Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Silva Caka, mori pjesë në Takimin e Dytë të Komitetit të Monitorimit të Instrumentit për Reformën dhe Rritjen (Reform and Growth Facility – RGF), ku raportoi mbi progresin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në zbatimin e masave të parashikuara në Axhendën e Reformave të Shqipërisë.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të Komisionit Evropian, institucioneve të Qeverisë së Shqipërisë, partnerëve të zhvillimit, shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara, për të vlerësuar ecurinë e reformave dhe angazhimet e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë raportimit të saj, Caka prezantoi progresin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në përmbushjen e objektivave të Axhendës së Reformave, duke veçuar avancimin e masave që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e shërbimeve publike dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.

Diskutimet në takim u fokusuan në zbatimin e hapave të reformës në fushat prioritare të politikave, vlerësimin e progresit nga Komisioni Evropian, mekanizmat e auditimit dhe kontrollit, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në monitorimin e procesit. Gjithashtu, u trajtuan aspektet e komunikimit dhe dukshmërisë së reformave, si edhe investimet që mbështesin rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Takimi riafirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve shqiptare, Komisionit Evropian, partnerëve të zhvillimit dhe shoqërisë civile për të vijuar me vendosmëri zbatimin e reformave dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit.

#OneStepCloser