Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Gjatë verës, Shërbimi Zjarrfikës e jo vetëm, do të jetë gatishmëri të përforcuar, duke kryer patrullime dhe monitorim të territorit së bashku me agjenci të tjera, si dhe do të ngrihen stacione provizore në zonat turistike dhe zonat me risk të lartë. Në prag të sezonit veror dhe rritjes së riskut për zjarret, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit organizoi një takim koordinues me drejtuesit e strukturave zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit, me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Në të morën pjesë gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, si edhe Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, Skënder Brataj.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan të detajuar masash për parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale gjatë verës. Ky plan synon minimizimin e rasteve të zjarreve, rritjen e reagimit në kohë dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit. Do të ushtrohen kontrolle në hotele, resorte, restorante, beach-bar dhe subjekte të tjera me risk, për të verifikuar masat e sigurisë dhe planet e evakuimit. Në këtë proces nuk ka vend për formalitet. Ka vend vetëm për përgjegjësi”, theksoi ministri Lamallari.

Një tjetër fokus i fjalës së ministrit ishte ashpërsimi i masave penale ndaj zjarrvënësve, pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal.

“Zjarret nuk parandalohen vetëm nga shteti. Ato parandalohen edhe nga ndërgjegjësimi i komunitetit, nga fermeri i kujdesshëm, nga operatori turistik i përgjegjshëm dhe nga çdo qytetar që kupton se mbrojtja e territorit është përgjegjësi e përbashkët. Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona”, deklaroi Lamallari, duke shtuar se në rastet më të rënda dënimet për zjarrvënësit mund të arrijnë deri në 30 vite burg.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari vlerësoi punën dhe sakrificën e efektivëve të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke theksuar se ky është një shërbim jetik për sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

“Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë publike në vend. Është një shërbim që qytetarët e shohin gjithmonë aty ku ka rrezik, aty ku ka emergjencë dhe aty ku kërkohet sakrificë”, u shpreh Lamallari. Ministri theksoi se mbështetja për këtë shërbim është rritur ndjeshëm, duke bërë të ditur se financimi për vitin 2025 është rritur në 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë një vit më parë.

“Kemi avancuar modernizimin e flotës, kemi mbështetur përmirësimin e trajtimit financiar dhe kemi nisur hapa të rinj për rritjen e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin”, deklaroi ai.

Sipas Lamallarit, aktualisht në strukturat vendore operojnë rreth 170 automjete zjarrfikëse, ndërsa janë planifikuar edhe 130 mjete të reja, si dhe ndërtimi i 4 stacioneve të reja zjarrfikëse në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë. Duke u ndalur te masat për sezonin veror, ministri nënvizoi rëndësinë e gatishmërisë dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse.

“Presim nga çdo bashki që të ketë një plan të qartë veprimi sipas specifikave të territorit të saj. Presim koordinim real mes strukturave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile, shërbimit pyjor dhe strukturave vendore të mbrojtjes civile”, tha Lamallari.

Në përfundim të aktivitetit, disa efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje për profesionalizmin dhe kontributin e tyre në operacione të ndryshme shpëtimi dhe emergjencash, mes tyre edhe efektivë të angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit në një pallat shumëkatësh në Tiranë.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari:

Takimin e sotëm dua ta nis me një falënderim për të gjithë. Shumë prej jush kanë ardhur edhe nga larg dhe natyrisht i mirëkuptoj edhe vështirësitë. Në takime të tilla shpesh duket sikur ne ju mbledhim vetëm në prag të sezonit veror kur shtohet edhe rreziku për zjarret. Në fakt ky është një keqkuptim i madh sepse Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi është jetik për vendin. Puna juaj nuk ka të çmuar dhe unë ju jam thellësisht mirënjohës për çdo sakrificë që ju bëni. Thënë këtë, vëmendja jonë për ju ka qenë dhe mbetet e lartë, për t’ju garantuar mbështetjen e duhur me pajisje e mjete dhe me paga më të mira.

MBËSHTETJA

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit është një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë publike në vend. Është një shërbim që mbron jetën, pronën, mjedisin dhe komunitetet tona. Një shërbim që qytetarët e shohin gjithmonë aty ku ka rrezik, aty ku ka emergjencë dhe aty ku kërkohet sakrificë. Pikërisht për këtë, mbështetja jonë për ju ka qenë konkrete dhe e vazhdueshme.

Kemi rritur financimin për vitin 2025 në 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë një vit më parë. Kemi avancuar modernizimin e flotës, kemi mbështetur përmirësimin e trajtimit financiar dhe kemi nisur hapa të rinj për rritjen e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin.

Sot kemi rreth 170 automjete zjarrfikëse në strukturat vendore. Përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë janë ndërtuar stacione të reja, janë siguruar mjete dhe pajisje moderne, si dhe janë trajnuar dhjetëra efektivë. Vetëm nga projekti i lidhur me TAP janë mundësuar 16 mjete zjarrfikëse dhe trajnim për 168 efektivë në 10 bashki të vendit.

Ndërkohë, kemi planifikuar blerjen e rreth 130 automjeteve të reja zjarrfikëse dhe ndërtimin e katër stacioneve të reja në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë. Ndërtimi i stacionit të ri në Mat ka nisur tashmë prej dy muajsh.

Po ashtu, jemi në fazën finale të miratimit të dy vendimeve shumë të rëndësishme që lidhen me karrierën, gradat dhe trajtimin e efektivëve të këtij shërbimi. Këto janë hapa konkretë për të forcuar më tej statusin dhe dinjitetin profesional të çdo punonjësi të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

MASAT PËR SEZONIN VEROR

Në prag të sezonit veror, dua të theksoj një të vërtetë të thjeshtë: forca e këtij shërbimi nuk matet vetëm me mjetet që ka, por me gatishmërinë që ndërton përpara se të nisë emergjenca. Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan të detajuar masash për parandalimin e zjarreve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale gjatë verës. Ky plan synon minimizimin e rasteve të zjarreve, rritjen e reagimit në kohë dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Presim nga çdo bashki që të ketë një plan të qartë veprimi sipas specifikave që kanë territoret e tyre. Presim koordinim real mes strukturave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile, shërbimit pyjor dhe strukturave vendore të mbrojtjes civile.

Mjetet të jenë funksionale. Pajisjet të jenë në gatishmëri. Burimet ujore të identifikohen. Rrugët e aksesit të mirëmbahen. Korridoret kundër zjarrit të mos mbeten vetëm në letra, por të jenë masa konkrete në terren.

Gjatë sezonit veror do të kemi gatishmëri të përforcuar, patrullime, monitorim të territorit dhe ngritje të stacioneve provizore në zonat turistike dhe në zonat me risk të lartë. Po ashtu, do të ushtrohen kontrolle në hotele, resorte, restorante, beach-bar dhe subjekte të tjera me risk, për të verifikuar masat e sigurisë dhe planet e evakuimit. Në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut do të dislokohen mjete zjarrfikëse dhe grupe të gatshme ndërhyrjeje. Në këtë proces nuk ka vend për formalitet. Ka vend vetëm për përgjegjësi.

Po aq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me qytetarët. Zjarret nuk parandalohen vetëm nga shteti. Ato parandalohen edhe nga ndërgjegjësimi i komunitetit, nga fermeri i kujdesshëm, nga operatori turistik i përgjegjshëm dhe nga çdo qytetar që kupton se mbrojtja e territorit është përgjegjësi e përbashkët. Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona.

ASHPËRSIMI I KODIT PENAL PËR ZJARRVËNËSIT

Përballë rritjes së rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme dhe dëmeve të mëdha që ato kanë shkaktuar në mjedis, ekonomi dhe sigurinë publike, qeveria ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, duke ashpërsuar ndjeshëm masat ndëshkuese për zjarrvënësit.

Amendamentet e reja të nenit 206/a parashikojnë dënime më të forta për çdo rast zjarrvënieje që shkakton dëme në pyje dhe mjedise pyjore, ndërsa për rastet kur zjarret prekin zona të mbrojtura apo trashëgimi kulturore, dënimi shkon nga 5 deri në 10 vite burg.

Në rastet më të rënda, kur zjarrvënia rrezikon jetën e qytetarëve, banesat apo shkakton pasoja shumë të mëdha, dënimi mund të arrijë deri në 30 vite burg. Ky është një mesazh i qartë se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj kujtdo që rrezikon jetën, pasurinë dhe pasuritë natyrore të vendit.

NDERIMI ME CERTIFIKATA

Të nderuar pjesëmarrës, sot kemi gjithashtu kënaqësinë të vlerësojmë disa prej punonjësve tuaj me certifikata mirënjohjeje. Ky është një vlerësim simbolik, por shumë domethënës, për njerëzit që në shumë raste vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve.

Çdo ndërhyrje, çdo natë pa gjumë, çdo operacion në kushte të vështira është një akt shërbimi dhe përkushtimi ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit. Më vjen mirë që mes atyre që sot vlerësojmë janë edhe efektivë që morën pjesë në operacionin e vështirë për shuarjen e zjarrit të disa javë më parë në një pallat shumëkatësh këtu në Tiranë, operacion të cilin e kam ndjekur edhe vetë nga afër.

Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të qeverisë shqiptare, dua t’ju falënderoj për profesionalizmin, kurajën dhe sakrificën tuaj. Ne do të vijojmë të jemi krah jush. Në modernizim. Në rritjen e kapaciteteve. Në përmirësimin e kushteve të punës. Dhe në forcimin e mëtejshëm të këtij shërbimi kaq të rëndësishëm për vendin. Ju faleminderit!

Fjala e Drejtorit Përgjithshëm të MZSH-së, Arben Cara:

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Lamallari,

I nderuar z. Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Shtetit,

I nderuar z. Çako, Drejtor i AKMC,

I nderuar z. Brataj, Drejtor i Urgjencës Kombëtare,

Të nderuar drejtues të strukturave të MZSH-së,

Të nderuar të kolegë zjarrfikës,

Është nder dhe kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush, në këtë takim ku mblidhen bashkë përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të mbrojtjes civile dhe të strukturave operacionale që mbajnë çdo ditë një barrë të lartë përgjegjësie ndaj jetës së qytetarëve, pronës, mjedisit dhe interesit publik. Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për të shprehur vlerësim për punën e bërë, por edhe për të reflektuar mbi rrugën e forcimit të dukshëm që po kalon Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në të gjitha hallkat e tij, nga parandalimi e deri te reagimi.

Sot kemi arsye të themi me bindje se ky shërbim po hyn në një fazë më të konsoliduar zhvillimi. Po forcohet roli i tij institucional, po rritet vëmendja ndaj nevojave reale të tij, po kuptohet më qartë rëndësia strategjike që ai ka për sigurinë publike, dhe po mbështetet më fort në planifikim, në kapacitete, në koordinim dhe në investim. Kjo mendesi e re nuk e sheh më Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit thjesht si një strukturë që ndërhyn kur ka emergjencë, por si një mekanizëm të përhershëm sigurie, i cili punon çdo ditë për të parandaluar rrezikun, për të kufizuar pasojat dhe për të garantuar reagim sa më të shpejtë, profesional dhe efikas.

Në këtë kuadër, parandalimi mbetet boshti më i rëndësishëm i punës sonë. Për ne, parandalimi nuk është një koncept i përgjithshëm, por një detyrim konkret institucional, që fillon me vlerësimin e riskut, me planifikimin në kohë, me bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe me gatishmërinë e plotë për të përballuar situata që mund të krijojnë pasoja serioze për komunitetin, territorin dhe mjedisin. Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi midis një shërbimi që thjesht reagon dhe një shërbimi që menaxhon me përgjegjësi të gjithë ciklin e emergjencës.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në prag të sezonit veror, kur rreziku i zjarreve në sipërfaqet pyjore, kullota, plantacione dhe zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore shtohet ndjeshëm. Temperaturat e larta, thatësira, terrenet e vështira dhe pakujdesitë njerëzore kërkojnë prej nesh jo vetëm reagim të shpejtë, por mbi të gjitha organizim paraprak, koordinim të fortë dhe masa të qarta parandaluese në çdo nivel vendor. Për këtë arsye, është kërkuar që bashkitë, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat përgjegjëse, të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe përballimin e situatave të zjarreve gjatë verës.

Në qendër të kësaj qëndron nevoja që çdo bashki të ketë plane të plota masash, të miratuara në kohë dhe të ndërtuara mbi analiza konkrete të riskut. Këto plane nuk duhet të mbeten dokumente formale, por duhet të jenë instrumente realisht funksionale, të afta për të orientuar veprimin në terren, për të përcaktuar përgjegjësitë e secilës strukturë, për të organizuar shërbimin në kushtet e gatishmërisë së përforcuar dhe për të garantuar përgjigje të koordinuar në rast emergjence. Një shërbim i fortë është, para së gjithash, një shërbim që planifikon drejt dhe vepron në kohë.

Po aq i rëndësishëm është edhe koordinimi ndërinstitucional. Përballimi i zjarreve, veçanërisht në pyje dhe kullota, nuk mund të mbetet përgjegjësi e një strukture të vetme. Ai kërkon bashkëveprim të plotë ndërmjet Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, strukturave të mbrojtjes civile, shërbimit pyjor, administratave të zonave të mbrojtura, Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, prefekturave, si dhe çdo aktori tjetër institucional që ka rol në territor. Vetëm përmes këtij bashkëpunimi ndërtohet një zinxhir real sigurie, ku informacioni qarkullon në kohë, mjetet mobilizohen shpejt dhe ndërhyrja bëhet me efikasitetin që kërkon situata.

Forcimi i shërbimit tonë lidhet drejtpërdrejt edhe me gatishmërinë operacionale. Kjo do të thotë mjete të kompletuara, automjete të gatshme, pajisje funksionale, sisteme komunikimi në gjendje pune, burime njerëzore të organizuara sipas nevojës dhe kapacitete të qarta për vrojtim, konstatim dhe raportim në kohë të vatrave të zjarrit. Do të thotë gjithashtu identifikim të burimeve ujore, përcaktim të pikave të furnizimit me ujë, përfshirë edhe për mjetet ajrore, si dhe sigurim të kushteve që ndërhyrja të mos vonohet nga mungesa e organizimit paraprak. Në emergjencat e verës, çdo masë e marrë më herët përkthehet në më pak dëme dhe në më shumë jetë të mbrojtura.

Një rol të rëndësishëm ka edhe puna parandaluese në territor. Hapja dhe mirëmbajtja e rrugëve për kalimin e mjeteve zjarrfikëse, krijimi i korridoreve për pengimin e përhapjes së flakëve, pastrimi i zonave me risk, si dhe ndërhyrjet e nevojshme në sipërfaqe pyjore dhe kullota janë masa që bëjnë diferencën midis një situate të kontrolluar dhe një situate që del jashtë kontrollit. Këto nuk janë masa dytësore. Ato janë pjesë e vetë sigurisë publike, sepse mbrojnë jo vetëm pyllin dhe mjedisin, por edhe banesat, ekonominë lokale, turizmin dhe jetën e qytetarëve.

Në këtë përpjekje, ndërgjegjësimi i komunitetit mbetet po aq i rëndësishëm sa infrastruktura dhe pajisjet. Ne kemi nevojë që qytetarët, fermerët, blegtorët, përdoruesit e pyjeve, operatorët turistikë dhe çdo banor i zonave me risk të lartë të kuptojnë se parandalimi i zjarreve është përgjegjësi e përbashkët. Informimi, sensibilizimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me komunitetin janë pjesë e domosdoshme e punës sonë, sepse shumë prej vatrave të zjarrit lindin nga pakujdesia, neglizhenca apo mungesa e vetëdijes. Ndaj kultura e sigurisë nuk ndërtohet vetëm me urdhra dhe plane, por edhe me përgjegjësi qytetare.

Ky ka qenë një vit me vëmendje të shtuar për të kuptuar dhe mbështetur më mirë këtë shërbim nga e gjithë qeveria. Dhe kjo vëmendje ka ardhur në një moment të rëndësishëm, kur sfidat janë bërë më komplekse, kërkesat ndaj strukturave tona janë rritur dhe nevoja për një shërbim më të fortë, më të pajisur dhe më të koordinuar është bërë edhe më e qartë. Kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm në nivel vlerësimi institucional, por edhe në bindjen se Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit është një interes strategjik i shtetit dhe duhet trajtuar si i tillë.

Natyrisht, në qendër të të gjithë këtij transformimi mbeten njerëzit. Gratë dhe burrat e këtij shërbimi, të cilët përballen çdo ditë me vështirësi, me rrezik dhe me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ata nuk shërbejnë thjesht me detyrë, por me karakter, disiplinë dhe ndjenjë të lartë misioni. Në secilin reagim, në secilën ndërhyrje, në secilin alarm, është profesionalizmi i tyre ai që mbron jetën, kufizon dëmin dhe i jep shtetit një fytyrë konkrete përgjegjshmërie. Për këtë arsye, respekti për ta duhet të shoqërohet gjithmonë me mbështetje reale, me trajnim, me pajisje dhe me investim të vazhdueshëm.

Sot është edhe një ditë vlerësimi për këtë përkushtim. Vlerësim për punën që bëhet larg vëmendjes publike, për gatishmërinë që nuk njeh orar, për sakrificën që shpesh ushtrohet në kushte ekstreme dhe për dinjitetin me të cilin përfaqësohet kjo uniformë. Është një ditë për të thënë qartë se ky shërbim nuk matet vetëm me ndërhyrjet që sheh opinioni publik, por me të gjithë punën e heshtur që bën të mundur parandalimin, përgatitjen dhe reagimin në kohë.

Përpara nesh kemi ende shumë punë. Kemi nevojë të thellojmë më tej modernizimin e shërbimit, të forcojmë më shumë kapacitetet profesionale, të rrisim nivelin e koordinimit në çdo territor dhe të garantojmë që çdo bashki, çdo strukturë dhe çdo hallkë e këtij sistemi të jetë më e përgatitur për sfidat që sjell sezoni veror dhe çdo emergjencë tjetër. Kemi nevojë për më shumë planifikim, më shumë vigjilencë, më shumë përgjegjësi dhe më shumë bashkëpunim. Por kemi edhe një bazë më të fortë se më parë për të ecur përpara me besim.

Dhe ky besim duhet të na udhëheqë. Besim se po ndërtojmë një shërbim më të fortë. Besim se po vendosim standarde më të larta. Besim se po ecim drejt një modeli ku parandalimi, gatishmëria dhe reagimi nuk shihen si procese të ndara, por si pjesë e së njëjtës përgjegjësi shtetërore ndaj qytetarit. Ky është drejtimi ynë. Ky është angazhimi ynë. Dhe kjo është rruga që duhet të vazhdojmë së bashku.

Ju falënderoj për punën tuaj, për përkushtimin tuaj dhe për bashkëpunimin tuaj.