Ministria e Punëve të Brendshme

Prezantimi i projektbuxhetit 2026 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga ministrja Albana Koçiu:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë të Komisionit të Sigurisë

Për vitin 2026, është fakt që Shqipëria do të ketë një buxhet shteti rekord, rreth 9 miliardë euro. Shumë pak vende në botë ia kanë dalë të kenë një buxhet trefish më të lartë në një dekadë. Kjo arritje e jashtëzakonshme është padyshim fryt i shumë arsyeve, siç është rritja ekonomike, turizmi, investimet e huaja apo avancimi i perspektivës europiane. Por asnjë nga këto faktorë nuk do të kishte qenë i mundur, pa sigurinë, që qëndron në bazë të gjithçkaje.

Sot, Shqipëria është një vend i sigurt, një ndër më të sigurtët e Evropës, dhe buxheti i vitit 2026 do të vijojë të rrisë edhe më shumë standardet tona të sigurisë.

Ky buxhet, që prezantojmë për 2026, është më i larti për Ministrinë e Punëve të Brendshme, 50 milionë euro më i lartë se buxheti aktual. Në dy vite, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është rritur me 100 milionë euro. Kjo vlerë buxheti ka shumë lajme të mira si për qytetarët, por edhe për efektivët dhe punonjësit në varësi të MPB-së. Për qytetarin, ky buxhet e vendos atë në qendër të të gjithë përpjekjeve për të rritur më tej sigurinë e përgjithshme në vend, patrullimin në komunitet, numrin e shërbimeve të ofruara 24/7 dhe veçanërisht nivelin e sigurisë në qarkullimin rrugor.

Ndërsa për 12,432 punonjës të Policisë së Shtetit, për 1,491 punonjës të Gardës së Republikës, për 1,389 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, për 181 punonjës të vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjitha ato institucione të tjera të varësisë së MPB-së, lajmi i mirë është rritja e re e pagave që hyn në fuqi nga janari 2026.

Ashtu si të gjithë punonjësit e administratës publike, edhe ata janë pjesë e rritjes që do të vijë si rrjedhojë e njësimit të normës së inflacionit me 2.5% si dhe nga rritja e pagës minimale në shkallë vendin në nivelin 500 euro.

Ndërsa për rreth 11,500 efektivë të policisë me grada, rritja është e trefishtë. Përveç njësimit të inflacionit, përfitojnë edhe nga ndryshimi i formulës së vjetërsisë, si dhe nga përfshirja në lekë, si pjesë e pagës së tyre, e bonusit ushqimor, që deri më sot është dhënë si kartë ushqimore.

Si rezultat, një inspektor i thjeshtë, nga një pagë 80,500 lekë që paguhet sot, me të gjitha shtesat, paga do të shkojë në 100,000 lekë, ose 20% më shumë, flas këtu me lekë të reja. Për një nënkomisar, paga nga 95,500 lekë do të shkojë në 116,000 lekë; për një komisar, me të gjitha shtesat, nga 105,000 shkon në 125,600 lekë dhe për një kryekomisar, nga 115,500 lekë në 136,000 lekë. Rritje do të ketë edhe për gradën drejtues dhe drejtues i parë.

Në 12 vjet, pagat sipas kategorive në Policinë e Shtetit janë rritur me 150 %, por përpos kapaciteteve njerëzore, statusit dhe dinjitetit që kjo rritje page sjell për të gjithë trupën e veshur me uniformë, buxheti do të mbështesë edhe kapacitetet teknike të Policisë së Shtetit. E thënë ndryshe, buxheti 2026 do të jetë një buxhet ku do të bëjmë një tjetër kapërcim cilësor për sa i përket kapaciteteve tona teknologjike, inovacionit, si dhe përdorimit të pajisjeve të Inteligjencës Artificiale për rritjen e sigurisë në vend.

Midis projekteve kyçe është edhe ai i rinovimit dhe zgjerimit të sistemit të kamerave në përdorim nga ana e Policisë së Shtetit, si dhe avancimi i mëtejshëm i projektit të qyteteve inteligjente, i cili është i pari projekt kombëtar që automatizon dhe monitoron 24/7 sigurinë në akset kombëtare, si dhe në rrugët dhe shkollat, apo hapësirat publike të 20 qyteteve më të mëdha të vendit.

Mbështesim investimet kapitale. Ky buxhet, me gjithë listën e projekteve që financon, do të përmirësojë më tej kushtet e punës të Policisë së Shtetit.

E katërta, buxheti do të mbështesë pa kushte avancimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, sidomos sa i përket kapitujve kyç që MPB drejton, Kapitullin 23 dhe 24.

Pa u ndalur në të gjitha investimet, objektivat specifikë që ky buxhet do të realizojë, janë rritja e sigurisë rrugore përmes rritjes së patrullimeve dhe kontrollit mbi territorin, reduktimi i kohës së reagimit ndaj krimit me një fokus të posaçëm te krimi brenda familjes. Rritja e hetimeve proaktive në bashkëpunim me agjencitë hetimore për krimet e rënda dhe korrupsionin, me një fokus te identifikimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale.

Rritja e numrit të punonjësve të Policisë të pajisur me shërbime dhe pajisje IT sipas standardeve teknologjike, duke synuar 100% pajisjen e tyre brenda vitit 2028, përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të gjendjes civile që hap më shumë rrugë për shërbime të dixhitalizuara 24/7 me vulë elektronike për të gjithë qytetarët shqiptarë brenda apo jashtë vendit.

Mbështetje e operacionit për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në territor lidhur me ndërtimet pa leje apo përtej lejes së dhënë. Sapo miratuam në kuvend 3 akte normative që forcojnë ndjeshëm mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe ndëshkimit, duke e bërë praktikisht të pamundur çdo formë abuzimi me territorin.

Të gjitha janë pjesë e një filozofie të re për shtetin në raport me territorin dhe mbikëqyrjen që shteti duhet t’i bëjë territorit, që nuk do të trajtohet më si plaçkë, por si një hapësirë publike që u përket të gjithë qytetarëve dhe që garanton dinjitetin e tyre.

Shumë e rëndësishme gjithashtu mbështetet përpjekjen për të ndërtuar pa vonesë, një adresar të saktë të detajuar, kombëtar me gjithë adresat e çdo ndërtese apo biznesi në Shqipëri.

Në përfundim, më lejoni të konstatoj se ky buxhet është domethënës, pavarësisht vlerës së vënë në dispozicion, është domethënës sa i përket ambicieve që ne kemi për synim për të realizuar.

Duke nisur me rritjen e pagave për të gjithë institucionet ligjzbatuese, tek roli i shtuar i inovacionit dhe të gjithë projektet e tjera qëu do të mbështeten.

Buxheti 2026 sjell jo vetëm një rritje të mëtejshme të nivelit të sigurisë në vend, por dhe vazhdimin e atyre reformave transformuese, që i hapin rrugë përfundimtare përfundimit të negociatave me Bashkimin Europian dhe anëtarësimit të vendit tonë brenda vitit 2027.

Padyshim, lista e detyrave të shtëpisë është shumë e gjatë, shumë prej tyre janë objektiva komplekse dhe të vështira.

Por jam e sigurt që me buxhetin që prezantojmë për vitin 2026 kemi një armë të fuqishme në dorë, që na pajis dhe na ofron të gjitha instrumentet dhe mekanizmat për të realizuar objektivat që i kemi vënë vetes.

Shumë faleminderit.