Ministria e Punëve të Brendshme

Më lejoni të shpreh, falënderimin tim, së pari, për çdo qytetar shqiptar, që mori pjesë në zgjedhjet e 11 majit, brenda apo jashtë vendit. Pjesëmarrja e tyre është themeli i demokracisë dhe një dëshmi e qartë e besimit të tyre për shtetin e së drejtës.
Si Ministër i Brendshëm, jam këtu për të konfirmuar gjithashtu përmbushjen e detyrimeve të Ministrisë së Brendshme për disa aspekteve themelore të këtij procesi zgjedhor, që lidhen me fushën e përgjegjësisë së kësaj ministrie.
Ne si ministri, hartuam listat e plota e të sakta zgjedhore, brenda vendit e për herë të parë edhe për diasporën, pajisjen apo rinovimin e shtetasve tanë me dokumente identifikimi, duke ndërmarrë jo vetëm fushata ndërgjegjësimi, por edhe ndërhyrje ligjore për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në procesin zgjedhor.
Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e procesit, javët e fundit, kemi ndërmarrë aktet normative përkatëse, për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Fillimisht këto akte janë miratuar për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, që në shkurt të këtij viti dhe më pas, e njëjta nismë është miratuar edhe për shtetasit me banim të përhershëm brenda territorit shtetëror, duke garantuar kështu të drejtën kushtetuese të votës për çdo zgjedhës, pavarësisht dokumentit biometrik me afat vlefshmërie të skaduar deri në 11 maj.
Ato janë hartuar nga Ministria e Brendshme, miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe janë depozituar në Kuvend sipas çdo procedure. Sot ne jemi këtu për t’i kërkuar Kuvendit, t’i miratojë përfundimisht me qëllim që ky proces të marrë formë të plotë institucionale dhe këto akte të formalizohen.
Por meqë e mora fjalën, dua të theksoj se zgjedhjet e 11 majit ishin një provë e rëndësishme për institucionet ligjzbatuese, e mund të them me bindje se kjo ishte një nga periudhat zgjedhore më të qeta e të mbikëqyrura ndonjëherë.
U vendosën standarde të reja për sigurinë elektorale, nëpërmjet:
– Hartimit dhe zbatimit të një plani të detajuar operacional, në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë, KQZ-në, prokuroritë në rrethe dhe SPAK;
-Rritjes së pranisë policore në zonat me ndjeshmëri, pa asnjë ndikim politik dhe me zero tolerancë për ndërhyrje nga jashtë në këtë proces;
-Krijimit të grupeve të monitorimit, për parandalimin e çdo tentative të mundshme për deformim të vullnetit të votuesit;
– Dhe mbi të gjitha, një angazhim të palëkundur për bashkëpunim të plotë me institucionet e drejtësisë, për hetimin dhe ndjekjen penale të çdo akti, që do të cenonte integritetin zgjedhor.
Ka pasur referime të menjëhershme dhe hetime të shpejta në kohë reale për veprimtari të dyshuara penale, përfshirë rastet e fotografimit të votës apo vepra të tjera të dyshuara, të cilat janë bërë edhe publike. Kjo dëshmon se askush nuk është mbi ligjin dhe do të përballet me të, kur cenon të drejtën e votës së lirë.
Nga ana tjetër, ky ishte një mesazh i qartë i qeverisë, për ta ndarë politikën nga çdo tentativë, që synonte cenimin e legjitimitetit të votës.
Të nderuar deputetë,
Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe me integritet është përgjegjësi natyrisht së pari e qeverisë dhe palëve në proces, por edhe një përpjekje e përbashkët e të gjithë institucioneve vendase apo atyre monitoruese ndërkombëtare, e një armate të tërë njerëzish të angazhuar në proces dhe vetë shoqërisë në tërësi.
Me procesin e 11 majit, kemi hedhur një tjetër hap, në përmbushje të vizionit tonë, duke e afruar më shpejt vendin aty ku i takon në familjen e madhe europiane.
Faleminderit!