Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha konfirmoi angazhimin e të gjithë strukturave shtetërore për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla. Duke përshëndetur 77 oficerët e rinj të certifikuar nga Akademia e Sigurisë, gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambjentet e shkollës “Kosova”, Ministri tha se: “Sot ne, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, certifikojmë 77 oficerë të sigurisë, të cilët do t’i shtohen numrit të oficerëve të sigurisë që janë pjesë e paketës së sigurisë. Kjo nuk ishte vetëm një nismë administrative por një angazhim politik i qeverisë shqiptare e cila ka përmbushur me përgjegjësi këtë lloj nisme, e cila do të vazhdojë edhe më tej dhe kemi programuar edhe rritje të pagës për oficerët e sigurisë, duke përmbushur misionin e sigurisë në shkolla.”
Gjatë këtij aktiviteti ku mori pjesë edhe Ministrja Manastirliu dhe personeli arsimor i shkollës, u shpërndanë certifikatat për 77 oficerë të rinj të sigurisë, të cilët janë trajnuar në Akademinë e Sigurisë, me qëllim për t’u përfshirë në sistemin e sigurisë së institucioneve të arsimit parauniversitar.
Në përshëndetjen e saj, Ministrja Manastirliu vuri në dukje rëndësinë e forcimit të mekanizmave të komunikimit, që informon prindërit në kohë reale për gjithçka ndodh me fëmijët në shkollë, specifikisht për fletoren digjitale.
“Duhet të kemi më shumë informacion në kohë reale për prindërit dhe kjo bëhet e mundur tashmë edhe me vendosjen dhe jetësimin e disa ndërhyrjeve pjesë e planit të ri të veprimit, siç është fletorja digjitale e komunikimit. Përmes këtij komunikimi interaktiv, ku jo vetëm mësuesi kujdestar apo mësuesi i lëndës mund të komunikojë direkt me prindërit, por tashmë është bërë e mundur që përmes fletores së komunikimit digjital të jetë pjesë e këtij komunikimi edhe oficeri i sigurisë dhe punonjësi social dhe psikologu,” theksoi ministrja Manastirliu.

Në lidhje me projektet për sigurinë Ministri Hoxha u shpreh se “Një nga projektet e qeverisë shqiptare është projekti “Smart City” të cilin jemi zotuar ta nënshkruajmë brenda vitit 2026 dhe zbatimi i tij do të fillojë shumë shpejt për të përmbushur të gjitha detyrimet tona. Ky projekt do të jetë një gurthemeli për rritjen e nivelit të sigurisë në shkolla në mënyrë që çdo prind, të ketë qetësi për sigurinë e fëmijëve të tyre, për mjedisin ku ata mësojnë, për pjesën e sigurisë që ata kërkojnë nga shteti.”
Më certifikimin e 77 oficerëve të rinj numri i përgjithshëm i oficerëve të sigurisë në shkolla shkon në 276. Ndërkohë pritet të hapen procedurat për punësimin e 130 punonjësve të rinj të sigurisë, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Mbështetur në këtë vendim, në shkollat e arsimit bazë ose ato të bashkuara që kanë kapacitet të paktën 350 nxënës, do të ketë 1 oficer sigurie, kurse në ato me të paktën 900 nxënës, do të shërbejnë 2 oficerë sigurie.
Mbi bazën e këtyre kritereve të reja, parashikohet që numri i oficerëve të sigurisë të rritet nga 276 në rreth 395, duke forcuar mekanizmin e sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar.