Ministria e Punëve të Brendshme

Pogradec – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan një inspektim në Pikën Kufitare të Qafë Thanës, ku u njohën me investimet e kryera dhe masat e ndërmarra për forcimin e sigurisë, përmirësimin e shërbimeve dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve.

Gjatë inspektimit u vlerësua puna për modernizimin e pikave kufitare, rritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit, strukturave doganore dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me synim garantimin e kontrolleve më efikase dhe standardeve më të larta të sigurisë ushqimore.

Investimet në teknologji, laboratorë dhe infrastrukturë moderne përbëjnë hapa konkretë në përmbushjen e standardeve europiane dhe në krijimin e një sistemi kufitar më funksional, më të shpejtë dhe më të besueshëm.

Pika Kufitare e Qafë Thanës, si një nyje strategjike për lëvizjen ndërkufitare dhe shkëmbimet ekonomike, vijon të jetë në fokus të përpjekjeve për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe garantimin e sigurisë.

Qëllimi i qartë është një menaxhim më i mirë i flukseve, reduktim i vonesave në kalim dhe rritje e besueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet rajonale dhe europiane.