Ministria e Punëve të Brendshme

Duke folur në një lidhje direkte me TV Abc News, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ka shtjelluar rrethanat që sollën deri në marrjen e vendimit për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, ndaj një shtetaseje me pasaportë të Kosovës. Vendimi është marrë duke u bazuar nga informacionet e shërbimeve të inteligjencës dhe në përputhje me ligjin, nënvizoi Ministri. Ai pohoi se institucionet tona do të vijojnë të monitorojnë dhe të marrin masa parandaluese ndaj çdo personi apo veprimtarie që cenon sigurinë e Republikës së Shqipërisë, duke sqaruar se ndaj shtetases në fjalë “ka një urdhër dëbimi”, nëse ajo mund të gjendet brenda territorit shtetëror.
“Është bazuar nga informacionet e inteligjencës. Vendimmarja është bazuar nga informacionet e inteligjencës, është e duhur, në dobi të vendit tonë. Edhe çdo informacion që ata kanë disponuar, që me kalimin e kohës konkludohet në faktin që veprimtaria e personit përbën kërcënim, çon në vendimmarrje të tillë. Ka edhe një urdhër dëbimi. Nëse gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, dëbohet nga vendi. Kam reaguar në momente të caktuara, nuk ndaj informacione që ligjërisht duhet t’i mbaj të kufizuara. Një protestë që nisi qytetare, u bë përshesh për agjenda të huaja. Ka agjenda të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE. Shqipëria nuk është vendi ku qytetarët nuk kishin frikë të protestonin. Policia e Shtetit, ka edhe detyrimin për të administruar çdo informacion për çdo person që përbën kërcënimin për sigurinë kombëtare. Sigurisht, kjo është detyra jonë. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme nga shërbimet informative dhe ato të zbatimit të ligjit, për të marrë masa parandaluese”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.


Në të njëjtën dalje mediatike, Ministri trajtoi edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me aktualitetin në vend, përkatësisht me protestat e ditëve të fundit.
“Gjatë këtyre ditëve, ka pasur një mori reagimesh, komunikimesh, por duhet të ndajmë shapin nga sheqeri. Jo çdokush që merr mikrofonin aty, përfaqëson interesa legjitime apo një mendim ndryshe të mirëpritur në një vend demokratik. Kemi punën e agjencive ligjzbatuese, nga njëra anë është detyrë e policisë që të garantojë mbarëvajtjen e protestës, por edhe për të qenë të kujdesshëm e vigjilentë që këto të mos jenë një shteg për të çuar përpara agjenda të dëmshme për vendin dhe më gjerë.
Për mua e rëndësishme, është që elementë të caktuar, që të mos lejojmë që elementë të cilët qartazi, sipas informacioneve të përcjella nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimet e inteligjencës, provojnë se punojnë për agjenda të caktuara, që nuk kanë të bëjnë kurrsesi me agjendën kombëtare, pavarësisht se shiten si patriotë e përfaqësues të diasporës, por në thelb, të gjithë reagimet e tyre publike por edhe veprimtaria që nuk është bërë publike, por njihet nga agjencitë që unë përmenda, qartazi shkojnë në dëm të interesave kombëtare,” theksoi Ministri.
Në lidhje me çështjen e helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë nga ushqimet e konsumuara, Ministri tha se kjo është një çështje që po verifikohet nga autoritetet përkatëse.
“Ka pasur një vizitë edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Është njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që kanë marrë mostra për të analizuar, nga mund të ketë ardhur helmimi. Lajmi i mirë është që nuk ka pasojë të dëmshme te kursantët. Ajo që mbetet në vijim, është dalja e konkluzioneve nga analizat e bëra”, – u shpreh Ministri.
Çështje të tjera që trajtoi gjatë intervistës për “Tirana Live” në ABC News, ishin edhe masat e marra për sezonin turistik, një analizë mbi flukset turistike si dhe rezultatet e vizitës dyditore në Holandë, ku Ministri Lamallari pati takime me homologun holandez si dhe krerët e Eurojust dhe Europol.