontrollet do të jenë 24/7.

Së fundi, kërkoj nga ju, të dashur kolegë, drejtues menaxherialë dhe operacionalë, si dhe nga çdo punonjës policie që shërben 24/7 në terren, angazhim maksimal, përkushtim, guxim, humanizëm, etikë dhe përgjegjshmëri të lartë profesionale dhe ligjore. Vetëm në këtë mënyrë do të forcojmë më tej besimin e qytetarëve, do të garantojmë sigurinë e pushuesve dhe do t’iu japim turistëve përvojën që meritojnë në një vend të sigurt, mikpritës dhe europian.

Le të bëhemi të gjithë ambasadorë të sigurisë, profesionalizmit dhe mikpritjes shqiptare, t’iu japim qytetarëve, besim, turistëve, siguri dhe Shqipërisë, imazhin që meriton. Ky është misioni ynë dhe jam i bindur se do ta përmbushim me sukses. Më keni në krah në përmbushje të këtij misioni jetik. Ju faleminderit dhe ju uroj një sezon turistik të sigurt dhe të mbarë!