Ministria e Punëve të Brendshme

Shkurt 2026 – Janë përmbyllur analizat vjetore të zhvilluara në 12 prefekturat e qarqeve të vendit, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrave të Punëve të Brendshme, Silva Caka dhe Xhemal Qefalia, si dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këto takime pune kishin qëllim vlerësimin e performancës institucionale për vitin 2025, evidentimin e arritjeve dhe sfidave, si dhe prezantimin e objektivave strategjike për vitin 2026.

Gjatë analizave u theksua se viti i kaluar u karakterizua nga realizimi i objektivave të përcaktuara, përmbushja e detyrimeve ligjore dhe institucionale, si dhe përballimi me sukses i sfidave nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional. Koordinimi efektiv mes strukturave qendrore dhe vendore ka qenë një faktor kyç në forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e standardeve të shërbimit dhe adresimin në kohë të problematikave të komunitetit.

Në kuadër të procesit të integrimit europian, viti 2026 konsiderohet një fazë e rëndësishme konsolidimi dhe modernizimi institucional. Prioritetet përqendrohen në mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe turizmit të qëndrueshëm, përmirësimin e cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, rritjen e transparencës dhe digjitalizimin e proceseve administrative, forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe menaxhimit të emergjencave civile, mbrojtjen aktive të mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në të gjitha nivelet.

Në përfundim të analizave u shpreh mirënjohje për angazhimin dhe profesionalizmin e stafit të prefekturave, si dhe për bashkëpunimin e institucioneve partnere, duke ritheksuar angazhimin për një administratë më efikase, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.