Ministria e Brendshme

Strategjia e Rendit Publik (Programi i Policisë së Shtetit) 2015–2020, dhe Plani i Veprimit 2015–2017, është një dokument që paraqet vizionin tonë për zhvillimin e Policisë së Shtetit.

Në të ndërthuren parimet e transparencës, llogaridhënies dhe policimit në komunitet, për të realizuar përafrimin e policisë shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian. Me zbatimin e kësaj strategjie do të përmirësohet dukshëm dhe do të rritet efektiviteti i punës së Policisë së Shtetit.

Strategjia është në vazhdim të një reforme të thellë ligjore që fillon me ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ngritjen e Akademisë së Sigurisë, ligjeve për mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit, dhe një numri të madh aktesh nënligjore dhe udhëzimesh që synojnë rikthimin e Policisë në detyrë dhe rikthimin e besimit të publikut te Policia e Shtetit.

Kjo strategji përmban drejtimin e qartë dhe vizionin e qeverisë shqiptare për modernizimin e policisë, përmirësimin e infrastrukturës policore, futjen e teknologjive në ofrimin e shërbimeve me qëllim afrimin e qytetarëve ndaj saj, krijimin e një partneriteti midis Policisë së Shtetit dhe publikut në funksion të zbatimit të ligjit dhe të rritjes së sigurisë publike.

Rëndësi i kushtohet dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si një mënyrë e domosdoshme për të luftuar krimin ndërkufitar dhe për të shtuar sigurinë e shtetasve shqiptarë.

Ky dokument ka në themel bashkëpunimin dhe koordinimin e integruar të detyrave, si brenda organizatës dhe ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, në nivel vendor, rajonal e kombëtar.

Strategjia dhe plani i veprimit parashikojnë përmirësim të vazhdueshëm financiar për punonjësit e policisë, veçanërisht ata në terren, përmirësim të infrastrukturës së ambienteve dhe mjeteve policore, përmirësim të sigurisë dhe të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për punonjësit e policisë, për të rritur dinjitetin e punonjësit të policisë.