Ministria e Brendshme

Komisioni për Sigurinë Kombëtare si dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan dy Aktet Normative, “Për një shtesë në ligjin nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit””, të ndryshuar, dhe “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë””, të ndryshuar.

Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila ka prezantuar nismat, që synojnë t’u vijnë në ndihmë shtetasve shqiptarë, të cilët kanë dokumente identiteti që u ka përfunduar ose u përfundon afati i vlefshmërisë në datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Gjatë prezantimit të akteve, Zv.ministri Mahila u shpreh se “Qeveria shqiptare ka përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë dy Akte Normative, përmes të cilave propozohet të zgjatet afati i vlefshmërisë përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën deri në fund të muajit Maj 2025 për shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë vendit”.

“Miratimi i këtij propozimi do të mundësojë pjesëmarrje të gjerë të votuesve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që do të regjistrohen në platformën PER (Platforma Elektronike e Regjistrimit) për zgjedhjet për kuvendin, dekretuar nga Presidenti i Republikës,” – sqaroi Mahilaj gjatë fjalës së tij.

Duke shpjeguar arsyet dhe nevojën e miratimit të akteve, Mahilja nënvizoi se: “KQZ i është drejtuar Këshillit të Ministrave dhe për dijeni partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Propozimi ndikohet si rezultat i situatës aktuale në të cilën kërkohet mundësimi i të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë në vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk disponojnë dokumente të vlefshme identifikimi për zgjedhjet për kuvendin, që do të zhvillohen më datë 11 maj 2025”, nënvizoi Mahila para deputetëve.

Zv.ministri kërkoi nga Komisioni që të miratonin aktet e propozuara në mënyrë që asnjë shtetas shqiptar brenda apo jashtë Shqipërisë, të ketë mundësi të votojë pavarësisht vlefshmërisë së dokumentit të identitetit.

“Është i nevojshëm që ky akt të marrë fuqinë e ligjit, miratimin në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe për këtë arsye qeveria shqiptare ka përcjellë këto dy akte që të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë brenda 45 ditëve siç e parashikon Kushtetuta!”, u shpreh Mahila.

Më pas ai iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në lidhje me disa të dhëna që kanë të bëjnë me regjistrimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

“Pjesa e sqarimit, – tha Zv.ministri Mahila, – të kërkuar nga deputeti Dogjani, për 93 mijë kërkesa të refuzuara nga sistemi PER, nuk i përket ekzekutivit, është një çështje që i përket KQZ-së, e cila ka në menaxhim sistemin PER dhe ka vendosur kushte, të cilat janë transparente dhe partitë politike i kanë të qarta”.

Pyetjes se nuk është bërë shumë nga Qeveria Shqiptare për të informuar shtetasit tanë, ai tha se janë përdorur të gjitha format. “Nëse ka ndonjë formë tjetër që ju mund ta propozoni ne jemi të hapur ta vëmë në zbatim, se më shumë se sa kaq mund të ketë natyrisht”, u përgjigj ai.