Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka njoftuar vendimin e qeverisë për dhënien e një shpërblimi shtesë në fund të vitit për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit zbatues, që përbëjnë shumicën dërrmuese të trupës policore. Ky njoftim vjen menjëherë pas vendimit tjetër për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura sa u përket pagesave për orët shtesë, dietave etj, për punonjësit e policisë.

Në një postim në rrjete sociale, Ministri Hoxha thekson se:

“Çdo punonjës i Policisë së Shtetit i rolit zbatues do të përfitojë një shpërblim prej 10 mijë lekësh (~100 euro). Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë vit. Qeveria ka vlerësuar e vlerëson rolin e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë, nën vizionin SHQIPËRIA2030🇦🇱 . Pjesë e këtij vizioni janë investimet e rëndësishme në teknologji, infrastrukturë dhe logjistikë. Me vendimin e sotëm, punonjësit e Policisë së Shtetit përfshihen në kategorinë e punonjësve që marrin shpërblim për festat e fundvitit.”

Më tej në këtë postim, Ministri Hoxha shpjegon edhe arsyet që kanë çuar drejt këtij vendimi, duke vënë në dukje se:

“Punonjësit e Policisë në bashkëpunim me autoritetet e tjera kanë shënuar rezultate të rëndësishme, duke garantuar më shumë siguri dhe një sezon turistik të qetë. Ky shpërblim është gjithashtu një nxitje për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim, për përmirësimin më tej të standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.”

Në fund të deklaratës, Ministri Hoxha shprehet se:

“Jam i bindur se me mbështetjen e Qeverisë dhe përkushtimin e efektivëve të saj, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë një shembull i suksesshëm i forcës dhe besueshmërisë në shërbim të qytetarëve, sepse viti që vjen do të na përballë me sfida të tjera, siç janë organizimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, ku Ministria e Brendshme dhe Policia kanë një rol kyç, por edhe sfidat e tjera kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në vend.”