Ministria e Punëve të Brendshme

VIDEO – Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha mori pjesë në ceremoninë e lancimit të Kuratoriumit për Sigurinë Rrugore, një forum me ekspertë, që synon të forcojë angazhimin institucional dhe shoqëror për rritjen e sigurisë në rrugët e vendit. Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se siguria rrugore nuk mund të mbetet më vetëm në përgjegjësinë e autoriteteve policore, por është një sfidë që kërkon ndërgjegjësim dhe përfshirje nga të gjithë aktorët e shoqërisë.

“E mirëprita me shumë kënaqësi këtë nismë, me bindjen e plotë se siguria rrugore është një çështje kombëtare që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Vij nga radhët e Policisë së Shtetit dhe e njoh nga afër sfidën që paraqet kjo fushë. Sot, infrastruktura, logjistika dhe teknologjia që ka në dispozicion Policia Rrugore janë të një tjetër niveli, por sfida vazhdon,” u shpreh Hoxha.

Duke sjellë në vëmendje të dhëna konkrete ai theksoi se nga 334 viktima në aksidentet rrugore në vitin 2012, numri ka rënë në 175 në vitin 2024, në një kohë kur numri i mjeteve në qarkullim në këto vite është disa-fishuar.

“Çdo aksident i shmangur është një jetë më shumë e shpëtuar”, theksoi Ministri.

Më tej foli për tre shtyllat e strategjisë për sigurinë rrugore, të cilat përfshijnë investimin në teknologji të zgjuar, edukim dhe ndërgjegjësim qytetar, si dhe forcim i ligjit dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

“Instalimi i kamerave inteligjente, sistemet automatike të kontrollit të shpejtësisë, sinjalistika dinamike dhe platformat dixhitale të menaxhimit të trafikut do të përfshijnë qytetet kryesore, akse kombëtare etj. Shpejt do të haqet edhe Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Gjithashtu, me fokus të veçantë tek fëmijët e të rinjtë, përmes fushatave në shkolla, rrjete sociale dhe media, synohet krijimi i një kulture të re respekti në rrugë, si për drejtuesit e mjeteve ashtu edhe për këmbësorët. Policia Rrugore, në bashkëpunim me autoritetet e tjera vijojnë intensifikimin e kontrolleve dhe do të garantojnë zbatim më efikas Kodin Rrugor, përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar”, tha kreu i Ministrisë së Brendshme.

“Qytetet e mençura ndërtohen jo vetëm me beton dhe rrjete dixhitale, por me vizion, përkushtim dhe një angazhim të përbashkët për të mbrojtur jetën. Ndaj dua të përsëris një apel, për gjithë institucionet, shoqërinë civile, sektorin privat, më të cilët bashkëpunon Policia e Shtetit dhe qytetarët të bëheni pjesë e këtij vizioni për rrugë më të sigurta dhe jetë më të shëndetshme!”, përfundoi Ministri.